Zelensky: Putin dhe Assad meritojnë të jenë në burg
Bota E Martë, 10 Dhjetor 2024 21:53
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky me rastin e Ditës së të Drejtave të Njeriut, që festohet sot, i bëri thirrje botës që të bashkohet në luftën kundër, siç tha ai, “regjimeve diktatoriale”.
”Dita e të Drejtave të Njeriut këtë vit u shoqërua me foto të tmerrshme të burgjeve dhe qendrave të torturës siriane që u hapën pas arratisjes së (presidentit sirian Bashar al) Assad. Njerëzit janë poshtëruar atje për shumë vite. Burra dhe gra janë rrahur, torturuar, përdhunuar. Mijëra e mijëra njerëz kaluan nëpër këtë fabrikë dhune”, ka shkruar Zelensky.
Zelensky deklaroi se regjimi i Asadit u mbështet ekskluzivisht në dhunë për dekada dhe vlerësoi se “të gjitha regjimet e mbështetura nga presidenti rus Vladimir Putin janë të tillë”. Ai kujtoi burgjet dhe “dhunën e papërshkrueshme” dhe krimet e tjera në territoret ukrainase të pushtuara nga forcat ruse.
“Kjo është arsyeja pse ne, ukrainasit, jemi kaq të prekur kur shohim sirianë që dalin nga burgjet dhe dhomat e torturave të Asadit. Assad dhe Putin nuk janë thjesht vasalë. Ata janë bashkëpunëtorë në dhunë. Diktatorët si Assad nuk mund të mbijetojnë pa diktatorë të tillë si Putini. Dhe Putini do të përpiqet të hakmerret për rënien e Asadit”, tha Zelensky. Ai i bëri thirrje botës që të bashkohet për t’iu kundërvënë regjimeve që, siç tha ai, “mbjellin poshtërim dhe lënë pas vetëm vuajtje, dhimbje dhe rrënoja”.
Burimi