Paraqitja katastrofike e Biden përballë Trump mund të sjellë zëvëndësimin urgjent të tij me tjetër kandidat!
Paraqitja e presidentit Joe Biden në debatin e së enjtes, e përshkruar si jo e njëtrajtshme, me pauza dhe e shkëputur, i ka lënë të shqetësuar edhe mbështetësit të tij më të fortë dhe ka ngritur çështjen e zëvendësimit të tij si kandidat për president i Partisë Demokrate.
Megjithëse disa ligjvënës demokratë janë bashkuar në mbështetje të presidentit, duke thënë se një paraqitje e dobët nuk nënkupton fundin e kandidimit, është sidoqoftë teknikisht e mundshme që presidenti të zëvendësohet si kandidat i demokratëve. Por, do të duhej të ndodhnin disa gjëra për të mundësuar një tranzicion pa probleme.
Edhe në ato rrethana, gjetja e një kandidati të ri do të ishte për partinë një proces i vështirë, në rastin më të mirë.
Së pari, presidenti Biden duhet të tërhiqet me vullnetin e tij. Ai nuk ka treguar shenja për këtë.
Më herët këtë vit, çdo shtet amerikan mbajti zgjedhjet paraprake. Sipas rregullave të Partisë Demokrate, në sistemin e tanishëm për votimin paraprak, delegatët që ka fituar presidenti Biden kanë detyrimin të votojnë për të.
Nëse presidenti Biden do të zgjidhte që të tërhiqej, delegatët do të ishin atëherë të lirë të votonin për kë të dëshironin gjatë Konventës Kombëtare Demokrate, të planifikuar të mbahet në 19 gusht në Çikago, e cila do të shndërrohej kështu në një konventë të hapur.
Në këtë pikë procesi do të vështirësohej. Përpara se të vendosej sistemi i zgjedhjeve paraprake, konventat ishin të hapura dhe delegatët vinin të merrnin pjesë përgjithësisht të paangazhuar ndaj një kandidati të caktuar. Ata takoheshin me delegacione të kandidatëve të ndryshëm dhe negocionin për të arritur marrëveshje me ta.
Me një konventë të tillë do të përballeshin demokratët në gusht, me disa kandidatë që do të kërkonin mbështetjen e delegatëve dhe me disa raunde votimesh për të zgjedhur kandidatin. Kjo do të sillte ndoshta një konventë të zgjatur, që do të vazhdonte për më shumë ditë.
Kjo gjithashtu do t’i vendoste demokratët nën trysninë e afateve për të siguruar regjistrimin e kandidatit të tyre të ri në zgjedhjet në të 50 shtetet amerikane.
Komitetit Kombëtar Demokrat iu desh të organizonte një takim virtual për të regjistruar përpara konventës praninë e delegatëve që do të propozonin zotin Biden. Kjo për shkak se një ligj në shtetin Ohajo kërkon që kandidati i emëruar të jetë përzgjedhur përpara datës 7 gusht, pra dy javë përpara konventës së demokratëve, në mënyrë që të kualifikohet për të figuruar në fletëvotimet në këtë shtet.
Një propozim për të shtyrë afatin në Ohajo, me qëllim lehtësimin e procedurës për demokratët, u refuzua nga legjislatura e këtij shteti me shumicë republikane./VOA/
Kush mund ta zëvëndësojë Biden?
Performanca katastrofike e Joe Biden në debatin e parë presidencial ka rindezur shqetësimet e demokratëve. Gjatë debatit, teksa presidenti dukej i lodhur dhe konfuz, drejtuesit e partisë shkëmbenin mesazhe të shqetësuar, duke pyetur se çfarë mund të bënin në kuadër të zgjedhjeve të 5 nëntorit.
“Ai dukej i çorientuar. Do të ketë shumë diskutime nëse ai do të lejohet të vazhdojë garën” – tha konsulenti politik David Axelrod, njeriu që ndihmoi në zgjedhjen e Barack Obamës. Dhe nëse demokratët vazhdojnë të mbështesin publikisht kandidaturën e Biden, ata privatisht janë duke pyetur se çfarë duhet të bëjnë.
Nuk ka ndodhur kurrë që një kandidat të dorëzohet në këtë pikë të fushatës elektorale. Ka shumë mundësi që ky të rezultojë një vendim i dështuar. Nëse do të bëhej e nevojshme, Biden do të qëndronte në detyrë deri në fund të mandatit të tij siç ndodhi me Lyndon Johnson në 1968, por delegatët që Biden ka fituar gjatë zgjedhjeve paraprake, 95% e totalit prej 4000 do të riktheheshin për marrë një tjetër vendim. Zëvendësuesi mund të zgjidhet gjatë konventës së gushtit në Çikago, ndërsa nëse Biden tërhiqet pas konventës, atëherë do t’i takonte partisë që të zgjidhte pasardhësin e tij.
Megjithatë nuk ka shumë emra të gatshëm për të kërcyer “vallen presidenciale” dhe ata duhet të luftojnë për të fituar votën e delegatëve të lënë nga Biden.
Hipoteza më konkrete është nënpresidentja Kamala Harris, edhe pse rregullat e partisë nuk i japin asaj ndonjë avantazh nëse Biden vendos të tërhiqet. Ajo nuk do të merrte automatikisht delegatë, por presidenti mund të përpiqet të ndikojë në këtë proces duke i dhënë asaj miratimin e tij.
Më i pëlqyeri mes demokratëve duket se është guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom. Relativisht i ri, i pashëm, me profil kombëtar edhe pse është prekur nga disa skandale. Newsom ishte në Atlanta dhe përsëriti para gazetarëve se partia mbetet e bashkuar rreth Presidentit.
Emri i tretë është ai i guvernatores së Miçiganit, Gretchen Whitmer, e njohur mbi të gjitha sepse gjatë Covid-it ajo iu kundërvu me mjeshtëri Donald Trump, i cili nxiti protesta kundër kufizimeve që ajo kishte vendosur. Ajo është e njohur edhe për një tentativë rrëmbimi nga një milici private dhe që çoi në pranga 6 persona.
Më pas janë disa emra në rreshtin e dytë: guvernatori i Pensilvanisë, Josh Shapiro, ai i Illinois, J.B Pritzker dhe kongresmeni i Kalifornisë, Ro Khanna.
Në fund, është sugjerimi i përjetshëm i Michelle Obamës, i rilançuar nga shumë njerëz, por i refuzuar – më shumë se një herë – nga vetë ish-zonja e parë, e cila pretendon se nuk ka ndërmend të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.
Burimi