Mire Lajçi, profili unik i burrneshës së Kosovës që s’u thye në zakonin e saj

Mire Lajçi, profili unik i burrneshës së Kosovës që s’u thye në zakonin e saj

Mire Lajçi ishte profili unik i burrneshës së Kosovës. Jetoi larg vëmendjes e interesimit për jetën e saj. Sepse për të, në jetën që bënte s’kishte gjë të pazakonshme. “U bana burrë dhe kaq”, përsëriste sakaq pa i livritur kapuçi i zi, i rrallë në veshjet e Rugovës. “Këto burrnesha shpejt do të jenë një fenomen që i përkasin së kaluarës”, thotë profesoresha universitare, Nerimane Kamberi. “Secila ka historinë e vet dhe përse ka vendosur me u ba burrneshë”, thotë antropologia Janet Reineck. Mire Lajçi s’e zbuloi kurrë në thelb, deri në vdekje në moshën 82-vjeçare
Në muhabete odash, veten do ta përshkruante si njeri të prerë ku “po” ishte “po” dhe “jo” mbetej e tillë. Ka qenë pesë a gjashtëvjeçare, kur prerazi vendosi për një jetë tjetër. U bë burrë, burrneshë. Theu rendin kanunor, e s’u thye në zakonin e saj e të kohës kur jetoi, deri në vdekje. S’u thye kurrë as që ta zbardhë misterin e jetës së saj të brendshme. Përgjigjej burrërisht: “U bana burrë dhe kaq”. Të tjerat për të nuk kishin fare rëndësi. Fliste rëndom për jetën baritore majë Rugove, se si iu bë krah babait, për shoqërimin me burra e pleqnarë. Mbi të gjitha për shoqërimin me vetveten. Sepse ajo ishte vetja.Mire Lajçi është profili unik i burrneshës së Kosovës. Vdiq të enjten e parafundit të shkurtit. Zyrtarisht, qe 82-vjeçare ani pse duhet të ketë qenë më e moçme. Një ditë më pas iu dha lamtumira e fundit në fshatin Malaj të Rugovës. Mbylli përgjithnjë një kapitull të burrneshave të Kosovës. Të tjerë hapen veç në kujtimet për të.
“U bana burrë dhe kaq”

Mire Lajçi jetoi larg vëmendjes e interesimit për jetën e saj. Sepse për të, në jetën që bënte s’kishte gjë të pazakonshme. “U bana burrë dhe kaq”, përsëriste sakaq pa i livritur kapuçi i zi i rrallë në veshjet e Rugovës.
Kjo ishte përgjigjja që do të merrte antropologia amerikane, Janet Reineck kur do ta takonte për herë të parë. Ishte viti 1984. Mire Lajçi nja 40 e kusur vjeçe, pak thinja nën kapuçin e zi që s’e hoqi kurrë, veshur me pantallona të errëta me prerje të gjerë, me vija njësoj si xhamadani.
Me dhimbje për burrneshën e Kosovës ka folur Reineck në ditëvdekjen e saj. Ka rikthyer kujtimet e muhabetet me të.
“Kam shkuar me shoqen time Dushe Gjevukaj, ajo ka qenë prej Rugovës dhe ka qenë në lidhje familjare me Miren. Askujt nuk i ka interesu’ për Miren. Ajo ka qenë vetëm një anëtare e familjes, jo diçka interesante. Kemi shkuar atje, ka qenë viti 1984, katund, jemi ulur shilte, na kanë sjellë kafe, ajo ka pi cigare”, thotë Reineck e cila – ende pa u përcjellë arkëmorti i Mire Lajçit – ia ka behur në studion e Kohavisionit, paraditen e së enjtes që në shenjë respekti e nderimi të shpalosë rrëfimin e saj për Miren. Nuk e rrëmbejnë lotët, përkundër mërzisë. Mbase fuqi mund t’i japë vetë kujtimi për burrneshën.
Reineck do të vinte në Kosovë fillim të viteve ’80 në kohën e kthesave të mëdha historike. Fillimisht si antropologe, më pas edhe si punonjëse humanitare. Jetoi tok me shqiptarët deri në vitin 1997. Tash është rikthyer në mesin e tyre edhe si autore e emisionit “Amerikania përsëri në Kosovë” në KTV.Rrëfimi i saj për Mire Lajçin nuk është veç për të, por edhe për fenomenin. Do të provonte të hynte në botën e saj, duke shfrytëzuar edhe imazhin e saj si grua që grahte makinë, vishte pantallona e futej në rend burrash aty ku ishte futur edhe burrnesha.
“Kur kemi hyrë në bisedë ma thellë se qysh i ka ardhë që ka dashtë me jetu si burrë, mos me qenë femër, ajo thoshte shumë thjeshtë: ‘Unë desha me qenë burrë dhe u bana burrë dhe qashtu, u kry’. Dhe në çdo anë kam dashur të hyj si antropologe me një tjetër perspektivë, me nxjerrë prej saj atë misterin që u intereson njerëzve. I kam bërë shumë pyetje si për shembull nëse i mungu’ diçka në jetë, nëse i ka ra pishman që nuk ka pasë fëmijë, familje apo burrë. Që s’e ka pasë atë pjesë të jetës”, kujton Reineck dhe nuk do të merrte përgjigje. I kundërpërgjigjej me habi, e me një lloj përbuzjeje. ‘Ajo më pyeste: ‘Çka?’ Asaj nuk i ka ardhë fare interesant se çfarë ka ba dhe në fund i thashë: ‘Ani Mire, çfarë ka qenë mirë në jetën tande, e çka ka qenë keq. Ajo mendoi dhe më tha: ‘Vera ka qenë e mirë, e dimri ka qenë i keq”, qesh antropologia.
Mire Lajçin do ta ritakonte në tetorin e vjetëm. Në xhirimet amatore, shihen burrnesha dhe mikesha e saj e kahershme amerikane e shqiptarizuar goxha. E vazhdojnë muhabetin aty ku e kishin lënë këtu e 40 vjet më parë. Gati të njëjtat pyetje, sërish pa përgjigje.
Janet Reineck duhet të ketë qenë njëra prej mikeshave të rralla të Mires. Mbase edhe e vetmja.
“Unë dhe Mira ndjemë një shoqëri të veçantë që në fillim. Unë isha gruaja e parë që kishte takuar e cila vishte pantallona, ulej këmbëkryq në dysheme si burrat dhe merrej me muhabet – bisedat e burrave për historinë, politikën, punët dhe gjëra jashtë familjes”, shkruan Reineck në librin e saj “Një amerikane në Kosovë: 1981 – 1997”, botuar më 2022.
Reineck është në gjendje të flasë gjerë e gjatë për të. Në një grimë pauzë, ajo merr frymë thellë, duket sikur rikthen imazhin e takimit të parë dhe të fundit me Mire Lajçin.
“Njeriu më interesant që kam taku në jetën time. Por, për të nuk ishte kurrgjë interesante. Ajo nuk mund ta kuptonte pse ia bëja gjithë ato pyetje. Dhe për familjen njësoj, nuk ka qenë interesante, aspak”, thotë Reineck.
I ka mbetur peng edhe një takim tjetër me të, që e planifikonte këtë pranverë.
“Fort kam dashtë me shku atje dhe me nejt, se ne kemi pasë gjithmonë njëfarë muhabeti mes nesh, e kam dashtë atë grua, grua-burrë, një njeri, çoban, shqiptar. Ajo e ka njohur malësinë, një jetë e vjetër. Sa e thellë!”, thotë Reineck.
Në thellësinë e padepërtueshme
Në thellësinë e jetës së Mire Lajçit dhe të burrneshave në përgjithësi nuk depërtohej lehtë. Rastet e tyre u raportuan qysh në shekullin XIX, rëndom nga udhëpërshkrues që vinin në këto anë, më vonë objekt studimi, veçmas nga të huajt. Mbase edhe kjo është veçantia e krejt këtij fenomeni. Burrneshat pranoheshin në rrethin e tyre si të mirëqena dhe “burrërisht” vendosej një lloj kodi i pashkruar që zgjedhja e tyre nuk vihej më në diskutim.
“Praktika e virgjërisë së betuar u raportua në Evropën Perëndimore fillimisht nga misionarët, udhëtarët, gjeografët dhe antropologët të cilët vizituan malet e Shqipërisë së Veriut në shekullin XIX dhe në fillim të shekullit XIX”, shkruan albanologu i shquar Robert Elsie në “Fjalorin Historik të Shqipërisë”, botuar më 2011.
Mire Lajçi në vitin 1984 (Foto: Janet Reineck)
Rrëfimi për Mire Lajçin është i dokumentuar por tek së voni, si ai në librin e antropologes Reineck.
“Sa e di unë jo, nuk ka të tjera hulumtime, rrëfime, por ka për të tjera burrnesha. Nerimane Kamberi me burrin e saj, fotografin Hazir Reka kanë ba një studim shumë serioz për burrneshat. Ata i njohin dy në Shqipëri, njëra është afër Shkodrës, njëra është në Malësi. Ende janë dy burrnesha, që janë gjallë. Në Mal të Zi nuk ka më burrnesha, e tash nuk ka as në Kosovë. Por për Miren me sa e di unë nuk ka ndonjë studim, (pos shkrimeve): ‘Kam nejt me Mirën dhe kemi bisedu’. Qaq”, thotë Reineck në shqipen e saj të pastër gegë.
Shkrimi për Mire Lajçin flet frëngjisht prej vjeshtës së vitit të kaluar, nëpërmjet profesoreshës universitare, shkrimtares e gazetares Nerimane Kamberi.
“Për Mire Lajçin, kam bërë një artikull për median frankofone ‘Le Courrier des Balkans’ në vjeshtën e kaluar, por shumë më herët e ka takuar edhe antropologjia amerikane Janet Reineck”, thotë Kamberi.
Ajo e prek në thelb fenomenin e burrneshave, heshtjen e tyre por edhe mungesën e studimeve për to.
“E kam parë si një fenomen të veçantë antropologjik, i cili na erdhi si ‘fenomen’ pas shembjes së komunizmit në Shqipëri përmes studimeve të britanikes Antonia Young, por edhe përmes mediave që i panë burrneshat si sensacion, pikërisht si fenomen”, thotë Kamberi.
Sipas saj, ky mbulim i mediave dhe interpretimet që ia bënë disa prej tyre për zgjedhjen e këtyre grave të jetojnë e veprojnë si burra, shpesh edhe i ka shqetësuar ato.
“Burrneshat i kam takuar disa herë, në periudha të ndryshme, derisa një herë shiheshin si gra që kishin sakrifikuar jetën e tyre për familjen, shiheshin me admirim e respekt të madh, në moshën e shtyrë të tyre, ishin shumë të vetmuara, disa edhe të braktisura, për shkak të largimit të familjes nga veriu për në Tiranë apo edhe në perëndim”, thotë Kamberi, e cila për burrneshat ka folur edhe në Seminarin për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në gushtin e vjetëm, duke shfaqur edhe fotografi të Hazir Rekës. I ka prezantuar edhe në mediat evropiane.
“Në Kosovë, këto gra ‘u lanë rahat’ nga mediat dhe studiuesit ishin edhe më të paktë”, thotë Kamberi duke kujtuar se janë bërë studime.
Ndër të tjera edhe ai “Virgjëreshat e përbetuara” i Anton Kolës Berishajt, botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, por edhe nga të huajt, përderisa Antonia Young, “çuditërisht vonë” është përkthyer vitin e kaluar edhe në frëngjisht.

Jo rrallë rrëfimet për virgjëreshat e përbetuara janë bërë insipirim veprash letrare apo edhe filmash. Një histori për to, e ka edhe shkrimtarja kanadeze Alice Munro, fituese e çmimit “Nobel” për letërsi në vitin 2013, e cila nuk e trajton fenomenin në esencë por kap një tjetër kontekst.
Në vitin 1994, ajo do të botonte një tregim të shkurtër për virgjëreshat shqiptare. Tregimi do të botohej në librin “Open Secrets”, (“Sekretet e hapura”). Aty flitet për një grua të re që udhëton nëpër botë dhe që rrëmbehet nga banditët shqiptarë në vitin 1920. Tregimi ishte bazuar në një sekuencë të vërtetë të një bibliotekari në Clinton, Miss Rudd, i cili ishte ndarë nga grupi që po udhëtonte në Shqipëri. Munro, me ta dëgjuar këtë histori nga burri i saj, siç shkruhej në “New Yorker”, ishte futur në kërkim të verifikimit të disa detajeve në gazetat lokale në Shqipëri dhe Kanada të cilat kishin raportuar për rastin.
