
Gjimshiti: Futja e Brojës na dha vetëbesim, por goli i dytë mbylli gjithçka
Berat Gjimshiti mbetet shtyllë kryesore e prapavijës sonë kuqezi. Me shiritin e kapitenit në krahë, edhe mbrëmë, ai bëri paraqitje mjaft pozitive. Në një rast, me ndërhyrjen e tij vendimtare, ndërpreu goditjen e Harry Kane nga dy metra larg zonës, duke na shpëtuar nga një gol i sigurt.
Megjithatë, disfata 2-0 në “Wembley” nuk u evitua dot, gjë për të cilin shqiptari i Atalantës në Serie A, i mësuar të luajë në nivele të tilla të larta, sidomos në Champions League, u shpreh:
“Nuk ishim të frikësuar, në futboll nuk ka frikë. Anglia është e fortë kundër të gjithëve. Te disavantazhi 1-0 ishte OK. Me futjen e Brojës në lojë patëm disa raste në sulm, por mungoi pasimi i fundit.
Pastaj, te goli i dytë i Anglisë përfundoi ndeshja. Nuk e kishim bërë plan që të mbronim (zbrisnim) kaq poshtë. Anglezët kanë lojtarë që e fusin topin mbrapa shpinës dhe është e vështirë t’i kapësh me shpejtësinë që kanë.
Besoj se vuajtëm në lëvizje. Të them të drejtën është shumë shpejt, direkt pas ndeshjes, ta analizosh taktikën. Kam vërejtur që vuajtëm thellësinë e Bellingam, lëvizte shumë brenda linjës. E dimë të gjithë çfarë kualiteti ka ai. Me një lëvizje e nxjerr të gjithë mbrojtjen jashtë pozicionit, e vuajtëm te goli i parë.
Sidomos nga minuta e 60-të morëm të gjithë vetëbesim. Kjo ndodhi me hyrjen e Brojës, i cili i fuste kundërshtarët në vështirësi. Na dha motivim se mund të kapnim diçka. Por, sikurse është futbolli, në momentin më të mirë erdhi goli i dytë i Anglisë dhe aty u mbyll gjithçka.
Kemi akoma kohë përpara për objektivat në këto kualifikuese. Ishte vetëm 1 ndeshje, na mundi Anglia favorite absolute e grupit. Duhet të fokusohemi në ndeshjen e radhës, ta harrojmë këtë sa më shpejt dhe të mendojmë për Andorrën. Nuk ka lojëra të thjeshta, duhet të fokusohemi për ta fituar atë ndeshje”.
Burimi