Gjergj Kastriot – Skënderbeu, biri i Dibrës dhe legjendari i historisë së Evropës

Gjergj Kastriot – Skënderbeu, biri i Dibrës dhe legjendari i historisë së Evropës

Nga Halil TeodoriStudiues, historianNew York, SHBA
Për Gjergj Kastrioti –Skënderbeu është shkruar nga autorë të shumtë. Për të janë thurur himne e ditirambe, janë realizuar portrete nga mjeshtra të kohës, janë bërë opera dhe dhjetëra memoriale, monumente dhe skulptura. Ka udhëtuar kjo figurë historike nëpër kohë, për të mbetur emblematik në qëndresën që ai i bëri ushtrisë së përbindshme osmane dhe sulltanëve të saj që synon të hynin me kuajt e tyre në tempujt e shenjtë katolik.

Çdo komb ka një Hero Kombëtar, por rrallë i ndodh një vendi kaq të vogël si Shqipëria të ketë për të tillë, një figurë si Gjergj Kastriot –Skënderbeun, fama, bëmat dhe lavdia e të cilit do të kapërcenin kontinente dhe epoka, për të mbetur e lartë, si akt hyjnie. Kjo jo thjeshtë se për 25 vjet ai e ktheu Shqipërinë në një barrierë të sigurt ndaj ushtrive turke, por njëkohësisht ai u bë barrierë që osmanët mos të përparonin më tej në Evropë. Për këtë qëllim Evropa e njeh Skënderbeun si një “Kalorës i Krishtit”, një mbret dhe një luftëtar, një strateg dhe një fisnik që u ngulit thellë në kujtesën e kohës.

Gjergj Kastriot – Skënderbeu, lind në Dibër, më 6 maj të vitit 1405. Vdiq në qytetin e Lezhës, më 17 janar të vitit 1468. Ai jetoi 62 vjet, 9 muaj e 12 ditë. Skënderbeu është figura më e shquar në historinë e Shqipërisë. Ai ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit, princit të Shqipërisë së Veriut dhe i princeshës Vojsava. Gjergji ishte fëmija i fundit midis 4 djemve dhe 5 vajzave. Gjergj Kastriot u martua me Donika Aranitin nga Kanina e Vlorës dhe me të pati një djalë, Gjonin, emrin e të cilit ia vuri për nder të të atit. Për nder të të atit, i biri i Gjonit mori emrin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Vlera më e lartë kombëtare e figurës së tij është se për 25 vjet ai mbajti larg Shqipërisë ushtrinë turke, duke e thyer pothuajse në çdo betejë. Janë të shumta betejat e fituara nga Skënderbeu së bashku me ushtrinë e tij.
Rrugëtimi i tij historik kaloi përmes peripecish të shumta, betejash të pafundme, mosmarrëveshjesh dhe përplasjesh, tradhtishë dhe intrigash, nga të huajt dhe nga të farës së tij, siç ndodhte çdo burrështetasi të kohës. Betejat dhe fitoret e tij janë emblematike, për natyrën e tyre dhe strategjinë e përdorur, të tilla sa kanë befasuar çdo historian dhe prijës. Sepse Skënderbeu, burri i Dibrës dhe gjaku i Arbërit kishte ardhur të futej në histori jo si komandant lufte, si kryezot, por si një legjendë.
Historia e Skënderbeut është themeli i të gjithë historive, të cilat tregojnë shtegun nga ka kaluar populli ynë në udhën e gjatë të qëndresës dhe qytetërimit, rrugëtim i cili është i shtruar me sakrificat më sublime dhe blatimet më të shenjta. Figura e Heroit Tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është një nga më madhështoret e gjithë asaj rrëfenje që ka ardhur deri në ditët tona. Nuk kishte më të lavdishme deri atëherë dhe nuk do të kishte derimtash një gjurmë yjesh në shkrepëtimën shëmbëllimit të dritës së hyjnis. E tillë është historia e këtij zemërluani, mendjendrituri dhe strategu të shquar të artit të luftës. Të tilla janë bëmat dhe trimëritë, urtësitë dhe gjenialitetet e zgjidhjeve vendimtare për fatin e luftës dhe lirisë. Ai ka kapluar kufinjtë e legjendës, sepse e këtyre përmasave ishte ardhja e tij.
***

Ishte 17 janari i vitit 1468, kur kryezoti i Arbërisë, i cili kishte ditë të dergjej në shtratin e vdekjes, do të ndërronte jetë në moshën 63-vjeçare në vitin e 24 të mbretërimit. Askush më mirë se prifti shkodran, Marin Barletri nuk e ka përshkruar këtë fatkob, këtë humbje që nuk tronditi vetëm “dyert e Epirit dhe Maqedonisë”, siç shkruan historiani, por gjithë Evropën. Sepse me vdekjen e tij ishte çarë mburoja e papërshkueshme e kontinentit që ende nuk kishte rënë në thundërn e mizorisë turke.
“– Mblidhuni, mblidhuni të gjithë o princër e sundimtarë arbëror.
Sot u bënë copë dyert e Epirit dhe Maqedonisë, sot u rrëzuan muret dhe fortesat tona, sot fluturoi tërë forca dhe fuqia jonë, sot u përmbysen fronet dhe pushtetet tona, sot u shua krejt së bashku me këtë njeri çdo shpresë jona, i tha këto fjalë Lekë Dukagjini me të dhënë lajmin për vdekjen e Skënderbeut.
Trupi i tij u varros në kishën e Shën Kollit në Lisus. Ceremonia e lamtumirës ishte e denjë për një mbret. Erdhën nga çdo kënd i botës të dërguar dhe ngushëllime që paqësonin plagën e kësaj humbje të rëndë që kishte pësuar Arbëria.

