Konaku i pushtetit dhe përditshmëria prishtinase e vitit 1879
Nga: Skënder Latifi
Rreth vitit 1879 me ndërtimin e konakut të pashës, Prishtina e forcoi dukshëm rolin e qendrës administrative – civile. Në vitin 1880 u hap “Zirat bankë“ e centralizuar, e cila njëherësh paraqiste fuzionimin e degëve të mëparshme të arkave lokale dhe qëllimi i bankës së re ishte financimi i bujqësisë, degë kjo e cila shërbente si bazë e zhvillimit ekonomik. Çmimet e artikujve, por edhe të mëditjeve të zakonshme ishin thuajse të barabartë me Prizrenin. Por kapja ishte e shtrenjtë. Në këtë pjesë të tekstit shpaloset edhe hapja e Konsullatës së Serbisë në Prishtinë më 15 nëntor të vitit 1889 sikurse dhe një rast i plaçkitjes së artefakteve në KosovëMe riorganizimet administrative përbrenda vetë Perandorisë Osmane, u krijuan dy vizione që dukshëm dallonin mes vete. Përderisa pushteti ishte i bindur se më në fund e kishte nisur rrugën e modernizmit, në anën tjetër lëvizjet etnike të popujve ballkanikë forcoheshin ditë-ditës dhe sa u përket sllavëve në Ballkan, ata ishin të dirigjuar plotësisht nga Rusia.
Dhe pikërisht në rrugën e modernizimit të nxitur dhe përkrahur prej pushtetit qendror, Prishtina që deri në këtë kohë ishte më tepër si qendër e karakterit ushtarak, pra rreth vitit 1879 me ndërtimin e konakut të pashës e forcoi dukshëm rolin e qendrës administrative – civile. Do të jetë vetë Ibrahim Pasha, pushtetari i parë që solemnisht do të vendoset në konakun e ngritur. Të kujtojmë se ky konak deri në kohën e Luftës së Parë Ballkanike do të jetë njëherësh edhe selia e pushtetit vendor, për ta vazhduar funksionin e njëjtë edhe më vonë.
Hapja e “Zirat bankës” dhe çmimet në Prishtinën e vitit 1880
Po ashtu nën bindjen dhe shijen e zhvillimit dhe të përparimit në vitin 1880 në Prishtinë u hap “Zirat bankë“ e centralizuar e cila njëherësh paraqiste fuzionimin e degëve të mëparshme të arkave lokale dhe qëllimi i bankës së re ishte financimi i bujqësisë, degë kjo e cila shërbente si bazë e zhvillimit ekonomik. Ndërsa në Prishtinën tashmë edhe si qendër bankare, sa u përket çmimeve të artikujve, por edhe mëditjeve të zakonshme gjendja ishte thuajse e barabartë me Prizrenin vetëm me disa dallime jo edhe aq të mëdha.
Kështu çmimi i misrit në Prishtinë ishte 24 pare, ndërsa në Prizren oka e misrit kushtonte 35 pare, fasulja në Prishtinë kushtonte 2 groshë në Prizren 1 grosh e 12 pare. Oka e miellit të misrit në Prishtinë shitej për 1 grosh e 32 pare, në Prizren një okë shitej për 1 grosh e 5 pare. Çmimi i një buke ishte më i lartë në Prizren 1 grosh e 10 pare, ndërsa në Prishtinë buka kushtonte vetëm 1 grosh. Prishtinasi e blinte një okë sheqer për 4 groshë e 20 pare, ndërsa prizrenasi e blinte më lirë: 3 groshë e 30 pare. Është interesante se në këtë kohë në Vilajetin e Kosovës ekzistonin dy lloje të kripërave: e bardha dhe e zeza. Një okë e kripës së bardhë në Prishtinë shitej për 1 grosh, ndërsa në Priren, 1 grosh e 10 pare. Një okë kripë e zezë në Prishtinë shitej për 1 grosh e 10 pare, në Prizren dallimi ishte për dhjetë pare më shtrenjtë.
Dy lloje kripërash dhe kafeja e shtrenjtë
Për dallim të artikujve të ndryshëm, çmimi i kafesë ishte bukur i lartë. Një okë kafe në Prishtinë mund të blihej për 18 groshë, ndërsa në Prizren oka e kafesë kushtonte 16 groshë. Çmimi i duhanit në Prishtinë ishte 6 – 23 groshë për një okë, në Prizren ishte më shtrenjtë nga 8 – 20 groshë. Një qerre dru në Prishtinë mund të blihej për 12 groshë, në Prizren gati dyfish më shtrenjtë, 23 groshë, gjithashtu edhe mishi ishte më shtrenjtë në Prizren, ku një okë mish lope kushtonte 9 groshë, ndërsa në Prishtinë vetëm 2 groshë, çmim të njëjtë në të dy qendrat, nga 3 groshë kishte mishi i deles dhe ai dhisë që kushtonte 2 groshë. Dallimi ekzistonte edhe në mëditjet e punëtorëve dhe mund të thuhet se prizrenasit e paguanin më mirë djersën e punëtorit, 7 groshë, ndërsa në Prishtinë mëditja paguhej 4 groshë.
