Papa: Të gjejmë si të krishterë një datë të përbashkët për Pashkët. Sot është koha për të besuar në një Zot të vetëm!
Papa kremton Lutjen e Dytë Mbrëmësore të Javës së Lutjes për Unitetin e Krishterëve në Bazilikën e Shën Palit dhe, duke kujtuar përkimin, këtë vit, të kremtimit të Pashkës në të njëjtën ditë në kalendarët Julian e Gregorian dhe 1700 vjetorin e Koncilit të parë Ekumenik, ripohoi thirrjen për një “hap vendimtar” për unitet: gjetja e njëjtës datë për Pashkët. “Kisha Katolike e gatshme të pranojë çdo zgjidhje”
R.SH. / Vatikan
Jubileu i Shpresës dhe 1700 vjetori i Koncilit të parë të madh ekumenik, Koncilit të Nikesë, ai në të cilin Etërit e Kishës miratuan Besojmën e recituar çdo të diel nga shumë të krishterë. Pastaj Pashkët që bien në të njëjtën ditë në kalendarin Gregorian dhe Julian. Është një vit i veçantë, 2025, për besimet e krishtera që sot, më 25 janar, kremtojnë Javën e Lutjes kushtuar unitetit të të krishterëve. Një unitet që Françesku, gjatë Lutjes së Dytë Mbrëmësore tradicionale në Bazilikën e Shën Palit, shpreson se nuk do të humbasë, por përkundrazi do të forcohet dhe do të arrijë në një hap“vendimtare: zgjedhjen e një date të përbashkët për Pashkët.
Sonte, në përfundim të Javës së lutjes për unitetin e të krishterëve, Papa Françesku ia kushtoi homelinë pyetje-përgjigjeve jetike për të gjithë të krishterët: a mund ta jetojmë edhe përvjetorin e Koncilit të Nikesë si thirrje për të ngulmuar në rrugën drejt unitetit? A do t’i kremtojmë sivjet Pashkët në të njëjtën ditë, sipas kalendarit Gregorian dhe Julian? A do t’i rizbulojmë rrënjët e përbashkëta të fesë dhe të ruajmë unitetin?
T’i rizbulojmë rrënjët e përbashkëta të fesë, të ruajmë unitetin!
Nisi me kujtimin e vizitës së Krishtit në shtëpinë e Martës e të Marisë, homelia e Papës. Ndërmjet, historia e vdekjes dhe e varrosjes së Larzrit, kur Jezusi mbërrin në shtëpinë e miqve të tij. E gjithë shpresa tani duket e humbur, deri në atë pikë sa fjalët e para të Martës shprehin dhimbjen, së bashku me keqardhjen e saj që Jezusi mbërriti me vonesë: “Zotëri, të kishe qenë ti këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur”.
Megjithatë, në të njëjtën kohë, ardhja e Jezusit ndez në zemrën e Martës dritën e shpresës! Ajo beson e thotë: “Por edhe tani e di se çfarëdo që ju t’i kërkoni Hyjit, Zoti do t’jua japë” (v 22). E Jezusi i flet asaj për ringjalljen nga të vdekurit jo vetëm si ngjarje, që do të ndodhë në fund të kohëve, por si diçka që do të ndodhte atë ças, sepse Ai vetë është ringjallja dhe jeta. Dhe pastaj i bën edhe një pyetje: “A e beson ti këtë?”
“E ti, a e beson këtë?”
“A e beson këtë?”: pyetje e shkurtër por sfiduese. Ky takim i ëmbël i Jezusit me Martën, të cilin e dëgjuam sonte në Ungjill, na mëson se, edhe në çastet më të shkreta, nuk jemi vetëm dhe mund të vazhdojmë të shpresojmë:
Jezusi jep jetë, edhe kur duket se çdo shpresë është zhdukur. Pas një humbjeje të dhimbshme, një sëmundjeje, një zhgënjimi të hidhur, një tradhtie ose përvojash të tjera të vështira, shpresa mund të lëkundet; por secilit prej nesh, që mund të përjetojë çaste dëshpërimi ose të takojë njerëz që kanë humbur shpresën, Ungjilli i thotë se me Jezusin shpresa rilind gjithmonë, sepse Ai gjithmonë na ngre lart nga hiri i vdekjes, e na jep forcë për të filluar udhëtimin, për ta rinisur përsëri.
Mesazh shprese
Vëllezër e motra – kujtoi në vijim të homelisë Papa – edhe kjo është shumë e rëndësishme për jetën e bashkësive të krishtera, të Kishave tona dhe të marrëdhënieve tona ekumenike. Ndonjëherë na pushton lodhja, çkurajohemi nga rezultatet e përpjekjeve tona, na duket se edhe dialogu e bashkëpunimi mes nesh janë pashpresë, gati të destinuara për vdekje dhe, e gjithë kjo, na bën të rijetojmë të njëjtin ankth, si Marta; por Zoti vjen. A e besojmë këtë? A besojmë se Ai është ringjallja dhe jeta? Kush i mbledh përpjekjet tona dhe na jep gjithmonë hirin për të rifilluar udhëtimin së bashku?
