Alarm për bombë, gjendet letër kërcënuese në avionin Manchester-Tiranë
Këtë të premte është dhënë një alarm për bombë në aeroportin e Rinasit, pas gjetjes së një letre me mesazh kërcënues në tualetin e avionit të linjës Manchester–Rinas. Rreth orës 19:30, gjatë uljes së avionit, menaxheri i aeroportit (ODM) ka njoftuar Policinë Kufitare për letrën e shkruar në gjuhën angleze, ku paralajmërohej për një shpërthim bombe. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në pistë dhe kanë organizuar zbritjen e kontrolluar të pasagjerëve. Më pas, është ushtruar kontroll i imtësishëm në avion, te pasagjerët dhe bagazhet e tyre, me ndihmën e qenve antieksplozivë. Pasagjerët janë kontrolluar në grupe, fillimisht nga efektivët e Policisë dhe më pas përmes skanerëve të aeroportit. Gjatë kontrollit të avionit nuk është konstatuar asnjë send shpërthyes.
Burimi:
kohajone.com