Donald Trump perifrazon Napoleon Bonapartin, kritikohet ashpër nga demokratët

Donald Trump perifrazon Napoleon Bonapartin, kritikohet ashpër nga demokratët

Presidenti i SHBA Donald Trump ka tërhequr kritika të ashpra, pasi përdori një citim të parifrazuar që i atribuohet perandorit të vetëkurorëzuar francez, Napoleon Bonaparti, duke sugjeruar se ai është mbi ligjin.
“Ai që shpëton vendin e tij nuk shkel asnjë ligj”, postoi dje presidenti Trump në X.

Postimi i Trump tërhoqi reagimin e demokratëve, me senatorin Adam Schiff të Kalifornisë që u përgjigj se “flet si një diktator i vërtetë”.
Zëvendëspresidenti i SHBA JD Vance pati një ton të ngjashëm me Trump, më herët në shkurt, kur ai pretendoi se “gjyqtarët nuk duhet të lejohen të kontrollojnë pushtetin legjitim të ekzekutivit”.
Trump, i cili mori detyrën për një mandat të dytë si president i SHBA, pak më shumë se tre javë më parë, po përballet me kritika për shkak të stilit të tij të qeverisjes.
Kritikët e akuzojnë atë se nuk u përmbahet parimeve të demokracisë, për shembull kur e shpall veten president të institucioneve kulturore si qendra ”Kennedy”.
Emërimi i tij i miliarderit të teknologjisë Elon Musk në një post qeveritar ka shkaktuar gjithashtu reagime, me një numër shtetesh që e kanë paditur duke përmendur “autoritetin ligjor të pakontrolluar” që i është dhënë shefit të Tesla-s pa dritën jeshile nga Kongresi.
Padia e ngritur nga shtetet, përfshirë New Mexico dhe California, është vetëm një nga shumë të ngritura kundër qeverisë Trump, me paditës të ndryshëm që akuzojnë presidentin për shkelje të ligjit me disa nga dekretet e tij.
Deri më tani, gjyqtarët kanë ndaluar përkohësisht vendimet nga Shtëpia e Bardhë në të paktën 12 raste.
Napoleon Bonaparti, i cili vdiq në mërgim në 1821 në ishullin atlantik të Shën Helenës, vazhdon të përçajë francezët edhe sot e kësaj dite.
Disa e shohin atë si reformator dhe themelues të institucioneve të rëndësishme, ndërsa të tjerë si një sundimtar autoritar./ a.jor.
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente