Prof.Dr. Elvin Meka: Çmimi i BITCOIN nxit individë të konsiderojnë investimin në kriptomonedha
Shqipëria është ndër vendet e para që ka miratuar një ligj që rregullon tregtimin e kriptomonedhave dhe ekspertët e fushës shprehen se ka ardhur koha, të ngrihen institucione të tregut financiar, të cilët të mund të ofrojnë shërbim të lehtësimit dhe ndërmjetësimit të investimeve në kriptomonedha.
Ekonomisti i njohur, Prof.Dr. Elvin Meka, në një prononcim për ATSH-në, mbi tregun e kriptomonedhave në vendin tonë tha se, “faktikisht, Shqipëria nuk ka ndonjë treg zyrtar të kriptomonedhave, paravësisht se është ndër vendet e pakta dhe pioniere (ndër 5 të parat) që ka disa vite që ka miratuar një ligj që rregullon tregtimin e tyre sipas teknologjisë regjistrave të shpërndara (blockchain)”.
Prof.Dr. Meka vuri në dukje se, në kushte të tilla, nuk mund të flasim apo diskutojmë mbi ndonjë treg të caktuar, sa kohë që nuk ekziston asnjë infrastrukturë mbështetëse, apo ndërmjetës, që të mund të lehtësojë tregtimin e tyre për klientët dhe investuesit në Shqipëri.
Gjithsesi, theksoi Prof.Dr. Meka, kjo nuk do të thotë që shqiptarët nuk investojnë në kriptomonedha.
“Investimet mendohet se janë në rendin e qindra miliona dollarëve. Pavarësisht nga kjo, nuk mund të jepet asnjë shifër e saktë, qoftë mbi numrin e investuesve, qoftë dhe mbi sasinë e përafërt që ata mund dhe kanë investuar”, tha profesoni i shkencave ekonomike Meka.
Ai shpegoi se ecuria e vitit të fundit, sidomos në çmimin e BITCOIN mund të shtyjë gjithnjë e më shumë individë të konsiderojnë investimin në kriptomonedha.
“Në këtë drejtim, mendoj se ka ardhur koha që edhe në Shqipëri të mund të ngrihen institucione të tregut financiar, të cilët të mund të ofrojnë shërbim të lehtësimit dhe ndërmjetësimit të investimeve në kriptomonedha, të cilët do të ishin subjekt i licencimit dhe rregullimit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Kjo për të siguruar më shumë mbrojtje ndaj interesave të investuesve shqiptarë, edhe në kriptomonedha”, deklaroi Prof.Dr. Meka. /j.p/ ATSH
Burimi