“Vazhdova të lexoja gjithçka që kishte të bënte me Shqipërinë. Erdha në një pikë në të cilën njerëzit më nuk donin që të humbja kohë duke kërkuar diçka në Shqipëri. Por më pas, u thashë se kam diçka interesante për t’u treguar nga ky vend”, kishte thënë Munro në një intervistë të vitit 1995, një vit pas botimit të librit. “Sigurisht, Munro si një shkrimtare e veçantë nuk do të zhytej vetëm në tregimin e një historie romantike në malet e larta të Shqipërisë”, shkruante “New Yorker” në atë kohë. Çfarë më të vërtetë kishte tërhequr vëmendjen e Munros ishte seksi.

“Për mua ishte jashtëzakonisht shokuese se si gratë të cilat bëheshin burra në Shqipëri kishin krejt të drejtat e tyre. Dhe më interesantja ishte se këto të drejta i fitonin duke hequr dorë nga marrëdhëniet seksuale me burra”, kishte thënë Munro.
Rasti i Munros e konfirmon pikërisht atë që thotë profesoresha Nerimane Kamberi.
“Edhe letërsia bashkëkohore (Neziraj, Favière, Donès) e trajtoi shumë këtë fenomen, shpesh duke iu larguar realitetit, apo duke prekur më shumë seksualitetin e tyre, gjë për të cilën ato nuk donin të flisnin”, thotë Kamberi.

Rrëfimet si këto, bota shpesh i ka bërë romantike. E, një konstatim si ky e bën edhe antropologia Janet Reineck, e cila ligjëron etnologji në Universitetin Amerikan të Kosovës. Kujton se fenomeni që i ngjan atij të burrneshave ekziston në krejt botën në variante të ndryshme.“Dhe ajo që është më interesante është se tash ky fenomen është bërë më i përhapur. Tash në shekullin XXI, nëpër krejt Evropën e në Amerikë, vende-vende në Azi, në Afrikë, ka njerëz për të cilët kjo është normale. E domethënia e kësaj është kjo: në këto momente historike njerëzit kanë mundësi me zgjedhë si duan të jetojnë. Në Amerikë ku jam unë, në Kaliforni, është shumë normale me jetu me seksualitet ose pa të. Nuk ka domethënie seksualiteti, por si dua të jetoj”, thotë Reineck tek nënvizon se është e vetëdijshme se një temë si kjo është jo pak e ndjeshme në Kosovë.Reineck thotë se çështja e burrneshave në Ballkan, tash është bërë realitet në mënyrë më moderne.
“Dhe është interesant të bëhet një hulumtim nga antropologët e rinj se çfarë lidhjeje ka ajo valë nëpër vende moderne me ato më epike dikur”, thotë Reineck duke e përsëritur se burrneshat për krejt botën janë interesante.
“Sidomos në Kosovë një vend patriarkal ku përpara askush nuk ka shku anash prej rregullave. ‘Ke me u feju kur i ke 15 a 16 vjet, ke me u martu dhe qaq. Bëj fëmijë, jetoni së bashku, familje e madhe’. Rregulla saktë të caktuara se si do me jetu. Sipas Kanunit, sipas rregullave. E me dalë dikush me ba diçka kaq ekstrem ndryshe, është interesante”, thotë ajo me portretin e Mire Lajçit në sfond. Të asaj që theu rregullat dhe vendosi për një tjetër jetë.
Nerimane Kamberi thekson se ndoshta studiuesit kanë mundur të merren më shumë me këtë fenomen në Kosovë.
“Këto burrnesha shpejt do të jenë një fenomen që i përkasin së kaluarës”, thotë Kamberi.
“Secila ka historinë e vet dhe përse ka vendosë me u ba burrneshë”, thotë Reineck.Mire Lajçi se zbuloi kurrë në thelb.
“U bana burrë dhe kaq”, ishte përgjigjja e burrneshës që s’u thye në zakonin e saj.
KOHA.net
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente