Ilir Meta, mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Bejkush Birçes
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar pas ndarjes nga jeta të legjendës së futbollit, Bejkush Birçe.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Meta thotë se “Birçe ishte një edukator model, kërkues, i rreptë por i drejtë dhe plot integritet dhe një patriot i vërtetë që la gjurmë të jashtëzakonshme kudo që shërbeu”.
Ilir Meta thekson se gjenerata të tëra do ta kujtojnë Bejkush Birçen me nostalgji dhe respekt.
Reagimi i Ilir Metës
Thellësisht i trishtuar për ndarjen nga jeta të njërit prej legjendave të sportit shqiptar, Mjeshtrit të Madh dhe trajnerit të kampionëve, Bejkush Birçe.
Një edukator model, kërkues, i rreptë por i drejtë dhe me plot integritet, ai ishte një patriot i vërtetë i cili la gjurmë të jashtëzakonshme kudo ku shërbeu.
Gjenerata të tëra do ta kujtojnë me nostalgji dhe respekt.
Ai ishte një bibliotekë e gjallë e historisë të sportit tonë, nga boksi te futbolli, duke lënë pas një trashëgimi shumë të vyer, që gjithmonë do të nderohet me mirënjohje.
Trajner i “Partizanit” të madh, i “Naftëtarit” të papërsëritshëm, i “Flamurtarit” luftarak, i “Lokomotivës”, i “Dinamos” kampione por edhe i Ekipit Kombëtar të pas viteve ’90 në momentet më të vështira të kuqezinjve, ai dha kontribute të jashtëzakonshme dhe të vlerësuara për modernizimin e futbollit shqiptar.
I nderuar ta kisha dy herë mik edhe nga babai im edhe personalisht.
Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, bashkëpunëtorët dhe komunitetin e dashur të sportit për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme!
Ai do të mbetet përgjithmonë në zemrat tona ashtu i gjallë, motivues dhe i paepur!
I paharruar kujtimi i tij! Të prehet në paqen e merituar!
Burimi