“The Economist”: Rënia e kostove dhe përgjithësimi i standardit të bukurisë po nxisin kirurgjinë plastike

“The Economist”: Rënia e kostove dhe përgjithësimi i standardit të bukurisë po nxisin kirurgjinë plastike

Klientët e rinj në vendet në zhvillim kanë nxitur lulëzimin e kirurgjisë plastike. Rënia e kostove dhe përgjithësimi i standardit të bukurisë po nxisin zakone të reja, shkruan The Economist
Ashtu si shumë libanezë të tjerë që banojnë në periferi të Bostonit, Peter Makhlouf shkon çdo verë në Bejrut për të vizituar familjen. Kohët e fundit, ky udhëtim vjetor ka një qëllim shtesë.

“Gratë filluan të shkonin për të bërë ndërhyrje kozmetike”, thotë ai. Në fillim bënin thjesht ndryshime të vogla, si fryrje buzësh ose zbardhje dhëmbësh.
Pastaj filluan me ngritjen e mollëzave, operacionet e hundës “e kështu me radhë”. Pelegrinazhi plastik është bërë aq i zakonshëm sa Makhlouf, një 29-vjeçar, thotë se nuk njeh më “askënd që nuk ka bërë operacione plastike”.
Ai nuk është i vetëm. Ndërhyrjet kozmetike janë bërë më të lira, më pak invazive dhe shumë më të zakonshme në vitet e fundit, në shtetet me të ardhura mesatare dhe në ato të pasura.
Rreth një e pesta e njerëzve në vende si Brazili dhe Kina, thonë se planifikojnë të bëjnë trajtime si injeksione kundër rrudhave në pesë vitet e ardhshme.
Të rinjtë janë veçanërisht të interesuar. Biznesi i “estetikës mjekësore” tashmë është një industri 82 miliardë dollarëshe dhe pritet të dyfishohet në madhësi gjatë pesë viteve të ardhshme, duke arritur në 143 miliardë dollarë, sipas parashikimeve nga kompania amerikane Grand View Research.
Ndërsa ndërhyrjet kozmetike po bëhen gjithnjë e më të zakonshme, injektimi, lazeri ose operimi mund të bëhen ndërhyrje “të ngjashme me kontrollin mjekësor vjetor”, thotë Marcelo Araújo, kirurg plastik në Brazil.
Ndërhyrje të tilla janë tashmë aq të zakonshme mes të rinjve, saqë ata kanë krijuar zhargone për to, si “rregullime” ose “mirëmbajtje”.
Tiffany Demers, themeluesja e një aplikacioni të quajtur Upkeep, ku të rinjtë mund të rezervojnë online injeksione kozmetike, thotë se 18-vjeçarët “nuk e kuptojnë se kjo gjë dikur ishte një tabu”. Sot “është njësoj si të blesh një buzëkuq ose produkt kozmetik”.
Imazhi i vetesPopullariteti i ndërhyrjeve kozmetike është rritur edhe nga pandemia. Njerëzit kalonin orë të tëra duke vështruar fytyrën e tyre, ose të kolegëve në ekranin e kompjuterit, gjatë video-konferencave online në programin Zoom.
Dhe ashtu si një pasqyrë e vendosur në një kënd jo të këndshëm, kamera e Zoom nxjerr në pah së tepërmi faqet e varura, ballin e rrudhosur apo qafën me rrudha. Kështu, me paratë e kursyera nga karantinat dhe duke dashur të rifitojnë kohën e humbur gjatë distancimit social, shumë njerëz vendosën të kryejnë operacione plastike.
Në Amerikë, në vitin 2021, katër të pestat e kirurgëve plastikë të fytyrës raportuan se në klinikën e tyre ishte rritur numri i pacientëve që kërkonin posaçërisht ndërhyrje për të përmirësuar pamjen e fytyrës në video-konferencat e punës. Kështu, biznesi i operacioneve plastike u rrit.
Sipas Shoqatës Ndërkombëtare të Kirurgjisë Estetike Plastike (ISAPS) numri i ndërhyrjeve kozmetike të kryera në të gjithë botën, duke përfshirë trajtimet joinvazive si injeksionet mbushëse, u rrit nga 25 milionë në vitin 2019, në 35 milionë në vitin 2023.
Shifrat e vërteta në fakt janë shumë më të larta se kaq, pasi ISAPS anketon vetëm kirurgët plastikë të certifikuar. Por për shembull, në Iran, ku operacionet e hundës janë shumë të zakonshme, ka vetëm rreth 400 kirurgë plastikë të certifikuar dhe rreth 2000 mjekë të pacertifikuar që mundësojnë ndërhyrje estetike.
Në Kinë, kjo industri u dyfishua midis viteve 2021 dhe 2025, dhe pritet të dyfishohet sërish deri në vitin 2030. Sipas ekspertëve të industrisë, atje ka gjashtë herë më shumë klinika të kirurgjisë plastike të palicencuara, sesa të licencuara.
Një studim i fundit i kryer nga David Zargaran dhe të tjerë në University College London zbuloi se në Britani, mbi dy të tretat e njerëzve që mundësojnë injeksione kundër rrudhave ose injeksione mbushëse, nuk janë mjekë.
“Bumi i Zoom” ka kohë që po zhvillohet. Kur kirurgjia estetike filloi në vitet 1980 dhe 1990, ajo ishte më tepër një privilegj i yjeve të televizionit. Rënia e kostove dhe teknologjia e kanë përhapur kudo.
“Në epokën e mediave sociale, të gjithë, edhe unë, edhe ju, edhe miqtë dhe fqinjët tanë, duhet të përballemi me një publik”, thotë Lara Devgan, një kirurge plastike në Nju Jork.
Pacientët shpesh sjellin me vete në klinikë një foto të tyre të manipuluar përmes filtrave të Instagram-it ose aplikacioneve si Facetune, një mjet për ndryshimin e tipareve të fytyrës, dhe u kërkojnë mjekëve që t’u japin atë pamje.
“Ju ndërtoni një version shumë më të mirë të vetes në mediat sociale: postoni selfie të shkrepura në këndin e duhur të dritës, keni një makijazh të përsosur, keni vendosur filtra në foto”, thotë Chang Chia-jung, një tajvanez.
“Ju dëshironi të bëheni versioni i vetes që shihni në aplikacionet online”. So-Young mundëson një aplikacion ku përdoruesit mund të paraqesin një foto të tyre dhe aplikacioni i këshillon se çfarë operacionesh plastike mund të bëjnë për të arritur fytyra më simetrike. Më pas i tregon se ku ka kirurgë plastikë të certifikuar në zonën e tyre.
ModeletNjë nga femrat më të njohura në botë për popullarizimin e operacioneve plastike, është Kim Kardashian, një yll i televizionit. Një dekadë më parë, trupi i lakuar i zonjës Kardashian u bë një standard bukurie në Perëndim. Nisi një epokë kur buzët dhe të pasmet fryheshin në mënyrë të panatyrshme.
Ndërmjet viteve 2015 dhe 2023, ndërhyrjet plastike me rritjen më të lartë në botë ishin rritja dhe ngritja e vitheve. Edhe pse është një operim mjaft i rrezikshëm është rritur kërkesa për “Brazilian butt lift”, që përfshin marrjen e dhjamit nga një pjesë e trupit dhe futjen në vithe për zmadhimin e tyre.
Por epoka e vitheve të ekzagjeruara mund të jetë drejt fundit. “Tani jemi në epokën e Ozempic dhe “bukurisë natyrale, ku çdo gjë duhet të duket si natyrale, por nuk është”, thotë Vera Pizzo, një braziliane 22-vjeçare që ka bërë disa ndërhyrje.
Ozempic, një ilaç për diabetin që përdoret edhe për humbje peshe, ka dobësuar shumë trupa që parakalojnë në tapetin e kuq. Vetë zonja Kardashian ka humbur shumë peshë në vitet e fundit.
