Marshim proteste nga “Fan Noli” te Ministria së Arsimit, kërkojnë hetim të plotë të vrasjes së 14-vjeçarit dhe siguri në shkolla
Qytetarë të shumtë kanë dalë sot për herë të tretë në protestë që pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani nga një bashkëmoshatar i tij në dyert e shkollës ku mësonin. Qytetarët kanë paraqitur një sërë kërkesash, mes tyre dhe dorëheqjen e ministres së Arsimit.
Po kështu ata kërkojnë zbardhjen e ngjarjes së rëndë që tronditi të madh e të vogël dhe drejtësi për Martinin, siguri për të gjithë fëmijët.
“Jam prind i tre fëmijëve, të tre te ‘Fan Noli’. Jemi shumë të shqetësuar nga ngjarja e fundit. Ne kërkojmë që shenjtëria e jetës njerëzore të jetë në radhë të parë. Kërkojmë më tepër siguri në shkolla, rritje të numrit të psikologëve. Një edukim të posaçëm të fëmijëve për shenjtërinë e jetës.
Bullizmi dhe armët e ftohta në shkolla duhet të marrin fund njëherë e mirë. Kemi pasur dhe në probleme, por jemi angazhuar për të mos i lënë të agravohen. Duhet një ndërgjegjësim dhe një edukim më i mirë. Nuk mjafton të marrë dhjeta dhe të jetë ekselent. Ne nuk do ta lëmë deri sa kjo çështje të ketë një zgjidhje, qoftë për hetimin e çështjes, qoftë për rritjen e sigurisë në shkolla”, tha një prind.
“Ajo që ka ndodhur te Fan Noli nuk është një rast i izoluar. Nëse do ketë kontrolle në shkolla të tjera do zbulohen shumë raste. Më tmerron dhe më bën të ndihem e pasigurt ajo që mund të ndodhë”, tha një qytetare.
Burimi