Rrjeti ”pushtohet” nga fjalët, liderët botërorë urojnë Presidentin Donald Trump
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, iu bashkua urimeve të shumta të udhëheqësve botërorë për presidentin e ri amerikan, Donald Trump. “Ky shekull është duke u formësuar tani dhe ne duhet të punojmë të gjithë së bashku, për t’u siguruar që ai do të jetë një shekull i madh dhe i suksesshëm për demokracitë”, shkroi ai në X.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani uroi Donald Trumpin pas betimit si president i 47-të i Shteteve të Bashkuara. Përmes një postimi në platformën X, Osmani tha se Kosova është e gatshme të bashkëpunojë me të, me zëvendëspresidentin JD Vance dhe me gjithë administratën e re, “për të forcuar marrëdhëniet tona të posaçme, për të promovuar vlerat tona të përbashkëta të lirisë dhe për të adresuar sfidat e kohës sonë”.
“Kosova do të ketë përjetësisht një ndjenjë të thellë mirënjohjeje për rolin historik që Shtetet e Bashkuara kanë pasur në mbështetjen tonë, në disa prej kapitujve më të errët të historisë sonë”, thuhet në telegramin e urimit të shpërndarë në X. “Përkushtimi i vendit tuaj për të mbrojtur lirinë dhe dinjitetin njerëzor, e ka shpëtuar popullin tonë nga një regjim gjenocidial”, tha gjithashtu Osmani. Ajo shtoi se Kosova mbetet me krenari “populli më proamerikan” në botë.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili supozohet se ka pasur marrëdhënie të mira me presidentin Donald Trump, gjatë mandatit të tij të parë, e uroi atë, pas betimit si president i 47-të i Shteteve të Bashkuara. “Me rikthimin e Trumpit, ne do t’i përshpejtojmë shpenzimet dhe prodhimet për mbrojtje”, shkroi Rutte në X. “Së bashku, ne mund të arrijmë paqe përmes forcës – përmes NATO-s”, shtoi ai.
Ursula von der Leyen, kryetarja e Komisionit Europian. “BE pret të punojë ngushtë me ju për të trajtuar sfidat globale. Së bashku, shoqëritë tona mund të arrijnë prosperitet më të madh dhe të forcojnë sigurinë e tyre të përbashkët. Kjo është forca e qëndrueshme e partneritetit transatlantik”, shkruan der Leyen në platformën X
Olaf Scholz, presidenti i Gjermanisë, nuk ishte i pranishëm, ndërkohë që Alice Weidel, udhëheqëse e partisë së ekstremit të djathtë “Alternativa për Gjermaninë”, ishte e ftuar. Kancelari gjerman Olaf Scholz e uroi presidentin Trump duke thënë: “Sot Presidenti Donald Trump merr detyrën. Urime! SHBA është aleati ynë më i ngushtë dhe qëllimi i politikës sonë është gjithmonë një marrëdhënie e mirë transatlantike. BE, me 27 anëtarë dhe më shumë se 400 milionë njerëz, është një bashkim i fortë”.
Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu, i ka dërguar një urim. ”Ju u tërhoqët nga marrëveshja e rrezikshme bërthamore e Iranit, ju njohët Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, ju transferuat ambasadën amerikane në Jerusalem dhe ju njohët sovranitetin e Izraelit mbi Lartësitë Golan. Kam besim se do të përfundojmë humbjen e boshtit të terrorit të Iranit dhe do të sjellim një epokë të re paqeje dhe prosperiteti për rajonin tonë”.
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, i ka shprehur po ashtu urimet presidentit Trump. ”Urime Donald Trump për inaugurimin tuaj si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara. Ne mezi presim të punojmë me administratën e re amerikane për të forcuar marrëdhëniet strategjike midis vendeve tona dhe për të adresuar sfidat e përbashkëta globale”.
Burimi