Kapen 80 litra insekticide pa dokumente në Portin e Durrësit

Kapen 80 litra insekticide pa dokumente në Portin e Durrësit

Autoritetet doganore kanë evidentuar 80 litra lëndë të dyshuar insekticide në Portin e Durrësit, gjatë kontrolleve të ushtruara në vijën e dytë për mjetet e rënda. Sipas të dhënave të Doganës së Durrësit, lënda u gjet gjatë kontrollit të një furgoni që kishte mbërritur me tragetin e linjës Bari-Durrës. Në automjet u konstatuan 80 bidona plastikë me nga një litër secili, që përmbanin një material të dyshuar si insekticid. Sasia nuk shoqërohej me dokumentacionin përkatës. Pas konstatimit, malli së bashku me furgonin iu dorëzuan organeve kompetente, të cilat do të vijojnë procedurat ligjore për rastin. Autoritetet doganore bëjnë me dije se kontrollet në Portin e Durrësit do të vijojnë për verifikimin e mallrave dhe produkteve që hyjnë në territorin shqiptar.