Nga oftamolog në autokrat: Fundi i sundimit të Assadit

Presidenti sirian, Bashar al-Assad, iku nga Damasku të dielën, më 8 dhjetor, duke përfunduar në mënyrë dramatike luftën e tij gati 14-vjeçare për të mbajtur pushtetin, ndërsa vendi i tij u shkatërrua në një luftë të ashpër civile dhe u kthye në një fushëbetejë për forcat rajonale dhe ndërkombëtare.
Largimi i Assadit është në kontrast të thellë me muajt e tij të parë si president i Sirisë në vitin 2000. Atëbotë, kishte pasur shpresa se ai do të ishte një udhëheqës reformator, pas tre dekadash të sundimit të hekurt nga babai i tij, Hafez Assad.

Me vetëm 34 vjeç, një oftalmolog me edukim perëndimor, ai u paraqit si një “njeri teknikisht i zoti, i apasionuar pas kompjuterëve dhe me sjellje të butë”, shkroi Associated Press.

Por, përballë protestave kundër sundimit të tij që shpërthyen në mars të vitit 2011, Assadi iu kthye taktikave brutale të babait të tij, në një përpjekje për t’i shtypur protestat.
Ndërsa kryengritja u shndërrua në një luftë të hapur civile, ai angazhoi ushtrinë, me mbështetjen e aleatëve të tij, Iranit dhe Rusisë, duke shkatërruar qytetet nën kontrollin e opozitës.
Grupet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe prokurorët kanë përmendur përdorimin masiv të torturës dhe vrasjeve pa gjyq në qendrat e paraburgimit të kontrolluara nga autoritetet siriane.
Në luftë kanë vdekur pothuajse gjysmë milioni njerëz dhe gjysma e popullsisë, nga 23 milionë banorë sa ishte para luftës, është zhvendosur.
Në vitet e fundit, konflikti u ngri dhe Qeveria e Assadit rimori kontrollin mbi pjesën më të madhe të territorit të Sirisë, ndërsa veriperëndimi mbeti nën kontrollin e grupeve opozitare dhe verilindja nën kontrollin e kurdëve.
Për Assadin, kompromisi është shenjë dobësie
Edhe pse Damasku zyrtar ka mbetur nën sanksionet perëndimore me pasoja shkatërruese për ekonominë siriane, vendet fqinje kanë tentuar ndërkohë të përshtaten me realitetin politik që Assadi ishte ende në pushtet, duke kontrolluar 70 për qind të territorit që e rimori me ndihmën e Iranit, Hezbollahut dhe Rusisë, pas ndërhyrjes së Moskës – dhe të vendosin marrëdhënie të caktuara me të.
Në fakt, vitet e fundit regjimet arabe më të moderuara, me mbështetjen e heshtur të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, kanë tentuar ta rikthejnë Assadin në anën e tyre – ta “normalizojnë” si vetëm një tjetër despot arab dhe kështu të përpiqeshin ta largonin atë nga mbështetësit e tij iranianë, shkruan The Washington Post.
Liga Arabe rinovoi në vitin 2023 anëtarësimin e Sirisë – që ishte pezulluar – me shpresën se regjimi i Assadit do të bashkëpunonte për të parandaluar trafikun e drogës dhe për të kthyer refugjatët.
Vitin e kaluar, Liga Arabe riktheu anëtarësimin e Sirisë, dhe Arabia Saudite në maj emëroi ambasadorin e saj të parë në Siri, që nga prishja e marrëdhënieve me Damaskun para 12 vjetësh.
Këtë vjeshtë, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, thuhet se ka diskutuar, me iniciativën e Emirateve të Bashkuara Arabe, mbi mundësinë që të mos rinovojë sanksionet më të ashpra amerikane ndaj Sirisë, kur ato të skadojnë më 20 dhjetor.
Disa shtete evropiane, veçanërisht Italia, nisën të kishin raporte me shpresën se Assadi do të kthente në shtet refugjatët sirianë, ndoshta në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Turqia gjithashtu ka dëshiruar të arrijë një marrëveshje të ngjashme, pasi në territorin e saj ndodhen mbi 3 milionë refugjatë sirianë, tha profesori Christopher Philips nga Chatham House në Londër.
Por, negociatat u ndërprenë për shkak të refuzimit të Asadit për t’i dhënë Ankarasë një zonë të gjerë neutrale brenda Sirisë për të mbajtur militantët kurdë larg nga territori turk, si dhe për shkak të mosplotësimit të asnjë nga kërkesat e tjera.
Në vend të kësaj, Assadi vazhdoi sulmet ndaj Idlibit, që është nën kontrollin e rebelëve, duke bërë që mijëra refugjatë të rinj të kërkonin strehim pranë kufirit me Turqinë.
Miratimi i dukshëm nga Turqia i sulmeve të grupit rival islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS) sugjeron se durimi i saj me Assadin mori fund, gjë që konfirmohet edhe me pjesëmarrjen në ofensivën e fundit edhe të Ushtrisë Kombëtare Siriane – të mbështetur nga Ankaraja – në veri dhe lindje të Alepos.
Assadi gjithmonë e ka konsideruar kompromisin si një shenjë dobësie, theksoi analisti sirian, Malik al-Abdeh.
Megjithatë, situata gjeopolitike ndryshoi shpejt kur grupet e rebelëve në veriperëndim të Sirisë nisën një ofensivë të befasishme në fund të nëntorit.
Irani i dobësuar dhe përfshirja e Rusisë në Ukrainë
Forcat qeveritare u mposhtën me shpejtësi, ndërsa aleatët e Assadit, të zënë me konflikte të tjera – luftën e Rusisë në Ukrainë dhe luftërat njëvjeçare midis Izraelit dhe grupeve terroriste, që mbështeten nga Irani, Hezbollah dhe Hamas– nuk ishin të gatshëm të ndërhynin si më parë.
Megjithëse aviacioni rus u përpoq të ndihmonte ushtrinë siriane me sulme ajrore kundër rebelëve, dhe Irani njoftoi dërgimin e njësive të milicisë shiite nga Iraku, ndihma e ofruar ishte e pamjaftueshme.
Pakënaqësi edhe mes mbështetësve të Assadit
Gjatë pesë vjetëve të fundit, sirianët janë bërë më të varfër dhe regjimi ka bërë shumë pak për të përmirësuar kushtet e tyre të jetesës, tha eksperti ekonomik sirian, Jihad Yazigi.
Me taksa në rritje, shpronësim të tokës dhe një ekonomi që po shkatërrohet, “këtu kemi edhe korrupsionin e regjimit, i cili është i integruar në çdo segment të shtetit”.
Yazigi shtoi se neglizhimi i vuajtjeve të sirianëve dhe lakmia nga familja e Assadit kanë kontribuar në përhapjen e pakënaqësisë përtej territoreve të kontrolluara nga kundërshtarët e tij, duke u përhapur në të gjithë shoqërinë siriane, përfshirë edhe në zonat ku jetojnë besnikët e tij nga minoriteti fetar alavit, të cilit i përket edhe Assadi.
Assadi mori pushtetin më 2000 dhe ngritja e tij në pushtet ishte çështje fati. Babai i tij kishte përgatitur djalin e tij më të madh, Basilin, si trashëgimtar, por në vitin 1994 Basili vdiq në një aksident automobilistik në Damask.
Bashar al-Assad u rikthye në Siri, duke lënë punën si oftamolog në Londër. Pas rikthimit, ai kreu trajnim ushtarak dhe u gradua në gradën e kolonelit për të forcuar pozicionin e tij në mënyrë që një ditë të ishte në gjendje të qeveriste.
Kur Hafez Assad vdiq në vitin 2000, Parlamenti shpejt uli moshën minimale për president, nga 40 në 34 vjeç.
Ngritja e Bashari al-Assadit në pushtet u konfirmua në një referendum kombëtar, ku ai ishte i vetmi kandidat.
Hafez Assad qeverisi vendin për gati 30 vjet, duke praktikuar një ekonomi të centralizuar, të stilit sovjetik. Në të njëjtën kohë, ai qeverisi me grusht të hekurt, aq sa sirianët kishin frikë të bënin shaka për politikën, edhe në biseda me miqtë.
Në vitin 1982, në qytetin Hama – që rebelët e morën javën e kaluar – ushtria e Hafez al-Assadit vrau mijëra kundërshtarë, duke i dhënë fund një kryengritjeje të udhëhequr nga Vëllazëria Myslimane.
Hafez Assad ndoqi një ideologji sekulare, në përpjekje për të zhdukur dallimet sektare dhe fetare, duke promovuar nacionalizmin arab dhe duke krijuar një imazh të rezistencës së ashpër kundër Izraelit.
Ai krijoi një aleancë me udhëheqësit klerikalë shiitë të Iranit, vulosi dominimin sirian mbi Libanin dhe themeloi një rrjet grupesh militante palestineze dhe libaneze.
Dukej më i moderuar se babai i tij
Bashar al-Assad fillimisht dukej krejtësisht ndryshe nga babai i tij, i cili ishte një udhëheqës i fuqishëm dhe i pamëshirshëm. Trupgjatë dhe i dobët, ai kishte një sjellje të një njeriu të qetë dhe të tërhequr.
Pozita e tij e vetme zyrtare, përpara se të bëhej president, ishte si kreu i Shoqatës Siriane të Kompjuterëve.
Gruaja e tij, Asma al-Akhras, me të cilën u martua disa muaj pasi mori detyrën, një ish-bankiere me origjinë siriane që ishte rritur në Londër, ndihmoi në përmirësimin e këtij imazhi, shkruan CNN.
Çifti i ri, i cili ka tre fëmijë, dukej se i shmangej kurtheve të pushtetit. Ata jetonin në një apartament në lagjen luksoze Abu Rumane në Damask, ndryshe nga vilat madhështore të liderëve të tjerë arabë.
Në vitet e para të marrjes së pushtetit, Assadi liroi të burgosurit politikë dhe lejoi një diskurs më të hapur në shoqëri.
Në periudhën e njohur si “Pranvera e Damaskut,” nga viti 2000 deri në 2001, u shfaqën sallone për intelektualët, ku sirianët mund të diskutonin për artin, kulturën dhe politikën – diçka e paimagjinueshme gjatë sundimit të babait të Bashar al-Assadit.
Megjithatë, pas vitit 2001, kur 1.000 intelektualë nënshkruan një peticion publik duke bërë thirrje për demokraci shumëpartiake dhe liri më të mëdha, dhe të tjerë tentuan të formonin një parti politike, sallonet u mbyllën nga policia sekrete, e cila arrestoi dhjetëra aktivistë.
Hapja ekonomike ndaj botës
Në vend që të hapte vendin politikisht, Assadi u kthye drejt reformave ekonomike.
Gradualisht, ai hoqi kufizimet ekonomike, lejoi funksionimin e bankave të huaja, hapi dyert për importet dhe fuqizoi sektorin privat.
Damasku dhe qytete të tjera, që prej kohësh ishin zhytur në një gjendje të zymtë, përjetuan një bum të ndërtimit të qendrave tregtare, restoranteve të reja dhe mallrave të konsumit. Turizmi lulëzoi.
Jashtë vendit, ai ndoqi politikën e vendosur nga babai i tij, duke mbajtur aleancën me Iranin dhe duke këmbëngulur për kthimin e plotë të Lartësive të Golanit, të aneksuar nga Izraeli, edhe pse në praktikë Assadi kurrë nuk u përfshi ushtarakisht në një konflikt me Izraelin.
Në vitin 2005, ai pësoi një goditje të rëndë me humbjen e kontrollit shumëvjeçar të Sirisë mbi Libanin fqinj, pas vrasjes së ish-kryeministrit Rafik Hariri.
Pasi shumë libanezë akuzuan Damaskun se qëndronte pas vrasjes, Siria u detyrua të tërhiqte trupat nga Libani, ku erdhi në pushtet një qeveri proamerikane.
Mbështetja tek Irani
Në të njëjtën kohë, bota arabe u nda në dy blloqe: njëri i udhëhequr nga shtete sunite dhe aleatët e SHBA-së, sikurse janë Arabia Saudite dhe Egjipti.
Tjetri udhëhiqej nga Irani shiit, pastaj Siria – me pakicën shiite alavite – dhe grupime të tjera shiite në gjithë rajonin, ku Hezbollah libanez ishte më i fuqishmi, por gjithashtu edhe Hamasi grup palestinez sunit.
Gjithë kohën, Assadi u mbështet kryesisht te baza e njëjtë e pushtetit brenda vendit, njësoj sikurse babai i tij: sekti i tij alavit, një degë e islamit shiit, të cilit i përkasin një përqindje e vogël e popullsisë së Sirisë.
Shumë pozicione në qeverinë e tij iu dhanë brezave më të rinj të të njëjtave familje që kishin punuar për babanë e tij. Ai po ashtu mori në qeveri anëtarë të një klase të re të mesme, të krijuar nga reformat e tij, përfshirë nga familjet e spikatura tregtare sunite.
Kontrolli i familjes së Assadit mbi Sirinë
Assadi gjithashtu u mbështet te familja e tij. Vëllai i tij më i vogël, Maheri, udhëhoqi Gardën elitare Presidenciale që shtypte kryengritjet.
