Bujar Kapexhiu komenton deklaratën e tij të bujshme: Femrat nuk kanë kapacitet
Aktori i njohur Bujar Kapexhiu është rikthyer te një deklaratë e tij që shkaktoi polemika disa muaj më parë, gjatë një interviste në emisionin “Ndryshe” në TAR. Ai kishte thënë se gratë nuk kanë kapacitetin për të krijuar barcaleta, një koment që u kritikua gjerësisht në rrjetet sociale si ofendues.
Në një përpjekje për të sqaruar qëndrimin e tij, Kapexhiu theksoi rëndësinë e humorit si një formë arti që kërkon mençuri dhe origjinalitet. “Humori është privilegj i të mençurve. Nuk mund të bësh humor nëse nuk je i mençur,” tha ai, duke shpjeguar se batuta e tij e mëparshme lidhej me perceptimin që gratë shpesh nuk i kushtojnë vëmendje humorit.
Ai gjithashtu ftoi gratë të angazhohen më shumë në krijimin e humorit. “Unë u bëj thirrje atyre që të shkruajnë humor, sepse ato mund ta bëjnë këtë në mënyrë shumë origjinale dhe të bukur,” shtoi Kapexhiu.
Megjithatë, regjisori bëri të qartë se nuk është penduar për atë që tha fillimisht, por për keqkuptimin që deklarata e tij shkaktoi. “Më vjen keq për keqkuptimin, jo për atë që thashë,” përfundoi ai, duke e lënë të hapur debatin mbi këtë temë delikate.
Burimi