Në vitin 2023, kërkesa për heqjen e implantit të gjirit në Amerikë u rrit gati pesë herë më shumë se kërkesa për zmadhimin e gjirit (edhe pse mbetet më e ulët në total).
Disa nga ato që kanë humbur peshë shpejt, duan gjoks më të vogël për ta përshtatur me fizikun më të dobët dhe për të përdorur sutiena të ngushta sportive.
“Është ulur dëshira për zmadhimin e gjoksit në këto vitet e fundit”, thotë Lisa Cassileth, kirurge plastike në Los Anxhelos. Nga ana tjetër, është rritur kërkesa për tendosjen e lëkurës së barkut pasi pacientët me Ozempic kanë mbetur me lëkurë të varur nga humbja e shpejtë e peshës.
Fakti që lavjerrësi tashmë po rikthehet drejt trupit të hollë, tregon se standardet e bukurisë po ndryshojnë më shpejt se në të kaluarën. “Duhej pak kohë për të përhapur standardet e reja të bukurisë nëpërmjet reklamave dhe revistave”, thotë Dr Araújo. Por tani me mediat sociale, “sapo shfaqet një standard i ri, ai mund të përhapet menjëherë në të gjithë botën”.
Zonja Pizzo ankohet se ndjekja e standardeve të bukurisë së familjes Kardashian po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë. “Shpenzojmë shuma të mëdha parash dhe çdo disa vjet duhet të ndryshojmë pamjen”, psherëtin ajo.
NdryshimetNdryshimet më të shpejta të kërkesave të konsumatorëve po nxisin risinë e produkteve që mundësohen. Për shembull, injeksionet e reja kundër rrudhave mund të nxjerrin jashtë tregut Botox-in, i cili ka mbizotëruar tregun për aq kohë sa është bërë sinonim i heqjes së rrudhave.
Revance, firma që prodhon Daxxify, një injeksion rival kundër rrudhave, pretendon se efektet e tij zgjasin gati dy herë më gjatë se ato të Botox-it. Shitjet e këtij injeksioni janë rritur që kur ai u miratua nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave, në fund të vitit 2022.
Mbushësit me acid hialuronik po humbasin terren ndaj mbushësve të tjerë të lëkurës dhe trajtimeve të reja që përdorin indet e trupit, qelizat dhe trombocitet e gjakut (madje në disa raste, spermën e salmonit), për të mbushur lëkurën.
Po bëhen më popullore edhe “pajisjet me energji” që përdorin radiofrekuencë dhe ultratinguj për të shënjestruar dhjamin dhe për të ndrequr problemet e lëkurës. Këto për shembull, mund të ngrijnë yndyrën pa pasur nevojë për të bërë liposuksion të dhimbshëm dhe të kushtueshëm.
E gjithë kjo është mjaft premtuese për estetistët. Industria në përgjithësi është e qëndrueshme edhe ndaj recensionit.
Gjatë krizës financiare të viteve 2007-09, shitjet e injektimeve estetike u tkurrën me vetëm 2% në nivel global dhe çmimet e aksioneve të firmave të kësaj industrie, ranë mesatarisht me më pak se 20%, edhe pse treguesi S&P 500 u përgjysmua.
Në Argjentinë dhe Iran janë rritur ndërhyrjet estetike pavarësisht kushteve të vështira ekonomike në të dy vendet. Vetëm 7% e amerikanëve që bëjnë ndërhyrje estetike thonë se do t’i ndalnin trajtimet gjatë një recensioni. Shumica thjesht do të zgjidhnin mundësi më të lira.
Grupi i klientëve pritet gjithashtu të zgjerohet. Në vitin 2021, firma këshillimore McKinsey anketoi 10,000 konsumatorë në tregjet kryesore të estetikës në botë dhe zbuloi se brenda pesë viteve të ardhshme, 15-20% e të anketuarve synonin të përdornin injeksione kundër rrudhave ose mbushës dermalë.
