Sulmuesi në tregun e Krishtlindjeve në Gjermani mbetet në paraburgim

Sulmuesi në tregun e Krishtlindjeve në Gjermani mbetet në paraburgim

Një burrë i akuzuar për vrasjen e katër grave dhe një djali nëntë vjeçar duke i goditur me veturë në një treg Krishtlindjesh në qytetin gjerman të Magdeburgut, është lënë në paraburgim.
50-vjeçari u soll para gjykatës të shtunën në mbrëmje pas incidentit të së premtes, kur një veturë BMW e zezë kaloi nëpër tregun e mbushur me njerëz duke lënduar më shumë se 200 njerëz.

Policia e Magdeburgut tha se hetimet po vazhdojnë dhe oficerët po bëjnë apel që dëshmitarët të dërgojnë foto ose video të incidentit, transmeton Telegrafi.

I dyshuari është përmendur në mediat lokale si Taleb al-Abdulmohsen, një shtetas saudit 50-vjeçar i cili mbërriti në Gjermani në vitin 2006 dhe kishte punuar si mjek.
Të dielën në mëngjes, policia e Magdeburgut konfirmoi se katër gra – të moshës 45, 52, 67 dhe 75 vjeç – u mbytën gjithashtu në incident.
“Gjyqtari ka urdhëruar paraburgim për pesë akuza për vrasje, vrasje të shumëfishtë në tentativë dhe akuza të shumta për lëndime të rrezikshme trupore”, thuhet në deklaratë.
Zyrtarët e qytetit thanë se rreth 100 policë, mjekë dhe zjarrfikës, si dhe 50 anëtarë të shpëtimit, shkuan në vendngjarje pak pas orës 19:00 të premten.
Dëshmitarët përshkruan se si u desh të hidheshin nga rruga gjatë sulmit.
Në një intervistë me gazetën gjermane Bild, një grua e quajtur Nadine përshkroi se ishte në tregun e Krishtlindjeve me të dashurin e saj Marco, kur vetura erdhi me shpejtësi drejt tyre.
“Ai u godit dhe u tërhoq nga ana ime. Ishte e tmerrshme”, tha 32-vjeçari për gazetën.
Lars Frohmüller, një reporter për transmetuesin publik gjerman MDR, tha për programin World Tonight të BBC Radio 4, se ai pa “gjak në dysheme” si dhe “shumë mjekë që përpiqeshin t’i mbanin njerëzit ngrohtë dhe t’i ndihmonin me lëndimet e tyre”.
Një ceremoni përkujtimore për viktimat e sulmit, u mbajt në katedralen e Magdeburgut të shtunën në mbrëmje
Ceremonia u ndoq nga familjet e viktimave, punonjës të urgjencës dhe zyrtarë të qeverisë federale, përfshirë kancelarin gjerman Olaf Scholz.
Gjatë një vizite në treg më herët të shtunën, Scholz e përshkroi sulmin si një “tragjedi të tmerrshme” pasi “kaq shumë njerëz u plagosën dhe u vranë me një brutalitet të tillë” në një vend që supozohet të jetë “plot gëzim”. /Telegrafi/
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente