Nxirret nga masivi i gurëve 40-vjeçari që humbi jetën në minierën e Tërnovës në Bulqizë
Është nxjerrë nga galeria trupi pa jetë i minatorit Ilir Kolaveri, i cili humbi jetën pas një aksidenti të rëndë në minierën e kromit në Tërnovë të Bulqizës. Sipas të dhënave paraprake, 40-vjeçari dyshohet se ka rënë në një furnelë, ku më pas është mbuluar nga një masiv i madh gurësh e minerali, duke i marrë jetën aksidentalisht. Menjëherë pas nxjerrjes nga nëntoka, trupi i viktimës është transportuar drejt Tiranës, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar me precizion shkaqet e vdekjes. Ndërkohë, grupi hetimor ka nisur punën në vendngjarje dhe po vijon hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat dhe dinamikën e kësaj ngjarjeje tragjike. Miniera e kromit ku ndodhi aksidenti në Tërnovë administrohet nga kompania “Eternal Security”.
Burimi:
kohajone.com