Mbi një mijë pelegrinë myslimanë vdesin nga temperaturat e larta në Arabinë Saudite
-Zëri i Amerikës-
Më shumë se një mijë vetë vdiqën gjatë pelegrinazhit të Haxhit në Arabinë Saudite, njoftuan autoritetet.
Besimtarët myslimanë u përballën me temperatura tepër të larta, që arritën deri në 46 gradë celsius, gjatë pelegrinazhit të këtij muaji në Mekë.
Më shumë se gjysma e të vdekurve ishin nga Egjjipti, sipas zyrtarëve në Kajro. Egjipti njoftoi heqjen e licencës për 16 agjenci udhëtimi që ndihmoi pelegrinë të paautorizuar që të udhëtonin në Arabinë Saudite, njoftuan autoritetet.
Arabia Saudite nuk ka komentuar mbi vdekjet gjatë pelegrinazhit.
Një nga pesë shtyllat e Islamit, Haxhi është një detyrë e shenjtë që çdo besimtar mysliman duhet të ndërmarrë të paktën një herë në jetë,
Qeveria e Egjipit njoftoi se 31 pelegrinë të autorizuar vdiqën për shkak të sëmundjeve kronike gjatë pelegrinazhit të këtij viti, por nuk dha shifra zyrtarë për besimtarët e tjerë.
Megjithatë, një zyrtar i qeverisë tha se të paktën 630 egjiptianë të tjerë vdiqën gjatë pelegrinazhit.
Autoritetet saudite penguan pelegrinët e paautorizuar, duke dëbuar dhjetëra mijëra njerëz. Por shumë, kryesisht egjiptianë, mundën të mbërrinin në vendet e shenjta brenda dhe përreth Mekës, disa në këmbë. Ndryshe nga pelegrinët e autorizuar, ata nuk kishin hotele për t’i shpëtuar vapës përvëluese.
Sipas të dhënave të agjencisë së lajmeve Associated Press, bilanci i të vdekurve përfshin 165 pelegrinë nga Indonezia, 98 nga India dhe dhjetra nga Jordania, Tunizia, Maroku, Algjeria dhe Malajzia. U njoftua edhe për vdekjen e dy pelegrinëve amerikanë.
Gjatë perudhës së Haxhit këtë vit temperaturat e larta varionin nga 46 në 49 gradë Celcius në Mekë dhe në vendet e shenjta përreth qytetit, sipas të dhënave të shërbimit meteorologjik në Arabinë Saudite.
Sipas të dhënave saudite, më shumë se 1. 83 milionë myslimanë ishin pjesë e pelegrinazhit të këtij viti./VOA/
Burimi