“Side by side” si rrëfim poetik për jetën, dashurinë e vdekjen
Njësoj sikurse transformimi i hapësirës, sopranoja Besa Llugiqi e pianisti Misbah Kaçamaku kanë zbërthyer me tis elegance botët e kundërta të Schumannit dhe Sraussit, por që të përbashkët kanë poezinë e bukur dhe muzikën e jashtëzakonshme. Janë vepra që i japin peshë fjalës, me tregimet për jetën dashurinë dhe vdekjen. Koncerti ka qenë si një rrëfim poetikSopranoja Besa Llugiqi e pianisti Misbah Kaçamaku kanë qenë dueti i koncertit “Side by side”. Vepra që flasin për dashuritë që kanë përfundim tragjik në njërën anë e ato që flasin edhe për natyrën, humbjen e vdekjen, e ndërtojnë programin me vepra të bukura që bazën e kanë te poezia gjermane. Në këtë mes, tingujt solo të pianos në veprën e Mozartit e ilustrojnë natyrën e errtë të temës së koncertit.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës jo rrallë është një prej hapësirave ku organizohen ngjarjet kulturore. Të premten mbrëma enterieri i hollit të objektit ka qenë me imazh më ndryshe. Pjesa qendrore e saj e shkallëzuar në formë harkore është rrethuar me perde të zeza që vishen me ngjyrat e dritave të kaltra. Qirinj të ndezur e trëndafila të bardhë me objekte të vogla në formë kubesh janë vendosur anash hapësirës ku ka qenë e vendosur pianoja.
Sopranoja Llugiqi e pianisti Kaçamaku me elegancë janë shfaqur në skenë. Në pjesën e parë ka interpretuar ciklin e këngëve “Frauenliebe und leben, op.42” të gjermanit Robert Schumann. Në fillim është thellësisht emocionale, e një shkëputje e shkurtër e rikthen atë me një fije humoreske. Në përgjithësi ato janë thellësisht emocionale e serioze. Fillimisht janë edhe harmonike me një dozë e më pas transformohet në një lloj elegjie, deri në atë pikë sa solistja përçon rrëfimin e personazhit që humbet forcën, zërin.
“Pjesa e parë e tregon një ngjarje nëpërmjet një cikli të tetë këngëve, dashurinë dhe jetën e gruas. Shtjellon mënyrën se si ajo dashurohet, martohet, lind fëmijë dhe në fund i vdes i dashuri. Përfundon tragjikisht por ka një përmbajtje të jashtëzakonshme. Ka shumë art në të”, ka thënë sopranoja Llugiqi në fund të koncertit.Vepra edhe sipas emërtimit bën të ditur se flet për dashurinë dhe jetën e një gruaje. Përfshin një cikël poezish të përshtatura në këngë. Bëhet e ditur se ato janë të shkruara nga poeti e shkrimtari gjerman, Adelbert von Chamisso në vitin 1830.
“Ato përshkruajnë rrjedhën e dashurisë së një gruaje për burrin e saj, nga këndvështrimi i saj, nga takimi i parë deri në martesë deri në vdekjen e tij dhe më pas. Përzgjedhjet u muzikuan si një cikël këngësh nga mjeshtrit e ‘German Lied’, përkatësisht Carl Loewe, Franz Lachner dhe Robert Schumann”, shpjegohet për këtë vepër.
Në pjesën e dytë të programit dyshja ka interpretuar gjashtë këngë të kompozitorit gjerman, Richard Strauss. E ka nisur me “Morgen op.27 nr.4” pasuar nga “Ach liebe ich muss nun op.21, nr.3” e “Allerseelen op.10, nr.8”. Janë kryesisht melankolike, të ndjeshme, thellësisht emocionale.Zëri i sopranos Besa Llugiqi kumbon në interpretimin e “Mein hertz ist stumm op.19, nr.6”. Në radhë, “All mein gedanken op.21, nr.1” është pjesë e shkurtër por tejet atraktive. Sjell një temë të lumtur për të kapërcyer në zymtësi me “Zueugnung op.10, nr.1”, që është pjesa përmbyllëse.
Sopranoja Llugiqi ka thënë se secila prej këtyre pjesëve ka rrëfimin përkatës të veçantë.
“Pjesa e dytë, janë tregime të shkurtra në një a dy minuta, por secila flet për jetën, për vdekjen, natyrën, humbjen e për dashurinë. Në të dyja versionet është sfiduese për këngëtarin, por që është edhe një super-kënaqësi të interpretosh sepse është një muzikë e mrekullueshme dhe e gërshetuar shumë mirë me poezinë që në fakt duhet më shumë t’i japësh rëndësi fjalës, duke e ngjyrosur me muzikë dhe kjo e bën shumë unik këtë program”, ka thënë Llugiqi.
Në përgjithësi programin e ka vlerësuar të vështirë stilistikisht ndërsa dy pjesët e repertorit si krejtësisht të ndryshëm midis tyre.
“Programi është mjaft impenjativ, është i vështirë stilistikisht. Janë dy botë të kundërta, Schumann dhe Srauss, por që kanë një të përbashkët: poezinë e bukur në to dhe muzikën e jashtëzakonshme, secili në mënyrën e vet”, ka thënë ajo.
Ka treguar se ka zgjedhur ato që njihen si “lied” duke u fokusuar më shumë në përmbajtjen e tekstit.
“Muzika është gjithmonë në shërbim të tekstit. Në ‘lied’ kjo është kryesorja çfarë një kompozitor bën, ndoshta kanë tingëlluar pak më të dhimbshme, por që këto kanë qenë ato që kemi përzgjedhur. Jo pse kjo përshtatet apo jo me mua. Thjesht jemi munduar të përzgjedhim një program që do t’i shkonte kësaj atmosfere”, ka thënë sopranoja e shquar, Besa Llugiqi.
Ndarjen e dy pjesëve e ka bërë pianisti i njohur Misbah Kaçamaku. Ka luajtur pjesën për piano solo “Fantasie në e-mol KV 396” të Mozartit. Është një prej pjesëve më të njohura për piano edhe pse vepra u përfundua nga dikush tjetër.
Kaçamaku ka thënë se vepra shkonte me konceptin e koncertit dhe me atë që e quan si temë e zymtë e komplet ngjarjes.
“Kjo vepër është gjetur pasi ka vdekur Mozarti, por ka qenë si një lloj skice. Realisht e kam marrë këtë vepër pasi vetëm pjesën e parë e ka shkruar Mozart dhe ka qenë e planifikuar për violinë, sonatë dhe piano. Pjesën e mesme dhe përfundimin e ka bërë dikush tjetër. Ka mundur të vërehet dallimi midis pjesës së parë dhe dy të tjerave. Ka qenë ideja e integrimit të publikut pasi besoj se shumica nuk e di prejardhjen e veprës dhe më është dukur se vijnë me atë mendim se është Mozart, por në të vërtetë dëgjojnë krejt diçka tjetër. Kjo ka qenë ideja e përzgjedhjes së veprës”, ka thënë ai.Pjesa ka qenë fillimisht harmonike me tinguj të vendosur shumë pranë njëri-tjetrit e që krahas temës qendrore janë edhe fragmentet e lojës virtuoze.Për programin në përgjithësi, pianisti Misbah Kaçamaku ka thënë se e veçanta ka qenë që të gjitha janë këngë gjermane dhe se një përzgjedhje e tillë ka munguar kaherë.
“E veçanta është që me sa mbaj unë mend, prej pasluftës, kjo është hera e parë që krejt koncerti ka qenë me ‘lied’, në kuptimin që nuk ka pasur arie operistike. Kjo ka qenë interesante. Pjesa e parë ka qenë një cikël nga Schummani nëse mund të themi një serioz ku një vajzë del, takohet, martohet. Te Straussi secila është këngë më vete. Ka qenë përzgjedhja jonë. Të dy janë gjermanë, të dy të vështirë, të dy interesantë”, ka thënë ai derisa ka përmendur edhe bashkëpunimin e gjatë me sopranon Llugiqi.“Me Besën jemi duke punuar bashkë prej tre vjetësh. Mund të them lirisht që jemi dueti i vetëm që ka konsistencë në bashkëpunim, pavarësisht koncerteve, angazhimeve edhe kur kemi pushim, e shfrytëzojmë për të punuar. Njëra prej arsyeve pse besoj se koncerti ka qenë koha e gjatë e bashkëpunimit, pra nuk ka qenë e përbërë shpejt e shpejt për dy javë ditë”, ka thënë ai.
Ky bashkëpunim, sipas Llugiqit, ka bërë që provat të jenë sporadike.
“Kemi filluar shumë herët bashkëpunimin, mund të them që në kohën e pandemisë kur vetëm dy-tre persona mund të takoheshin. E kemi zgjedhur programin ndërsa provat kanë qenë sporadike, jo gjithmonë jemi takuar. Ajo periudhë ka qenë konstante, për shkak edhe të një koncerti tjetër në një festival në Kosovë dhe prej aty ka lindur ideja e një koncerti me ‘lied’, që është shumë e rrallë dhe shumë specifike”, ka thënë Llugiqi.
Rrëfimin e të njëjtit koncert, dyshja e shpalos edhe të dielën në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.
koha.net / Besartë Elshani
Burimi