Programi për zgjedhjet në 2025, Basha: Zgjidhim çështjen e pronës
Kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha thotë se programi i tyre për zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen më 11 maj 2025, i drejtohet të gjithë qytetarëve shqiptarë. ”Programi përmban tre aspekte kryesore: Të drejtat e të përndjekurve dhe pronarëve shqiptarë; sipërmarrjen dhe ekonominë; si dhe mbështetje për familjet shqiptare, që ndodhen në një krizë të thellë për shkak të keqqeverisjes së Edi Ramës gjatë 12 viteve të fundit”, tha Basha.
Sipas tij, ky program synon të ofrojë një ndryshim të thellë dhe të qëndrueshëm për Shqipërinë. ”Për herë të parë në 34 vite, Demokratët Euroatlantikë me programin e shpallur më 1 qershor kanë marrë përgjegjësitë edhe për ato që nuk na takonin ne si vendime, si për shembull 7501-shin, diskriminimin e të përndjekurve politikë dhe mospromovimin e kauzës së tyre. Ndërsa në raport me pronarët, jemi duke ecur në shembullin e Kroacisë dhe me ndihmën e aleatëve tanë europianë, programi ynë është më i besueshëm dhe më i realizueshëm për të zgjidhur njëherë e mirë çështjen e pronës”, tha Basha.
Kategoria e dytë, sipas tij ka të bëjë me sipërmarrjen. ”Taksat e ulëta janë një karburant për ekonominë shqiptare, për motorin e ekonomisë shqiptare, dhe shumë propozime të tjera që kanë të bëjnë me deregulimin. Grupi i tretë është familja shqiptare, e cila ndodhet në një krizë të thellë për shkak të keqqeverisjes 12-vjeçare të Edi Ramës”.
Burimi