Një “skifter” në epokën e Trump! Marco Rubio dhe ambicia për Shtëpinë e Bardhë

Një “skifter” në epokën e Trump! Marco Rubio dhe ambicia për Shtëpinë e Bardhë

Bota E Premte, 21 Shkurt 2025 19:52
Më 13 Nëntor 2024, presidenti Donald Trump deklaroi se postin e Sekretarit të Shtetit do t’ia jepte Marco Rubio-s. Me fitoren në zgjedhje, kështu ndodhi. Rubio, sekretari i 72-të i Shteteve të Bashkuara, por i pari latin në këtë detyrë. Ai që në 2015-ën “sfidoi” Trump me fushatën e tij presidenciale, sot është kryediplomati dhe personazhi kryesor në politikën e jashtme të SHBA-së. Jo më larg se këtë javë, u ul në një tryezë me homologun e tij Sergey Lavrov në Arabinë Saudite, sinjal i një raporti të mirë tanimë Uashington-Moskë. Po çfarë e bëri Rubion të marrë “timonin” e politikës së jashtme, kur ai në fakt është shumë i ndryshëm nga Trump?
Ja pse e shtrojmë këtë pyetje:

Në kohën kur ishte Senator, ai kishte një qëndrim tejet të ashpër ndaj Rusisë dhe dënonte çdo tentativë të Shteteve të Bashkuara për të krijuar raporte me të, ndërsa presidentin rus Vladimir Putin e quante “bandit”. Rubio është parë gjithnjë si një politikan konvencional, megjithatë sot po shërben në një administratë që figurën kryesore publike ka bilionerin Elon Musk! (me 0 eksperiencë politike) Thuhet rëndom se Rubio është gjithnjë duke “shtyrë” afatin e planeve të papërshtatshme të Trump, siç është krijimi i një miqësie të ngushtë me Rusinë, marrja nën kontroll e Kanalit të Panamasë, Groenlandës apo pse jo…Gazës?!
Skena globale, ambiciet…
Analistët thonë se motivi kryesor i Rubios qëndron te bindja se Amerika duhet të luajë rol udhëheqës në skenën politike globale. Pa harruar… ambiciet e tij personale që janë një fakt! Nisur nga qëllimet e tij të dikurshme për Presidencën (në zgjedhjet e 2016-ës), apo shpejtësia e ngjitjes së shkallëve në “kampin republikan”. Vlen të përmendet se Rubio ka qenë ndër vite një “avokat” i programeve amerikane për ndihmat e huaja, USAID. E ka përshkruar gjithnjë si një “aset” të Amerikës demokratike në botë. Shumë tradicional e kritik, por a ka hequr dorë Rubio nga pikëpamjet e mëhershme? Ka aludime të shumta se 53 vjeçari i ka “sytë” te Shtëpia e Bardhë pasi Trump të lërë zyrën!
“Trauma” e një emigranti
Rubio është djali i një çifti nga Kuba. Babai i tij ishte një banakier, ndërsa nëna arkëtare e pastruese hotelesh. Ata u zhvendosën në Shtetet e Bashkuara në 1956-ën ndërsa Rubio u rrit në një lagje të Miami bashkë me kubanezë të tjerë, ashtu siç kishte vendosur qeveria. Rubio thotë se orientimin e tij politik dhe sensin e duhur të patriotizmit e mori që në moshë shumë të re. “E dija se si trauma e mërgimit, mosbesimi, faji, frika për dështimin kanë formësuar jetën time”, ka thënë ai më herët. Gjatë gjithë karrierës së tij, Rubio ka mbrojtur politika jo në favor të Amerikës Latine. Liderët e krahut të majtë në këto shtete i ka parë gjithnjë si autokratë dhe armiqësorë ndaj SHBA-së. Rubio ka qenë gjithashtu një mbështetës i politikave të ashpra kundër qeverisë së presidentit venezuelian Nicolas Maduro.
PAX Americana ose “Long Peace”
Së pari të shpjegojmë kuptimin e këtyre dy fjalëve. Është një koncept global i paqes, që lindi me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore (1945), kohë kur Amerika ishte fuqi kulturore, ekonomike e ushtarake. Pra, Pax Americana ose Paqja Amerikane është koncepti që i jep të gjitha atributet Shteteve të Bashkuara, si faktor kyç në garantimin e lirive dhe të drejtave demokratike në botë. Duke marrë parasysh deklaratat e Rubios në 2015-ën mbi politikën e jashtme të SHBA-së, ai besonte një të vërtetë të thjeshtë: Bota është më e sigurt kur Amerika është më e fortë! Kur ishte kandidat për president, nënvizoi 3 pika kryesore: Fuqinë ushtarake, mbrojtjen e transparencës e moralit dhe garantimin e lirisë. Në vitet 2000, Rubio nuk hezitoi të shfaqte adminirimin ndaj figurës së George W Bush, teksa ishte në fillimet e karrierës. Ai ka treguar se telefonata e parë që ka marrë për ta uruar pasi u zgjodh në Senat në 2010-ën ishte po nga Presidenti Bush.
“U lëshua si një meteor”
Rubio ishte vetëm 27 vjeç kur u zgjodh për herë të parë si Komisioner në 1998-ën. Në më pak se 13 vjet, ai kaloi nga ky post në Senat. Shërbeu për 8 vite edhe në Dhomën e Përfaqësuesve të Floridës (2006 dhe 2008). Gjatë gjithë karrierës së tij, ai kishte një aleat të fuqishëm, Guvernatorin e atëhershëm të Floridës, Jeb Bush. Jeb, vëllai i ish-presidentit George W Bush e pa Rubion si një politikan mjaft të talentuar. Kur Rubio u bë kryetar i Dhomës së Shtetit, Jeb i dhuroi atij një “shpatë të artë”, të cilën ai e mbajti para kolegëve të tij plot krenari. Për Jeb, Rubio ishte një “luftëtar konservator”.
Nuk mund ta themi nëse më shumë ishin miq apo aleatë politikë, por të paktën publikisht ata nuk kanë ngurruar të shprehin mirënjohje ndaj njëri-tjetrit për vite me radhë. Megjithatë Jed s’ishte i vetmi, edhe politikanë të tjerë në Florida e respektonin Rubio-n. Mbetet e paqartë nëse Rubio është në mes të një procesi ndryshimi apo thjesht po bën atë që i kërkon puna. Si Sekretar i Shtetit, Rubio duhet të “kanalizojë” Trump, ai nuk vendos politikën e jashtme, ai thjesht e drejton atë në emër të Presidentit. Diçka mund të thuhet me siguri, që ky “transformim ideologjik” mund të arsyetohet vetëm nëse realisht Marco Rubio e ka të qartë ambicien e tij për t’u bërë numri një i Amerikës në të ardhmen! /Tv Klan/
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente