
Kombëtarja luan mirë, por Anglia është shumë e fortë në Wembley
Anglia ka triumfuar me rezultatin 2-0 ndaj Shqipërisë në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror, zhvilluar në legjendarin “Wembley”. Kombëtarja luajti mirë përballë një kundërshtari që tregoi se përse është favorit për vendin e parë.
Anglia kaloi në epërsi në minutën e 19-të me një gol të realizuar nga talenti i Arsenal, Lewis-Skelly. Pas një aksioni të shpejtë, Jude Bellingham asistoi me precizion, duke i dhënë mundësi Skelly-t të shënonte me një finalizim të saktë. Topi kaloi poshtë këmbëve të Strakoshës para se të përfundonte në rrjetë.
Kuqezinjtë u munduan të mbroheshin me disiplinë, por pjesa e parë u mbyll me avantazhin e vendasve 1-0.
Në fraksionin e dytë të lojës, Shqipëria vazhdoi të luante me kujdes, duke pritur kundërshtarin dhe duke provuar të godiste me kundër-sulme sporadike. Megjithatë, ishte Anglia ajo që konfirmoi epërsi në lojë, duke dyfishuar rezultatin në minutën e 78-të me anë të kapitenit Harry Kane. Sulmuesi i Bayern Munich gjeti rrjetën me një goditje të saktë nga brenda zonës, duke mos i dhënë asnjë mundësi portierit shqiptar, Thomas Strakosha.
Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Sylvinho zgjodhën një skemë të kujdesshme mbrojtëse, për të kufizuar hapësirën e lojës së Anglisë, por cilësia e lojtarëve anglezë dhe momentet brilante të individëve bënë diferencën. Me këtë fitore, “Tre Luanët” konfirmojnë statusin e tyre si pretendente për kreun e grupit K.
Në ndeshjet e tjera të grupit, Andorra u mposht minimalisht nga Letonia në shtëpi, ndërsa Serbia kishte pushim. Shqipëria do të kthehet në fushë më 24 Mars, ku do të presë Andorrën në stadiumin “Air Albania”, në një sfidë që pritet të jetë vendimtare për ecurinë e kuqezinjve në kualifikueset e Botërorit.
Burimi