Sot 166 vite më parë u lind Giacomo Puccini, kompozitori i “La bohème” dhe “Tosca
Kompozitori italian Giacomo Puccini, i njohur për operat e tij si “La bohème” dhe “Tosca”, u lind këtë ditë 166 vjet më parë. Gëzuar ditëlindjen Puccini!
Giacomo Puccini u lind më 22 dhjetor 1858 në Toskana, Itali dhe vdiq më 29 nëntor 1924 në Bruksel, Belgjikë.
Ai ishte një kompozitor italian, një nga eksponentët më të mëdhenj të realizmit operistik, i cili praktikisht, i dha fund historisë së operës italiane.
Operat e tij përfshinin “La Bohème” (1896), “Tosca” (1900), “Madama Butterfly” (1904) dhe “Turandot” (e mbetur e papërfunduar).
Puccini ishte pasardhësi i fundit i një familjeje që për dy shekuj kishte siguruar drejtorët muzikorë të Katedrales së San Martinos, në Lucca.
Fillimisht, ai studioi muzikë me dy nga ish-nxënësit e babait të tij dhe luajti organo në kisha të vogla lokale.
Një shfaqje e Giuseppe Verdi “Aida”, të cilën ai e pa në Piza në 1876, e bindi atë se vokacioni i tij i vërtetë ishte opera.
Në vjeshtën e vitit 1880 ai shkoi për të studiuar në Konservatorin e Milanos, ku mësuesit e tij kryesorë ishin Antonio Bazzini, një violinist dhe kompozitor i famshëm, dhe Amilcare Ponchielli, kompozitori i operës “La gioconda”.
Më 16 korrik 1883, ai mori diplomën dhe paraqiti si kompozim diplomimi “Capriccio sinfonico”, një vepër instrumentale që tërhoqi vëmendjen e qarqeve muzikore me ndikim në Milano.
Në të njëjtin vit, ai hyri në konkurs me veprën e tij “Le villi”.
Premiera e tij pati sukses të jashtëzakonshëm në Teatrin Verme të Milanos më 31 maj 1884.
“Le villi” u shqua për fuqinë dramatike dhe melodinë e saj operistike.
Në operat “Bohème”, “Tosca” dhe “Butterfly”, Puccini bashkëpunoi me entuziazëm me shkrimtarët Giuseppe Giacosa dhe Luigi Illica.
Premiera e “La fanciulla del west” u zhvillua në Metropolitan në qytetin e Nju Jorkut më 10 dhjetor 1910, me dirigjimin e Arturo Toscanini. Ishte një triumf i madh për Puccini.
Gjithmonë i interesuar për kompozimet operistike bashkëkohore, Puccini studioi veprat e Claude Debussy, Richard Strauss, Arnold Schoenberg dhe Igor Stravinsky.
Nga ky studim dolën operat “Il trittico” (The Triptych; New York City, 1918), tre opera stilistikisht individuale me një akt – melodramatikja “Il tabarro” (The Cloak), sentimentalja “Suor Angelica” dhe komikja “Gianni Schicchi”.
Opera e tij e fundit, e bazuar në fabulën “Turandot”, siç tregohet në dramën “Turandot” nga dramaturgu italian i shekullit të 18-të, Carlo Gozzi, është opera e vetme italiane në stilin impresionist.
Puccini nuk arriti të përfundonte operën me tre akte “Turandot”, i paaftë për të shkruar një duet madhështor të fundit për dashurinë triumfuese midis Turandot dhe Calaf.
Ai vuante nga kanceri në fyt dhe iu nënshtrua një operacioni në Bruksel – i cili nuk dha rezultat – duke çuar në vdekjen e tij.
“Turandot” u shfaq pas vdekjes se tij në “La Scala” më 25 prill 1926 dhe Arturo Toscanini, i cili drejtoi shfaqjen, e përfundoi operën në pikën ku Puccini kishte arritur para se të vdiste.
Dy skenat e fundit u përfunduan nga Franco Alfano duke u bazuar në skicat e Puccini. //a.i/ ATSH
Burimi