Shefi i Pentagonit flet në telefon me Ministrin e Mbrojtjes të Rusisë

Shefi i Pentagonit flet në telefon me Ministrin e Mbrojtjes të Rusisë

-Zëri i Amerikës-
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, zhvilloi të martën një bisedë telefonike me Ministrin e Mbrojtjes të Rusisë, Andrei Belousov, lidhur me rëndësinë e mbajtjes hapur të linjave të komunikimit, njoftoi Pentagoni. Ky është komunikimi i parë në më shumë se një vit. Palët ofruan vështrime të ndryshme lidhur me bisedën telefonike.
Zoti Austin e nxiti bisedën telefonike, e para që nga marsi i vitit 2023, tha për shtypin zëdhënësi i Pentagonit, Gjenerali Patrick Ryder.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se zoti Belousov e paralajmëroi Sekretarin Austin për rrezikun e vazhdimit të furnizimit të Ukrainës me armë amerikane në konfliktin 28-mujor me Rusinë.
“Belousov vuri në dukje rrezikun e përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës përmes furnizimit të vazhdueshëm të ushtrisë ukrainase me armë amerikane”, thuhet në deklaratën e ministrisë ruse të postuar në aplikacionin e mesazheve Telegram.
Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, aneksimi i katër prej rajoneve të saj dhe përparimet e ngadalshme në pjesën lindore, i kanë dëmtuar marrëdhëniet e Moskës me Uashingtonin, niveli më i ulët që nga kriza e vendosjes së raketave ruse në Kubë në vitin 1962.
Moska tha gjatë fundjavës se Shtetet e Bashkuara ishin përgjegjëse për një sulm ukrainas në gadishullin e Krimesë, me pesë raketa të furnizuara nga Shtetet e Bashkuara, ku u vranë katër persona.
Furnizimi i Ukrainës me armë amerikane rifilloi në muajin prill pas miratimit nga Kongresi të një pakete ndihme prej 61 miliardë dollarësh. Shtetet e Bashkuara thonë se i mbështesin kërkesat e Ukrainës për tërheqjen e trupave ruse dhe respektimin e kufijve të vendosur pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.
Gjatë bisedës së Sekretarit Austin në vitin 2023 me shefin e atëhershëm të mbrojtjes ruse, Sergei Shoigu, shefi i Pentagonit tha se i kishte komunikuar homologut rus sjelljen e rrezikshme të pilotëve luftarakë rusë që shkaktuan rrëzimin e një droni amerikan në Detin e Zi afër Ukrainës./VOA/
Burimi