Gjendja në fqinjësinë e Kosovës
Sa i përket gjendjes në fqinjësinë e Vilajetit të Kosovës, pak vjet para dërgimit të konsullit të parë serb në Prishtinë, njëri prej historianëve të njohur serb, Dimitrije Gjorgjeviq (1922 – 2009) ka shkruar se në vitin 1880, pra në kohën e hapjes së “Zirat bankës“ në Prishtinë në principatën e Serbisë 87,5 për qind (ose rreth 1,6 milionë) e popullsisë së përgjithshme jetonte në fshat dhe fshatarësia e përfaqësonte pjesën më të madhe të popullsisë së Serbisë. Ky autor më tej ka sqaruar se “duke qenë i shfrytëzuar prej vitesh nën administrimin e huaj dhe shpesh i ekspozuar ndaj arbitraritetit të burokracisë në shtetin e ri, fshatari serb e kishte ndërtuar një rezistencë instinktive dhe një qëndrim mosbesim ndaj qytetit dhe shtetit. Ndërsa në ato pak qytete që mund të llogariteshin si të tillë në Serbi, numri i nxënësve sipas popullsisë ishte 1:12, në fshat ishte 1:58. Më pastaj në vitin 1880 përqindja e përgjithshme e analfabetizmit në të gjithë vendin ishte mbi 80 për qind“. Mund të thuhet se si pasojë e rrethanave të tilla, Rusia e atëhershme në vitin 1877 ia doli që ta fusë Serbinë në luftë me shumë gjasë pa dëshirën e saj.
“Ju do t’i merrni ndihmë një milion rubla në argjend! Por, mos harroni t’i thoni princit (serb) dhe më kuptoni mirë se: nëse Serbia nuk e kalon kufirin në afat prej njëzet ditëve, ajo është e humbur dhe ardhmëria e saj është e komprometuar”, ishte kërkesa e përfaqësuesit rus në Petrograd e shprehur para përfaqësuesve serbë. Të kujtojmë se në këtë luftë kishte edhe pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të ushtarakëve dhe trupave ruse. Por, megjithatë, pas arritjes së paqes marrëdhëniet diplomatike midis Perandorisë Osmane dhe principatës së Serbisë u ripërtërinë, edhe pse emërimi i përfaqësuesve diplomatikë zgjati për disa vjet. Më saktësisht bisedimet për arritjen e marrëveshjes konsullore midis dy vendeve nisën në vitin 1879, kur në Beograd mbërriti ambasadori i porsaemëruar i Turqisë, Sermet Efendia. Mirëpo, kaluan plot tre vjet kur më 18 shkurt të vitin 1882, ministri i atëhershëm i punëve të jashtme i Turqisë, Asim Pasha u pajtua për fillimin e bisedimeve. Shtatë vjet më vonë, gjegjësisht në vitin 1887 nisi hapja e konsullatave serbe në Shkup dhe Selanik, ndërsa në vitin 1889 konsullatat u hapën në Prishtinë dhe Manastir. Konsullata në Prishtinë njëherësh e mbulonte tërë territorin e Vilajetit të Kosovës. Krahas konsullatave të hapura serbe në qendrat e sipërpërmendura, megjithatë nuk duhet lënë anash aktivitetin e një organizate nacionaliste të quajtur “Shën Sava”, e cila ishte themeluar në vitin 1886 dhe anëtarët e kësaj organizate e morën mbi vete zbatimin e detyrave të rëndësishme në Kosovë dhe Maqedoni. Bartës të aktiviteteve të organizatës “Shën Sava” ishin mësuesit serbë, priftërinjtë dhe personalitete të tjera, që dalëngadalë do të arrinin që ta instrumentalizojnë pakicën serbe në tokat shqiptare.
Kështu, edhe në dokumente arkivore është dëshmuar se pas formimit të organizatës “Shën Sava”, në kuadër të Ministrisë së Arsimit të Serbisë ishte ngritur “seksioni për shkollat dhe kishat serbe jashtë Serbisë”. Dy vjet më vonë pra në 1888 ky seksion u transferua në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ndërsa në veprimtarinë konkrete hapja e konsullatës serbe në Prishtinë, nënkuptonte prezencën fizike të përfaqësuesve zyrtarë të Serbisë në Vilajetin e Kosovës.
Ndërsa në prag të hapjes së konsullatës, i paguar prej qarqeve nacionaliste serbe në Prishtinë qëndroi, gazetari austriak, Leo Brener alias Spiridon Gopçeviq (1855 – 1928), i cili ka shkruar se e ka gjetur Prishtinën me 3510 shtëpi dhe me 17 550 banorë.
Arritja e konsullit të parë serb në Vilajetin e Kosovës dhe vrasja e tij
Konsullata e Serbisë në Prishtinë u hap më 15 nëntor të vitit 1889 dhe ajo ndodhej buzë rrugës kryesore, rreth njëqind metra larg spitalit ushtarak.
Në rrjedhën e fillimit të veprimtarisë së konsullatës serbe në Prishtinë, konsulli i parë, Lluka Marinkoviq, arriti në Prishtinë në nëntor të vitit 1889, ndërsa raporti i parë zyrtar i dërguar nga Prishtina e mban datën e 29 janarit të vitit 1890. Por, është për t’u habitur se teksti përfundimtar i konventës konsullore midis Turqisë dhe Serbisë u përfundua në vitin 1888, ndërsa ratifikimi u bë shumë vonë, gjegjësisht më 9 mars të vitit 1896. Mirëpo, pala serbe ngeli e pakënaqur, përkundër nënshkrimit të konventës, sepse versioni i saj ndryshonte me konventat që Turqia i kishte nënshkruar me disa shtete të tjera të Evropës.
“Që prej kur e kam hapur konsullatën në Prishtinë, jam shumë i zënë. Që nga dhjetori i vitit të kaluar e deri më sot këtu në konsullatë vijnë shumë njerëz, prandaj edhe nuk po gjej kohë të shkruaj. Me padurim jam duke pritur ardhjen e z. M. Veselinoviq (nëpunës në konsullatën e Serbisë në Shkup) dhe vetëm atëherë raportet për tregtinë, ushtrinë, shkollat do të mund të dërgohen me kohë por nëse e kërkon nevoja të dërgohen edhe raporte zyrtare apo konfidenciale”, ishte njëri prej raporteve konfidenciale të konsullit Lluka Marinkoviq nisur nga Prishtina më 5 janar 1890.
Megjithatë, është interesant fakti se qysh në fillim të veprimtarisë konkrete politike në Vilajetin e Kosovës, konsulli Marinkoviq, por edhe vetë pjesëtarët e pakicës serbe ishin të gatshëm që të bashkëpunonin në çdo fushë me konsullatën serbe, pavarësisht nivelit të ulët shkollor që ata e atëbotë e kishin.
Plaçkitja e artefakteve në Kosovë, rasti i statujës së argjendtë
Po e nisim me shembullin e mëposhtëm që është dëshmi e plaçkitjes së artefakteve si pjesë e trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe dërgimi i tyre në Beograd.
“Më duhet ta informoj zotëri kryetarin se sot njëfarë Kosta Steviqi, argjendari i këtushëm ma solli një statujë të një heroi të derdhur në argjend. Në kokë heroi e kishte një helmetë dhe ishte i veshur në uniformë…. Kjo statujë është gjetur në afërsi të varrit të sulltan Muratit nga ana e muhaxhirëve në Mazgit, të cilët kanë qenë duke e prashitur misrin, kështu që pronari Kosta ma afroi statujën që ajo të dërgohet në Beograd. Vetë Kosta më tha se përfaqësuesi i shtëpisë së vëllezërve, Alatini (hebrenj me origjinë nga Italia) në Prishtinë ia kishte afruar gjashtë lira turke për të, por pas blerjes ajo do të dërgohej në Selanik”.
Ndërsa i bindur thellë se serbët në Prishtinë ishin të frikësuar, konsulli Lluka Marinkoviq e kishte vendosur që kohën e pushimit dimër-pranverë ta shfrytëzonte duke dalë në Çarshinë e Prishtinës me qëllim të njohjes me botën tregtare të qytetit.
Ndonëse, në shumë raporte ndërkombëtare të kohës kryeqendra e Kosovës, Prishtina paraqitet si çerdhe e figurave fetare myslimane që veçohen me konservatorizmin e tyre, një raport i konsullit Marinkoviq flet për veprimtarinë e “Shoqërisë Misionare Biblike të Amerikës” në kryeqendrën e Kosovës. Vetë prishtinasit kishin dëshmuar se çdo të dytin apo tretin vit në Prishtinë vinte një prift protestant nga Manastiri nga kolegji i atjeshëm. “Edhe këtë vit (1890) prej Manastiri këtu do të vijë prifti me emrin Bert”, shkruante ai.
Ndërsa duhet të potencohet se konsujt që zgjidheshin për të shërbyer në Turqinë Evropiane duhej ta njihnin turqishten, greqishten, por edhe njëfarë mase edhe frëngjishten, ndërsa në këtë kohë komandant i ushtrisë osmane në Prishtinë ishte “Mehmet Rafet beu një burrë pesëdhjetë vjeçar që kishte marrë pjesë në luftë kundër rusëve, bile pasi ishte zënë rob i kishte kaluar shtatë muaj në burgjet e Rusisë. Mehmet Rafet beu ishte nga Anadolli. Bylykbash ishte Osman beu po ashtu pesëdhjetë vjeçar, po ashtu pjesëmarrës i luftës kundër Rusisë”.KOHA.net
Burimi