Motra e tyre, Bushra, ishte një zë i fuqishëm në rrethin e tij të ngushtë, së bashku me burrin e saj, zëvendësministrin e Mbrojtjes Asef Shaukat, deri kur ai vdiq në një sulm në vitin 2012.
Kushëriri i Bashar al-Assadit, Rami Makhlouf, u bë biznesmeni më i madh në vend, duke drejtuar një perandori financiare, derisa ata të dy prishën raportet, duke bërë që Makhlouf të nxirrej nga skena e të lihej në harresë.
Assadi gjithashtu i dha më shumë role të rëndësishme gruas së tij, para se ajo të njoftonte në maj se ishte duke u trajtuar për leukemi dhe u tërhoq nga detyrat shtetërore.
Akuzat e Assadit për luftën
Kur në vitin 2011 shpërthyen protestat në Tunizi dhe Egjipt, që rrëzuan udhëheqësit atje, Assadi e përjashtoi mundësinë që e njëjta gjë do të ndodhte në vendin e tij, duke insistuar se regjimi i tij ishte më në harmoni me popullin e tij.
Pas arritjes së valës së Pranverës Arabe në Siri, forcat e tij të sigurisë u përleshën brutalisht me kundërshtarët, ndërsa Assadi mohoi se po përballej me një kryengritje popullore.
Në vend të kësaj, ai fajësoi “terroristët e mbështetur nga vendet e huaja” që përpiqeshin të destabilizonin regjimin e tij.
Retorika e tij u mirëprit nga shumë grupe pakicash në Siri – duke përfshirë të krishterët, druzët dhe shiitët – si dhe disa sunitë, që kishin frikë më shumë nga mundësia e sundimit të ekstremistëve sunitë sesa nga qeverisja autoritare e Assadit.
Ndërsa kryengritja u shndërrua në luftë civile, miliona sirianë u larguan drejt Jordanisë, Turqisë, Irakut dhe Libanit si dhe drejt Evropës.
Në maj të vitit 2011, presidenti i atëhershëm amerikan, Barack Obama, deklaroi se regjimi i Assadit “kishte zgjedhur rrugën e vrasjeve dhe arrestimeve masive të qytetarëve të tij” dhe e ftoi atë të udhëhiqte një tranzicion demokratik “ose të largohej nga pushteti”.
Por, regjimi i sanksionuar nga Perëndimi dhe i izoluar ndërkombëtarisht, deri më tani qëndroi në pushtet falë mbështetjes së aleatëve të fuqishëm si Rusia dhe Irani dhe falë një fushate të pamëshirshme kundër opozitës.
Forcat e Assadit janë akuzuar për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe sulme brutale ndaj civilëve gjatë luftës 13-vjeçare civile, përfshirë për përdorimin e armëve kimike kundër popullit të tyre.
Assadi ishte rizgjedhur me shumicë absolute çdo shtatë vjet, herën e fundit në vitin 2021, në zgjedhjet që SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia i kanë quajtur si “zgjedhje të rreme.”
Assadi kishte paralajmëruar kombet perëndimore që të mos mbështesin grupet rebele që luftonin kundër forcave të tij, duke thënë se militantët një ditë do të sulmojnë SHBA-në dhe të tjerët.
Më vonë, në vitin 2015, ai deklaroi se Siria nuk do të bashkohej me koalicionin e udhëhequr nga SHBA-ja, që synonte shkatërrimin e grupit terrorist, Shteti Islamik, grup që kishte nën kontroll një pjesë të Sirisë të shkatërruar nga lufta.
Atë vit, regjimi i tij ishte në prag të rënies, por ai mbijetoi dhe forcoi pozicionin e tij falë ndërhyrjes ushtarake ruse.
Konflikti është epiqendra e trashëgimisë brutale të Assadit, që ka lënë qindra mijëra të vdekur. Kombet e Bashkuara, më herët këtë vit, deklaruan se janë mbi 7 milionë persona të zhvendosur brenda vendit dhe mbi 6 milionë persona që kanë ikur nga Siria.
Është ironike pasi më 26 shkurt 2011, dy ditë pas rënies së Hosni Mubarakut të Egjiptit dhe vetëm disa ditë para se vala e protestave të Pranverës Arabe të përfshinte Sirinë, Assadi kishte dërguar një email duke bërë shaka për kokëfortësinë e liderit egjiptian, që refuzonte të tërhiqej në mënyrë paqësore, kujtoi Associated Press.
REL
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente