Operacioni policor antidrogë, “Ndalesa” në Vlorë, arreston 3 shtetas dhe shpall në kërkim një tjetër

Operacioni policor antidrogë, “Ndalesa” në Vlorë, arreston 3 shtetas dhe shpall në kërkim një tjetër

Policia e Shtetit përmes një postimi njofton se në Vlorë, është finalizuar operacioni policor antidrogë i koduar “Ndalesa”.

Arrestohen 3 shtetas dhe shpallet në kërkim një tjetër, që shpërndanin doza me lëndë narkotike në qytetin e Vlorës.

Sekuestrohen doza me lëndë narkotike kanabis, peshore elektronike dhe aparate telefonike.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Vlorë, pas një hetimi 8-mujor, të kryer me metoda speciale të hetimit dhe bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, ka finalizuar operacionin e koduar “Ndalesa”. Si rezultat, u arrestuan në flagrancë shtetasit:

• E. Q., 22 vjeç, banues në lagjen “Pavarësia”;
• B. K., 48 vjeç, banues në lagjen “Pavarësia”;
• R. H., 43 vjeç, banues në lagjen “Isa Boletini”.

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi:
• D. M., 28 vjeç, banues në lagjen “Pavarësia 2”.

Këta shtetas dyshohen se vepronin si grup, duke siguruar lëndën narkotike, të cilën më pas e ndanin në doza dhe e shpërndanin për shitje në qytetin e Vlorës.

Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj këtyre shtetasve dhe në banesat e tyre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan disa doza me lëndë narkotike kanabis, një peshore elektronike të dyshuar për peshimin e lëndëve narkotike dhe 3 aparate celulare të përdorura për aktivitetin kriminal.

Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente