Zbulohet kalendari për sezonin e ri në Seria A, ja si e nisin ekipet e mëdha
Seria A nga sot ka filluar të marrë formë dhe sezoni i ri 2024-2025. Shorti i hedhur këtë të enjte përcaktoi ecurinë e 38 javëve të një prej ligave më të forta të Europës, dhe natyrisht më e dashura për shqiptarët e cila transmetohet në Tring.
Sezoni i ri do të nisë në datën 17 gusht dhe do të mbyllet në 25 maj të vitit të ardhshëm. Pushimet për shkak të impenjimeve të ekipeve kombëtare do të jenë nga data 2 deri në 10 shtator, nga 7 deri më 15 tetor, nga 11 deri më 19 nëntor 2024 dhe nga data 17 deri në 25 Mars 2025.
Në vetëm një rast do të kemi ndeshje në mesjavë, konkretisht në javën e 10 të kampionatit, ndërkohë që nuk do të ketë pushime në fundvit por do të luhen sfida në fundjavat e 22 dhjetorit, 29 dhjetorit dhe 5 janarit.
Sa i takon kalendarit java e parë e cila nis në 17 gusht do ta shohë Interin kampion në fuqi të impenjuar në transfertën e Genoas, Milani e fillon në San Siro me Torinon, Juventus luan në shtëpi ndaj Comos së ringjitur në serinë A pas shumë vitesh mungesë.
Sa i takon përplasjeve të mëdha, e para e rëndësishme është ajo e javës së 5 më 22 shtator, derbi i Milanos, Inter-Milan, javë në të cilën luhet edhe Juventus-Napoli. Ndërkohë java e tretë në fillim të shtatorit do të ketë tre ndeshje shumë interesante: Inter-Atalanta, Juventus-Roma dhe Lazio-Milan. Derbi i Italisë Inter-Juventus në fazën e parë do të luhet në 27 tetor në San Siro në javën e 9 të kampionatit.