Ibrahim Rugova, arkitekti i politikës paqësore, përfaqësuesi i shpirtit të një kombi

Ibrahim Rugova, arkitekti i politikës paqësore, përfaqësuesi i shpirtit të një kombi

Nga Albert Vataj
Sot, në përvjetorin e ndarjes nga jeta, kujtojmë me respekt të thellë Ibrahim Rugovën, personalitetin që përfaqësoi shpirtin e një kombi të tërë në rrugëtimin drejt lirisë dhe pavarësisë. Si lider i parë i Kosovës së pasluftës dhe arkitekt i politikës paqësore, Rugova mbetet simbol i vizionit dhe guximit të pathyeshëm.

I lindur më 2 dhjetor 1944 në Cerrcë të Istogut, Rugova u formua si intelektual i shquar, studiues i letërsisë dhe filozof i thellë, duke sjellë një qasje unike në politikën shqiptare. Në momentet më të errëta për Kosovën, ai zgjodhi rrugën e dialogut dhe rezistencës paqësore, duke e shndërruar atë në një kauzë universale për drejtësi dhe dinjitet njerëzor.
Me thjeshtësinë dhe urtësinë e tij, Rugova ndërtoi ura miqësie ndërkombëtare, duke fituar respektin e liderëve botërorë dhe duke sjellë çështjen e Kosovës në qendër të vëmendjes globale. Ai ishte një përfaqësues i rrallë i kombit, që bashkoi intelektin me përulësinë dhe forcën me paqen.
Sot, kujtesa për Ibrahim Rugovën është një frymëzim i pashtershëm për të vazhduar rrugën e tij drejt një Kosove të lirë, demokratike dhe të barabartë në mesin e kombeve. Trashëgimia e tij është një testament i gjallë i asaj që vizioni dhe vlerat mund të arrijnë kur lidershipi dhe populli bëhen një.
Më 21 janar 2006 u nda nga gjithçka kishte më të shtrenjtë, për të merituar pavdekësinë, ai, ai që diti të ishte dhe të bënte si pakkush tjetër, kur interesat e bashkëkombësve të tij cenoheshin nga urrejtja më e përbindshme, ajo serbe.

Me urtësi dhe maturi, me përkushtim e vetëmohim, ai u përpoq me mish e me shpirt që Kosova të gëzonte pavarësinë, kosovarët të ishin zot në tokat e të parëve.
Bota shqiptare nuk do ta ketë fatin me e njoft s’dyherë në historinë e vet një personalitet të këtillë, paqësor, vizionar dhe dijeshumë. Mirënjohje për krejtçka skaliti në memuarin e gjithëshqiptarisë ky burr i madh.
Ibrahim Rugova, iku, në një janar të akullt po la pas pranverën e ëndrrës së tij të madhe, Pavarësinë e Kosovës.
Ai iku, mirëpo la pas shumë, mbase më shumë se çdo politikan, sepse ai më së paku ishte politikan. Ai ishte një humanist i pashembullt, i prirur nga idetë me sublime të etikës dhe politikës, të cilat i sintetizoi drejt një ideali sublim, që kapërcente kufijtë e pavarësisë dhe rikthente shqiptarët në shtratin e tyre natyral perëndimor, pa ekoivoke e interpretime deshakëqija.

Rugova ishte një artist i mirëfilltë, i cili njohu eksperiencat më të sofistikuara të artit botëror e shqiptar. Rugova ishte një moralist i madh, sa për shumëçka tejkalonte edhe vetë predikatoret e ndryshëm religjioz. Ai ishte një filozof, i cili fjalën e latonte aq mirë, sa brenda saj shtresoheheshin shumë domethënie, që bota për rreth tij vështirë i kuptonte. Rugova ishte një studiues i jashtëzakonshëm, i traditës dhe i modernes, i pakompromis me dukuritë degraduese në art e letërsi- një studiues që letërsisë sonë i mungon edhe sot. Dhe pra, Ai ishte një politikan karizmatik, që këtij domeni kaq shumë të urryer ndër shqiptar, i dha dimension tjetër, duke e përmbush me shpirtin e fisëm të thellësive filozofike e letrare, etike e nacionale. Kësisoj, u bë përjetësisht një Ikonë Kombëtare.
Misionari nuk vdes. mëton në një përshpitje Ndue Ukaj. Ai, si orakull, predikon për misionin, bashkon grigjën rreth idesë së shenjtë të misionit dhe shkon në Përjetësi, duke lënë pas vete shpirtin, frymën e misionit, që enden si shkëndija udhërrëfyese për breza të tëra”.
I përjetshëm qoftë në kujtesën e brezave, emri, vepra dhe shembulli i pashoq i të pavdekshmit, Ibrahim Rugova.

Ibrahim Rugova ka botuar këto vepra:– Prekje lirike, Rilindja, Prishtinë, 1971,– Kah teoria, Rilindja, Prishtinë, 1978,– Bibliografia e kritikës letrare shqiptare 1944-1974, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1976 (së bashku me Isak Shemën),– Kritika letrare (Nga De Rada te Migjeni), Rilindja, Prishtinë, 1979 (së bashku me Sabri Hamitin)– Strategjia e kuptimit, Rilindja, Prishtinë, 1980– Vepra e Bogdanit 1675-1685, Rilindja, Prishtinë, 1982,– Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1986– Refuzimi estetik, Rilindja, Prishtinë, 1987,– Pavarësia dhe demokracia, Fjala, Prishtinë, 1991,– Çështja e Kosovës, Dukagjini, Pejë, 1994,– Kompleti i veprave të Ibrahim Rugovës në tetë vëllime, Faik Konica, Prishtinë, 2005Çmimet dhe titujt ndërkombëtarë të Ibrahim Rugovës:– Më 1995, Dr. Ibrahim Rugovës iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë.– Më 1996, Dr. Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII, Sorbonë, Francë.– Më 1998, Dr. Ibrahim Rugovës iu nda Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian.– Në vitin 1999, Dr. Rugova mori Çmimin për paqe të qytetit Mynster, Gjermani, ndërsa u shpall qytetar nderi i qyteteve italiane: Venedik, Milano dhe Breshia.– Në vitin 2000, Dr. Ibrahim Rugova mori çmimin për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguerra” në Barcelonë, Spanjë.– Në vitin 2004 Dr. Ibrahim Rugova u nderua me Çmimin e Evropës, Senator Nderi nga Fondacioni panevropian Coudenhove-Kalergi.– U nderua gjithashtu nga Komonuelthi i Pensilvanisë (SHBA), “Mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.– Më 2004, Dr. Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Tiranës.
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente