Zbardhet projektligji për faljen e gjobave, parashikohet edhe lehtësimi i procedurave dhe ulje e tarifave vendore
Projektligji i sjellë nga Partia Socialiste për faljen e gjobave të ndërtimeve pa leje në zonat rurale shkaktoi debate të ashpra në seancën plenare të së enjtes, për faktin se do të shqyrtohej me procedurë të përshpejtuar.
Por, përveç faljes së gjobave për periudhën 1 janar 2015-30 nëntor 2024, projektligji përcakton edhe disa objektiva të tjerë.
Sipas relacionit të depozituar në Kuvend nga grupi i punës së deputetëve të Partisë Socialiste, së bashku me anulimin e masave administrative të papaguara për periudhën në fjalë, projektligji parashikon edhe lehtësimin e procedurave dhe dokumentacionit për një tipologji të caktuar ndërtimesh, që janë të domosdoshme për zonat rurale, sidomos përmirësimi i shtëpive të banimit, si dhe objektet që janë në shërbim të veprimtarisë bujqësore.
Gjithashtu, projektligji propozon edhe rishikimin e tarifave dhe taksave nga ana e pushtetit vendor, për të ulur kostot për banorët e zonave rurale.
Për realizimin e këtyre tre objektivave deputetët propozojnë që të ketë një ndarje të qartë mes tipologjisë së ndërtimit.
Në grupin e parë të objekteve bëjnë pjesë, ndërhyrjet në shtëpi banimi në zona rurale, zgjerim banese pa prishur strukturën bazë pavarësisht nga sipërfaqja. Në grupin e dytë të objekteve janë ndërhyrjet në stalla, serra, ambiente dhe magazina që nuk janë për qëllim banimi, por për pika grumbullimi, aktivitet bujqësor apo blegtoral.
Për te dy grupet e objekteve, grupi i punës ka bërë edhe propozimet për ndryshime në dy aktet nënligjore; në VKM 408/2015 “Për miratimin e Rregullores së Zhvillimit të Territorit” dhe VKM Nr. 283, datë 1.4.2015 për përcaktimin e tipave, rregullave, kritereve dhe procedurave për ndërtimin e objekteve për prodhimin, ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale, në tokë bujqësore, e ndryshuar”.
SCAN TV
Burimi