Banka Shqiptare e Zhvillimit: Shteti shqiptar aksionar me 51% të kapitalit, përjashtim nga tatimfitimi
Ministria e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit ka nxjerrë për konsultim publik “Projektligjin “Për Bankën Shqiptare të Zhvillimit”.
Projektligji “Për Bankën Shqiptare të Zhvillimit”, ka si qëllim themelimin dhe përcaktimin e rregullave për organizimin dhe funksionimin e një institucioni financiar zhvillimi, i ngjashëm me bankat apo institucionet kombëtare promovuese që funksionojnë në Bashkimin Evropian, me synim kryesor nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit, përmes lehtësimit të qasjes në financë të sektorëve të nënfinancuar të ekonomisë, kryesisht ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përfshirë mikrondërmarrjet dhe start-up-et si edhe mbështetjes së projekteve zhvillimore që lidhen me përmirësimin dhe modernizimin e infrastrukturës fizike dhe digjitale, me fokus të veçantë tek investimet e gjelbra.
Bankat dhe institucionet financiare promovuese në BE përkufizohen si entitete që kryejnë veprimtari financiare me një mandat të dhënë nga një shtet në nivel qendror, rajonal ose lokal, për të arritur synime zhvillimore apo promovuese.
Ato luajnë, ndër të tjera, edhe rolin e ndërmjetësve financiarë për Bankën Evropiane të Investimeve (BEI), duke kanalizuar linjat e kredive apo instrumente garancie të BEI në ekonomitë lokale.
Disa prej këtyre linjave dhe instrumenteve janë të hapura edhe për vende të Ballkanit Perëndimor dhe gama e tyre zgjerohet edhe më tepër me avancimin në procesin e integrimit.
Arsyetimi kryesor ekonomik për ekzistencën e një institucioni të tillë bazohet në faktin se operimi nën potencial apo dështimet e tregut mund të çojnë në mungesë financimi dhe investimesh që, si rezultat, sjellin një rritje më të ngadaltë sesa ajo që do të ishte ekonomikisht e dobishme apo e synuar. Këto institucione ndërhyjnë në ato segmente që mbeten të nënfinancuara apo të nënshërbyera, duke synuar një qasje plotësuese ndaj financimeve që ofrohen nga operatorët tregtarë financiarë. Veprimtaria e tyre ushtrohet në përputhje me legjislacionin për ndihmën shtetërore dhe pa shkaktuar ndikim të padrejtë në konkurrencë.
Objektivat kryesore të këtij institucioni
-Mbështetja e sipërmarrjeve shqiptare
BZH synon të fuqizojë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NMV) dhe startup-et, duke ofruar financim dhe, sipas rastit mbështetje teknike, për të ndihmuar këto biznese të përmirësojnë produktivitetin, të rrisin konkurrueshmërinë dhe të zgjerojnë prezencën e tyre në tregjet ndërkombëtare.
– Promovimi i Eksporteve
Një nga objektivat e BZH, që gjendet edhe në një sërë institucionesh të ngjashme evropiane, është mbështetja e eksporteve shqiptare duke inkurajuar prodhimin dhe shërbimet që mund të konkurrojnë me sukses në tregjet jashtë vendit.
-Mbështetja e projekteve me rëndësi për zhvillimin ekonomik
Në këtë kuadër, BZH do të veprojë kryesisht në rolin e ndërmjetësit financiar, duke kanalizuar fonde ose linja financimi nga institucionet financiare ndërkombëtare, ato evropiane apo partnerë të tjerë të zhvillimit, me fokus te projektet publike në nivel qendror dhe vendor, të cilat kanë përparësi për zhvillimin ekonomik të vendit.
-Zhvillimi i Infrastrukturës Fizike dhe Digjitale
Një nga objektivat e BZH-së do të jetë gjithashtu mbështetja e zhvillimit, përmirësimit dhe modernizimit të infrastrukturës fizike dhe digjitale, në përputhje me objektivat strategjike kombëtare, për të nxitur një ekonomi të qëndrueshme dhe të orientuar drejt teknologjisë.
Në projektligj përcaktohet se Shteti Shqiptar do të jetë aksionari kryesor dhe fillestar i BZH-së, me një pjesëmarrje minimale prej 51% të kapitalit.
Gjithashtu, lejohet përfshirja e institucioneve financiare ndërkombëtare dhe entiteteve të tjera të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave.
Po ashtu përcaktohet se kapitali fillestar i BZH-së do të jetë 10 miliardë lekë, i kontribuar nga Shteti Shqiptar dhe i shlyer brenda një afati 6 katër (4) vjeçar, sipas rregullave të përcaktuara në Statut.
BZH do të ketë të drejtë të hapë llogari bankare në Bankën e Shqipërisë, në Thesarin e Shtetit, si dhe në banka tregtare vendase ose ndërkombëtare, si dhe te angazhohet në aktivitete ndihmëse për përmbushjen e objektivave të saj.
Theksohet se BZH mund të mbledhë fonde përmes mekanizmave të ndryshëm, duke përfshirë pranimin e fondeve të kthyeshme nga publiku dhe instrumente të tjera financiare, të garantuara nga Shteti Shqiptar.
Një veçori është bashkëpunimi me Postën Shqiptare Sh.a. ose shoqëri të lidhura me të. Në këtë bashkëpunim, Posta Shqiptare ose entitetet e saj të lidhura do të luajnë rolin e ndërmjetësit midis BZH-së dhe publikut që dëshiron të përfitojë nga instrumentet financiare të lëshuara nga BZH, duke siguruar një qasje më të lehtë dhe efektive për qytetarët.
BZH do të jetë e përjashtuar nga tatimi mbi fitimin, duke i mundësuar fokusimin e burimeve në arritjen e objektivave të saj të zhvillimit./r.e/ ATSH
Burimi