…atë natë- shkruan Marin Barleti në “Histori e Skënderbeut”, që ushtria turke dhe barbare mori arratinë, Skënderbeut, pas pendimit të shenjtë dhe rrëfimit dhe pas misteresh të tjera kishtare që i bëri me respektin e duhur, vdiq duke e dorëzuar veten dhe shpirtin Zotit të madh, më 17 janar të vitit 1466.
Skënderbeu, vijon Barleti, thuhet se u nda këso jete në moshën 63-vjeçare, në vitin e 24 të mbretërimit të tij.
Kur e dëgjoi se po qanin të vdekurin, Lekë Dukagjini, princi epirot, doli me vrap në mes të pazarit dhe me fytyrë të pikëlluar e më zë të mbytur tha, duke shkulur mjekrën dhe flokët: “Mblidhuni, mblidhuni me vrap të gjithë o princër e sundimtarë arbëror. Sot u bënë copë dyer e Epirit dhe të Maqedonisë, sot u rrëzuan muret dhe fortesat tona, sot fluturoi tërë forca dhe fuqia jonë, sot u përmbysën fronet e pushtetit tonë, sot u shumë krejt së bashku me këtë njeri çdo shpresë e jona.”
Gjithashtu, gjatë kohës që ai (Skënderbeu) po vdiste, kali, të cilin e shalonte kur e kishte për tu përleshur, u bë aq shumë i egër, i tërbuar dhe i pafrenueshëm, saqë s’donte të mbante më njeri mbi shpinë dhe pas pak mbaroi edhe ai.

Padyshim që Gjergj Kastrioti – Skëndërbeu, ishte një e vërtetë e ndritshme në sytë tanë dhe në historinë e botës. Ai është një kapitull sakrificash dhe lavdie, luftrash të përgjakshme dhe përpjekjesh të paepura për të dëshmuar të drejtën e triumfit.
Si rrjedhim, me rezistencën e tyre ato u dhanë mundësi shteteve evropiane të kapërcenin përçarjet që kishin midis tyre dhe të përgatiteshin për të përballuar, ashtu siç e përballuan më vonë, valën e invazorëve lindorë. Për këtë rol historik që luajti Shqipëria dhe Skënderbeu, krerët e shteteve të Evropës ishin të ndërgjegjshëm që kur ishte gjallë Heroi. Ky rol u duk që në vitin 1450, kur sulltan Murati II erdhi në Shqipëri në krye të mbarë ushtrisë perandorake për të hapur rrrugën drejt Gadishullit Italik. Por siç dihet, atë vit ushtria osmane, u gozhdua në kalanë e Krujës, të cilën  megjithë përpjekjet katër mujore, Sulltani nuk e shtiu dot në dorë. Madje vetë Skënderbeu ishte i ndërgjeshëm se në Krujë luhej jo vetëm fati i Shqipërisë, por edhe ai i Evropës. Këtë e thotë vetë Skënderbeu në letrën që i drejtonte princit Italian të Tarantit G. A. Orsini, më 31 tetor, kur i shkruan: “Nëse unë do të isha mundur nga turqit, sigurisht Italia do ta kishte pësuar dhe si pasojë, ai zotërim që ju tani thoni se është i juaji, do të ishte i turqve”. Për këtë rol të rëndësishëm që po luante Shqipëria ishin të ndërgjegjshëm edhe fuqitë e Evropës, në mënyrë të veçantë, shtetet e krishtera që ndodheshin më pranë rrezikut osman. Për këtë arsye, fitorja që korrën shqiptarët në Krujë më 1450 ngjalli entuziasmin e Republikës së Raguzës. Shprehje e këtij entuziasmi  janë përgëzimet që raguzianët i drejtuan Skënderbeut pas disfatës së Sulltanit. “Me të vërtetë – shkruanin ata –ju përballuat me një ushtri të vogël- gjithë ato turma të panumërta të turqve, i dolët zot qytetit dhe kështjellave tuaja të paprekura kundër hovit dhe peshës së gjithë asaj përgatitjeje dhe për këtë punë do të fitoni shpërblim të amëshuar pranë Perëndisë. Po ashtu ndër mbretër, ndër princa të të gjithë botës do të keni lavdërime dhe lavdi të pavdekshme. Qofshi pasqyrë e shembull për të gjithë princat e të krishterëve dhe për mbarë kombet dhe emri juaj do të kurorëzohet prej fames së amëshuar”.
Ky ishte, është dhe do të mbetet në histori dhe në kujtesën e gjeneratave, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Të tilla, të mëdha dhe legjendare ishin dhe mbeten përmasat e kësaj figure emblematike të identitetit tonë kombëtar. E lavdishme dhe e pavdekshme, frymëzuese dhe imponuese mbeti jeta dhe vepra e një figure që arriti të rrëmbente interesin e gjithë botës dhe krishtërimi të kishte tek arbëri i madh, te biri i Dibrës, Kalorësin e Krishtit.
Ai nuk është vetëm një Hero Kombëtar, por është arsyeja më e madhe që kemi për të besuar mbi të drejtën që kemi të jemi pjesë gjeografike, historike dhe shpirtërore e Evropës.
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente