Kuke, Kanxheri, Shanaj, Flloko, Çaushi, “Kalorësit tempullarë” të artit të shtatë në një foto

Kuke, Kanxheri, Shanaj, Flloko, Çaushi, “Kalorësit tempullarë” të artit të shtatë në një foto

Albert Vataj
Janë takuar, miq dhe kolegë, prej 60 vjetësh, Pali Kuke, Niko Kanxheri, Mevlan Shanaj, Timo Flloko, Kastriot Çaushi, ndoshta për të kujtuar të shkuarën, për të ndalur kohën dhe për të dëshmuar se arti skenik shqiptar, ekrani, ka ende në këmbë ata që e lartësuan atë në tempull. Të thinjur dhe me vite të rënda që nuk kanë mundur t’i përkulin. Me buzëqeshjken që ende shkëlqen, një shpirtje që u lexohet qartë dhe ndihet e gjallë në dinamizmin e ardhjes në arsyen për t’u takuar dhe festuar. Po, për të kthyer ndonjë gotë e për të shkëmbyer copëza kujtimesh që u kthejnë të qeshurat dhe u kujtojnë “plagët” e rritjes dhe qëndresës që i bënë ikje-ardhjeve nëpër botë e vite.

Musketierët e Aleksandër Dymas ishin katër, por kalorësit tempullarë të artit të shtatë në këtë foto janë pesë. Pesë personalitetet e ekranit, Pali Kuke, Niko Kanxheri, Mevlan Shanaj, Timo Flloko dhe Kastriot Çaushi,  përfaqësojnë një formë moderne të kalorësve të shenjtë, jo me shpata, por me talent, pasion dhe shpirt të paepur përkushtimi ndaj teatrit dhe kinemasë, ndaj asaj vlerë përfaqësimi dhe kulmimi shprehës, i cili, pavarësisht strukturës ideologjike dhe trysnisë së dogmës, u bë gjaku i kohës, vërshimi i ndjenjës përjetuese dhe gjithëpranimi, si shkas për të jetuar të bukurën përmes përkatësisë së artit.
Ata janë gardianët e një trashëgimie kulturore që, pa sakrificën e tyre, do të zhbëhej përballë sipërfaqësisë dhe konsumizmit të kohëve moderne.
Në këtë kontekst, ata nuk janë thjesht aktorë apo regjisorë; ata janë ruajtës të një arti që edukon, ndriçon dhe ndërton ndërgjegjen kolektive. Sikurse musketierët e Dymas mbrojtën kauzën e tyre me shpata dhe zgjuarsi, këta pesë artistë kanë mbrojtur dinjitetin e skenës shqiptare me talentin dhe përkushtimin e tyre të palëkundur.
Ata vijnë në këtë fotografi, në këtë grishje, si një shprehje e kohëshmërisë, e pranishme në vepër dhe në shpirtin e tyre, pavarësisht rrëmujës së një bote që gjithnjë e më shumë i dorëzohet sipërfaqësisë dhe boshllëkut.
Kush janë ata dhe çfarë i ka mbajtur të bashkuar për 60 vite? Kjo nuk është një pyetje, por një grishje që na thërret. Është një ndërgjegje që sëmbon secilin prej nesh, ne që u rritëm me artin e tyre, me lojën që na magjepsi dhe me magjinë që ata e skalitën në traditën e artit tonë skenik. Një traditë që, pa kontributin e tyre, do të ishte jo vetëm e paplotë, por e gjymtuar.
Ata sot janë të shkuar në vite, por kanë shpirtin e një rinie që nuk tretet. Dhe ky shpirt i thërret në gëzime si ky takim, i memorizuar në një fotografi që flet më shumë se fjalët. Një kujtesë e gjallë se këto personalitete nuk janë vetëm aktorët tanë të preferuar, por edhe profesorët, mëkuesit dhe prijësit e dijes në artin skenik.
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente