Izraeli nuk lejon mijëra palestinezë që të kthehen në veri të Gazës
Palestinezët e zhvendosur mbledhin gjërat e tyre pranë një pike kontrolli në rrugën al Rashid, ndërsa presin të kthehen në shtëpitë e tyre në pjesën veriore të Rripit të Gazës. 26 janar 2025.
Izraeli bllokoi mijëra palestinezë që të ktheheshin në veri të Gazës ndërsa akuzoi Hamasin se nuk ka respektuar marrëveshjen sa përket rendit të pengjeve që duheshin liruar. Autoritetet lokale thanë të dielën se forcat izraelite qëlluan mbi turma duke vrarë 2 persona dhe duke plagosur shtatë të tjerë.
Sipas marrëveshjes së armëpushimit Izrael-Hamas, Izraeli të shtunën do duhej të fillonte t’i lejonte palestinezët të ktheheshin në shtëpitë e tyre në Gazën veriore, në këmbë përmes të ashtuquajturit korridori Netzarim që përshkon mes për mes Gazën. Izraeli vendosi të mos e bëjë një gjë të tillë derisa Hamasi të lirojë një peng për të cilin Izraeli tha se supozohej të ishte liruar të shtunën. Hamasi nga ana e tij akuzoi Izraelin për shkelje të marrëveshjes.
Në një tjetër zhvillim, Presidenti Donald Trump sugjeroi që pjesa më e madhe e popullsisë së Gazës duhet të zhvendoset përkohësisht diku tjetër, përfshirë në Egjipt dhe Jordani në mënyrë që të bëhet e mundur siç u shpreh ai “pastrimi” i të gjithë rajonit të shkatërruar nga lufta.
Më herët, Egjipti, Jordania dhe vetë palestinezët kanë refuzuar një ide të tillë, pasi druhen se Izraeli mund të mos lejojë më kurrë kthimin e të zhvendosurve në Gazë.
Burimi