Ky mesazh shprese është në qendër të jubileut që filluam. Shën Pali Apostull, kthimin e të cilit në Krishtin e kujtojmë sot, u pati thënë të krishterëve të Romës: “Shpresa nuk zhgënjen, sepse dashuria e Perëndisë u derdh në zemrat tona përmes Shpirtit Shenjt, që na u dhurua (Rom 5:5). Të gjithë morëm të njëjtin Shpirt, e ky është themeli i udhëtimit tonë ekumenik”.
Përkim me rëndësi, me 1700 vjetorin e Koncilit të Nikesë
Më pas Papa u ndalua kryesisht tek ky Vit Jubilar i Shpresës që, i kremtuar nga Kisha Katolike, përkon me përvjetorin e një rëndësie të madhe për të gjithë të krishterët: 1700- vjetorin e Koncilit I të madh Ekumenik, Koncilit të Nikesë. Ky Koncil ruajti unitetin e Kishës në një kohë shumë të vështirë. Etërit pjesëmarrës e miratuan njëzëri Besojmën, që shumë të krishterë e thonë edhe sot, sidomos çdo të diel, gjatë Eukaristisë:
“Është besojmë e përbashkët, e cila shkon përtej të gjitha përçarjeve që plagosën Korpin e Krishtit gjatë shekujve. Prandaj, përvjetori i Koncilit të Nikesë përfaqëson një vit hiri, një mundësi për të gjithë të krishterët që luten me të njëjtën Besojmë, e besojnë në të njëjtin Zot”.
T’i rizbulojmë rrënjët e përbashkëta të fesë
Pas kësaj, thirrja e Papës: t’i rizbulojmë rrënjët e përbashkëta të fesë, të ruajmë unitetin! Të dashur vëllezër dhe motra, kjo fe e përbashkët është dhuratë e çmuar, por edhe sfidë. Përvjetori nuk duhet festuar vetëm si “kujtesë historike”, por edhe si angazhim për të dëshmuar bashkësinë në rritje ndërmjet nesh.
Duhet të sigurohemi, që të mos e lëmë të na ikë, të ndërtojmë lidhje të forta, të kultivojmë miqësi të ndërsjelltë, të jemi endës të bashkimit dhe të vëllazërisë. Në këtë Javë të Lutjes për Unitetin e Krishterë ne mund të jetojmë edhe përvjetorin e Këshillit të Nikesë si thirrje për të ngulmuar në rrugën drejt unitetit. Providencialisht, këtë vit Pashkët do të festohen në të njëjtën ditë në kalendarin Gregorian dhe Julian, pikërisht në këtë përvjetor ekumenik.
Thirrje për një hap vendimtar drejt bashkimit
Përsëris thirrjen, që kjo rastësi të shërbejë si kujtesë për gjithë të krishterët për të hedhur një hap vendimtar drejt unitetit, rreth një date të vetme, të përbashkët për Pashkët – theksoi Papa.
Të lutemi së bashku
Françesku e vijoi homelinë duke i shprehur mirënjohjen Metropolitit Polikarp, përfaqësues i Patriarkanës Ekumenike, Kryepeshkopit Ian Ernest, përfaqësues i Bashkimit Anglikan, që po përfundon shërbimin e tij të çmuar e për të cilin – kujtoi Papa – jam shumë mirënjohës, si dhe përfaqësuesve të kishave të tjera, që po marrin pjesë në këtë flije mbrëmësore lavdërimi. E theksoi: “Është e rëndësishme të luteni së bashku dhe prania juaj këtu, këtë mbrëmje, është burim gëzimi”.
Përshëndes edhe studentët e mbështetur nga Komiteti Katolik për Bashkëpunim Kulturor me Kishat Ortodokse – kujtoi Papa në përfundim të homelisë – si dhe Kishat Ortodokse e shumë grupe të tjera ekumenike, si edhe shtegtarët, që erdhën në Romë për këtë festë. Secili prej nesh, si Shën Pali, ta gjejë shpresën te Biri i mishëruar i Zotit dhe t’ua ofrojë të tjerëve, kudo që shpresa është zhdukur, jetët janë thyer e zemrat, pushtuar nga fatkeqësitë (krh. Predikimi në Meshën e Krishtlindjeve Prag Krishtlindjesh, 24 Dhjetor 2024).
Sot është koha për të besuar në një Zot të vetëm!
Në Jezusin shpresa është gjithmonë e mundshme – theksoi në fund të homelisë Papa – Ai mbështet shpresën e shtegtimit tonë të përbashkët drejt Tij. E rikthehet pyetja që bëri Marta e që sonte na drejtohet ne: “A e beson këtë? A besojmë në bashkimin me njëri-tjetrin?
Burimi