Kurti-Vuçiç takohen në Bruksel pas 9 mujave mungesë të dialogut, Borrell: Të nisë zbatimi i marrëveshjes
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti takon sot në Bruksel presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një rikthim të dialogut të nivelit të lartë pas 9 muajsh mungesë. Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, zhvilluan fillimisht takime të ndara me secilin prej liderëve, për t’ia lënë më pas vendin një ballafaqimi Kurti-Vuçiç.
Presidenti serb ka folur përpara takimit duke thënë se nuk pret asgjë nga bisedimet. “Pres që Kurti ta dramatizojë situatën dhe të më bërtasë derisa t’i them ndal, si zakonisht. Do të më thotë sërish ‘Putin i vogël’”, u shpreh Vuçiç për mediat serbe. Vuiçiç pretendoi se në tryezë do të kenë dikë që urren shumë serbet dhe jeton vetëm për t’i dëmtuar ata.
Temë kryesore është përcaktuar zbatimi i marrëveshjes së normalizimit me fokus të veçantë në bërjen e një bilanci në dialog, por edhe përcaktimi i një rruge për të ecur përpara. Në prag të takimit, shefi i diplomacisë së bllokut, Xhosef Borrell tha se shpreson që raundi i ri i dialogut do të përçojë një mesazh të ndryshëm. Ai kërkoi që më në fund të fillojë të implementohet marrëveshja e Ohrit.
Burimi