Këta njerëz janë kryesisht të grupmoshës 20 deri në 50 vjeç, dhe fitojnë rreth 50,000 deri në 100,000 dollarë në vit. Firma McKinsey mendon se rreth një e treta e tyre do t’i bëjnë me të vërtetë ndërhyrjet estetike
Të gjithë njësojÇmimet më të ulëta vijnë pjesërisht nga modelet e reja të biznesit me kosto më të ulët. Trajtimet joinvazive më parë kryheshin nga kirurgët plastikë ose dermatologët nëpër klinika.
Por grupet e kapitalit privat dhe kapitalistët e sipërmarrjes tashmë kanë investuar në qendra bukurie dhe ushtri të tëra infermierësh ofrojnë injeksione për klientët. Në Amerikë, investimet e kapitalit privat në estetikën mjekësore u rritën me 30% në vit në periudhën 2019-2021.
Zinxhirët e “qendrave estetike-mjekësore” të mbështetur nga investitorët janë përhapur edhe në Brazil dhe Kinë. Këta shpesh bashkëpunojnë me influencues dixhitalë dhe u japin atyre trajtime falas në këmbim të një reklamimi për klinikën, thotë Sonya Esman, me seli në Los Anxhelos.
Falë risive të tilla, Shoqata Amerikane e Kirurgëve Plastikë (ASPS) llogarit se çmimet mesatare për injeksionet e acidit hialuronik, ranë me 79 dollarë në vitin 2023 (në 715 dollarë) dhe për Botox-in ranë me 93 dollarë (në 435 dollarë). Shitjet janë rritur me shpejtësi
Nga ana tjetër, gjithnjë e më shumë njerëz po udhëtojnë jashtë shtetit për të bërë ndërhyrje estetike.
Numri i të huajve që shkuan në Turqi për vizita mjekësore kryesisht për kirurgji plastike është rritur jashtëzakonisht, nga 300,000 në vitin 2013, në më shumë se 1.5 milionë vitin e kaluar.
Vendi është bërë aq popullor për transplantin e flokëve, saqë kompania kombëtare ajrore turke nganjëherë quhet Turkish Hairlines. Arsyeja kryesore është çmimi më i lirë.
Në Turqi, një transplant flokësh kushton mesatarisht 2,500 dollarë, krahasuar me 4,000 deri në 12,000 dollarë në Britani. Në Brazil, një operacion i hundës kushton rreth 2,000 dollarë, ndërsa në Amerikë, 7,600 dollarë.
Falë rënies së çmimeve, trajtimet kozmetike po bëhen gjithnjë e më të zakonshme. Plástica para Todos (Plastikë për të gjithë), një zinxhir brazilian i kirurgjisë plastike, i themeluar në vitin 2017, shënjestron punëtorët me të ardhura të ulëta. Pacientët mund të paguajnë operacionet në 100 këste.
Kompania nxjerr reklama në Instagram ku mburret se operacioni plastik mund të jetë më i lirë se blerja e një iPhone. Në Argjentinë, një nga ofruesit më të mëdhenj të sigurimeve shëndetësore, mundëson një plan që përfshin një operacion plastik në vit.
Të rinjtë i kanë përqafuar ndryshimet e reja, që i kanë bërë operacionet plastike më të lira. Rreth dy të tretat e 20 milionë njerëzve që rezervuan trajtime kozmetike në vitin 2018 në aplikacionin kinez So-Young kanë lindur pas vitit 1990.
Në të njëjtën mënyrë, 27% e pacientëve amerikanë që merrnin Botox në vitin 2022, ishin 34 vjeç ose më të rinj, krahasuar me një të pestën në vitin 2015 (duan t’i parandalojnë rrudhat përpara se të krijohen).
Në Korenë e Jugut, një sondazh nga Gallup zbuloi se një e katërta e grave koreane në të 20-at, kishin bërë operacione plastike në vitin 2020, krahasuar me 5% në vitin 1994.
Vendi mban rekord për nivelin e operacioneve plastike për person. Edhe meshkujt po kryejnë gjithnjë e më shumë ndërhyrje: ata përbënin vetëm 10% të tregut global për injeksione kundër rrudhave në vitin 2018, por 15% në vitin 2021.
Një nga anët negative të popullaritetit të industrisë së ndërhyrjeve plastike është numri i sharlatanëve që ajo tërheq.
“Njerëz që nuk janë të trajnuar po japin këshilla për trupin e njeriut”, ankohet Juvenal Frizzo, një kirurg plastik në São Paulo. Dr. Frizzo dhe kirurgë të tjerë plastikë të intervistuar nga gazeta The Economist, thonë se gjithnjë e më shumë pacientë po kërkojnë ndihmë me trajtimet e gabuara.
Këto mund të shkaktojnë shpërfytyrime, si fytyra të fryra shumë, ose në raste të skajshme, lënda mbushëse e injektuar mund të migrojë në sy ose në vena, duke shkaktuar verbim, sepsis ose nekrozë të lëkurës.
Operacionet plastike janë edhe më të rrezikshme. Që nga viti 2019, të paktën 29 pacientë britanikë kanë vdekur në Turqi në operacione estetike të dështuara.
Ndër shtetet e pasura, Britania shquhet për ligjet e dobëta rregullatore ndaj kësaj industrie. Në Amerikë, vetëm mjekët, dentistët ose infermierët mund të kryejnë injeksione, ndërsa në Britani nuk ka asnjë ligj kombëtar që përcakton ndonjë kualifikim të veçantë për këtë procedurë.
Shumë praktikues bëjnë kurse të shkurtra në internet përpara se të fillojnë të trajtojnë klientët, shpesh nëpër mjedise të palicencuara ose të papajisura për procedura mjekësore.
Në shtator, një grua britanike vdiq pasi kreu një ndërhyrje jokirurgjikale për zmadhimin e të pasmeve (ku në vithe injektohet lëndë mbushëse), në shtëpinë e një estetisti.
Disa procedura janë të skajshme në mënyra të tjera. Chelsea, një njujorkeze 37-vjeçare, shpenzon mbi 30,000 dollarë në vit për injeksione. Por pjesa më e madhe e këtyre injektimeve nuk shkon në fytyrë. “Gjithçka që e bëj në fytyrë, si botox, filler apo çfarëdo gjëje tjetër, e bëj edhe në vaginë.
Por është aq e dhimbshme sa duhet të marrësh anestezi qetësuese”. Ajo është një nga 130,000 personat që ndjekin në Instagram një kirurg plastik, të cilin ajo e quan “the vagina whisperer”. “Meqë ra fjala, ka një mjek tjetër që merret me modelimin e të pasmeve të meshkujve”, shton ajo.
Falë mediave sociale, kirurgët plastikë mund të reklamojnë specializimet e tyre në internet.
“Kur unë nisa praktikën, kirurgët plastikë nuk bënin reklama të tilla”, thotë Gregory Mueller, në një klinikë në Los Anxhelos që ka funksionuar që nga viti 1998.
Shoqatat e industrisë së kirurgjisë plastike i këshillonin anëtarët që të mos reklamonin veten nëpër gazeta apo revista dhe të mos shfaqeshin në televizion, nga frika se kjo mund të cenonte besueshmërinë e tyre profesionale.
Sot, disa mjekë janë bërë të famshëm duke tërhequr miliona ndjekës në TikTok dhe Instagram, ku tregojnë fotot para dhe pas të pacientëve, për të joshur klientë të rinj. Disa madje transmetojnë drejtpërdrejt edhe operacionet plastike.
Mediat sociale po nxisin edhe përgjithësimin e idealit të bukurisë në mbarë botën. Doktoreshë Devgan thotë se pacientët e saj kanë një “standard bukurie të përzier” me “vetulla më të plota si gratë e Azisë Jugore”, “buzë më të plota si gratë në Afrikën Nënsahariane” dhe “sy të tërhequr lart, si aziatiket lindore”.
Në Perëndim, modelet dhe njerëzit e famshëm kanë ndikuar me pamjen e tyre në rritjen e kërkesës për ndërhyrje plastike të llojit “fox-eye” (sy si dhelpër), ku vendosen fije në cepat e syve për t’i tërhequr ato lart. Nga ana tjetër, është bërë popullore edhe ngritja e të pasmeve që u huazua nga Brazili.
Gangnam, një lagje elegante në kryeqytetin Seul, të Koresë së Jugut, mund të konkurrojë me Beverly Hills për çmimin e klinikave të kirurgjisë plastike.
Rreth 400 prej tyre janë grumbulluar në 37 km2. Ky vend është kthyer në një rival të Los Anxhelosit, gjë që pasqyron globalizimin e industrisë së bukurisë.
Në Azinë Lindore, ndërhyrja plastike më popullore është krijimi i dy qepallave të dukshme të syve, që fillimisht lindi atje nga dëshira për t’u dukur më perëndimore, thotë Tanimoto Naho, një sociolog në Universitetin Kansai në Japoni. Sot, gratë japoneze dhe kineze janë frymëzuar nga Koreja e Jugut, falë popullaritetit të filmave koreanë dhe muzikës pop.
Yjet e K-pop-it duhet të kenë një pamje “që reflekton pafajësinë dhe rininë, ndërsa pjekuria shihet si diçka e keqe”, thotë Leem So-yeon nga Universiteti Dong-A në Busan.
Një fytyrë e përsosur ka formë V-je, sy gjigantë si ato të personazheve vizatimore dhe një hundë të vogël. Inuma Motoko, një blogere japoneze 33-vjeçare, e bëri operacionin e parë plastik gjatë pandemisë.
Ajo kontaktoi një agjenci të turizmit mjekësor në Korenë e Jugut dhe udhëtoi për në Seul.
Gjatë qëndrimit atje, ka bërë një operacion plastik për rruajtjen e kockave, ku kocka e nofullës pritet për të krijuar një nofull më të mprehtë. Gjithashtu, i është prerë cepi i syve për t’i bërë ata të duken më të gjerë.
Një ndikim i gjerëShumë njerëz kryejnë ndërhyrje të tilla të frikshme, sepse besojnë se nëse shihen si tërheqës, do të rrisin perspektivat për karrierë dhe martesë. Jin Hong-ryul, një kirurg plastik në Seul, thotë se periudha më e ngarkuar e vitit është në muajin nëntor, pas provimeve pranuese në universitet, kur shumë prindër i shpërblejnë fëmijët duke paguar operacione plastike.
CV-të në Korenë e Jugut zakonisht përfshijnë fotografinë e fytyrës. Shumë prindër besojnë se “për të qenë i suksesshëm, duhet të jesh tërheqës”, thotë zoti Jin. Trysnia është edhe më e madhe për modelet dhe influencuesit, të ardhurat e të cilëve varen nga numri i pëlqimeve në postime.
Edhe personat, karriera e të cilëve nuk varet nga pamja, mund të ndiejnë trysni për ta përmirësuar pamjen. Në një studim të vitit 1993, Daniel Hamermesh në Universitetin e Teksasit dhe Jeff Biddle në Universitetin Shtetëror Michigan, zbuluan se punonjësit “me pamje mediokër” fitojnë 5-10% më pak se punonjësit “e pashëm” me punë të ngjashme.
Për shembull, kamarieret e bukura marrin bakshishe më të larta dhe firmat e reklamave me shefa më të paraqitshëm, fitojnë kontrata më fitimprurëse.
Ndoshta kjo nuk ndodh thjesht prej cektësisë së shefave apo klientëve: njerëzit që konsiderohen të bukur, mund të fitojnë më shumë edhe sepse janë më të sigurt në vetvete.
Për sa kohë që do të ekzistojë privilegji i bukurisë, do të ketë edhe tundim për ta arritur atë. Zonja Chang e përmbledh shkurt problemin: “Kirurgjia plastike është problematike, sepse nëse fillon, nuk pushon dot më”. Kjo e mban biznesin përgjithmonë në lojë.
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente