Provokon Trump! ‘Kanadaja të bëhet shteti i 51-të i SHBA-ve!’
Bota E Enjte, 19 Dhjetor 2024 09:57
Provokon Trump! Deklaratat e tij shkaktojnë gjithnjë reagime të forta.
E fundit ishte bashkimi i Kanadasë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si shteti i 51-të.
Në një mesazh të publikuar në platformën ‘Truth Social’, 78-vjeçari ka ngritur një çështje ekonomike dhe strategjike që, sipas tij, meriton vëmendje serioze.
“Askush nuk mund të përgjigjet pse ne subvencionojmë Kanadanë me mbi 100 milionë dollarë në vit? Nuk ka kuptim! Shumë kanadezë duan që Kanadaja të bëhet shteti i 51-të. Ata do të kursenin shumë në taksa dhe mbrojtje ushtarake. Mendoj se është një ide e shkëlqyer. Shteti i 51-të!!!”, ka shkruar Trump në platformën e tij.
Nuk është hera e parë që Trump shigjeton shtetin fqinj dhe kryeministrin e tij, duke e quajtur atë ‘guvernator’.
Presidenti i zgjedhur Trump është tallur edhe në fillim të muajit me kryeministrin kanadez Justin Trudeau, duke e quajtur atë “guvernatorin” e “Shtetit të Madh të Kanadasë.”
“Ishte kënaqësi të darkoja para disa netësh me Guvernatorin Justin Trudeau të Shtetit të Madh të Kanadasë,” shkroi Trump në një postim në Truth Social.
“Pres me padurim të takohem sërish me Guvernatorin së shpejti, në mënyrë që të vazhdojmë bisedimet tona të thelluara mbi Tarifat dhe Tregtinë, rezultatet e të cilave do të jenë me të vërtetë spektakolare për të gjithë! DJT”, shtoi ai.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Burimi