Prej 2 ditësh nuk kontaktonte me familjarët, gjendet i pajetë në banesë 70-vjeçari në Tiranë
Sipas burimeve të SYRI-t, një person është gjetur pa shenja jete në banesën e tij në zonën e Ish-Fushës së Aviacionit, në Tiranë. Burimet bëjnë me dije se familjarët nuk kishin arritur ta kontaktonin prej dy ditësh dhe, pas njoftimit të autoriteteve, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e zjarrfikëses, ambulanca dhe policia. Pas verifikimeve paraprake, është konstatuar se personi kishte ndërruar jetë në banesën e tij. Sipas të njëjtave burime, dyshohet se viktima është Beqir Danaj, megjithatë identiteti i tij mbetet ende për t'u konfirmuar zyrtarisht. Banorët e pallatit kanë deklaruar se ai ishte mbi 70 vjeç dhe njihej në lagje si personi që merrej me mirëmbajtjen dhe riparimin e ashensorëve. Rrethanat e ngjarjes pritet të sqarohen nga hetimet e autoriteteve.
Burimi:
syri.net