
Rama për 8 Marsin: Kemi bërë progres në zgjerimin e hapësirës që i kemi rezervuar gruas. Me 11 maj marrim me shumë se 1 milionë vota
Kryeministri Edi Rama, në një takim me gratë dhe vajzat e vendit, me rastin e 8 Marsit, tha se gruaja është ekuilibri i shtëpisë. Kreu i qeverisë tha PS ka bërë një progres të jashtëzakonshëm duke i dhënë hapësirë rolit të gruas në shoqëri.
“Duke iu parë të gjithave këtu po mendoja se çfarë do të ndodhte me burrat dhe çfarë do të ndodhte me djemtë tuaj nëse ju për një muaj nuk do të ktheheshit në shtëpi. Por për një javë, po imagjino për një muaj. Në fakt, kjo është në mënyrë të thjeshtë e vërteta e ekuilibrit të çdo shtëpie që pa gruan është pa çati dhe e vërteta e ekuilibrit të çdo shoqërie siç është edhe shoqëria jonë që nëse sot ka shumë më tepër vend për gratë dhe vajzat në të gjitha nivelet e vendimmarrjes por dhe hapësirat e jetës aktive, kjo i detyrohet në radhë të parë një emri të vetëm, PS. Një grua shqiptare që ju e keni dëgjuar të gjitha Elena Gjika thoshte se çdo shoqëri matet me vendin që i ka rezervuar gruas. Dhe nëse e matim Shqipërinë me vendin që i ka rezervuar gruas, mendoj se progresi në zgjerimin e hapësirës për gratë është pasqyrë kuptimplotë e vetë progresit që ka bërë Shqipëria dhe për këtë ne socialistët dhe socialistet shqiptare i kemi të gjithë arsyet të jemi më krenarë se gjithë të tjerët. Dhe duke vazhduar me Dora d’Istria, ajo thoshte së të luftosh për gratë, do të thotë të luftosh dhe fitosh edhe për burrat. “, u shpreh Rama.
Në të njëjtën kohë ai dha një mesazh edhe për zyrtarët që akuzohen për korrupsion, duke thënë se “Njësoj si ju që kujdeseni për pastrimin e shtëpisë edhe ne në mënyrë të vazhdueshme do pastrojmë shtëpinë tonë e do ta bëjmë vendin që kushdo që do të hajë të tjerët pas shpine të largohet nga shtëpia e të shkojë aty ku e meriton”.
Edi Rama theksoi se “Nuk ka ndodhur ndonjëherë më parë që nga 1912 që cilido qoftë i lidhur me pushtetin politik, të shkojë përpara një prokurori dhe gjykatësi të pavarur, të hetohet dhe dënohet. PS bëri një reformë në drejtësi që nuk e ka bërë asnjë vend në rajon. Kur ne morëm detyrën ishim të fundit fare në trenin e anëtarësimit të BE-së. Ne tani jemi lokomotiva e gjithë rajonit. Një nga gjërat që bëmë ishte kjo: vendosëm të dorëzojmë te drejtësia shpatën e ndëshkimit që gjithmonë e mbante qeveria. Kush ka hyrë më parë në procese hetimore, ka hyrë me urdhër nga lart. Janë varur ministra në Shqipëri, sepse ka ardhur urdhri nga lart. Sot ndodh sepse ne shpatën e ndëshkimit ia dorëzuam drejtësisë.
Kjo është një gjë që garantohet duke hyrë në BE. Kjo nuk varet se del një buf kënete dhe thotë se do shkrij SPAK-un, apo se del një specie tjetër dhe përbetohet se do shkrij drejtuesin e SPAK. Nuk ndodh më kur të jemi në BE.
E treta, pse duhet të hyjmë në BE është se standardet e bashkëjetesës në të gjitha nivelet janë të garantuara. Ju zonjat jeni ato që e mbani shtëpinë, ju e mbani ekuilibrin. Kur të hyjmë në BE ne jemi vend përfitues. BE ka dy kategori, atë të kontribuesve ku janë më të mëdhenjtë dhe përfituesit, ata që kanë më shumë nevojë si puna jonë. Parapërfytyroni që të gjitha këto t’i vësh në diskutim për mustaqet e Kujtim Gjuzit.
Jini krenare edhe për atë që po ndodh në luftën kundër korrupsionit. Mos i dëgjoni ata që thonë ‘jo po ua morën të gjithë, jo po ua kapën të gjithë’. Ne jemi afro 800 mijë, bashkë me emigrantët do t’i afrohemi 1 milionëve. Njësoj si ju që kujdeseni për pastrimin e shtëpisë edhe ne në mënyrë të vazhdueshme do pastrojmë shtëpinë tonë e do ta bëjmë vendin që kushdo që do të hajë të tjerët pas shpine të largohet nga shtëpia e të shkojë aty ku e meriton”.
Burimi