Kultivoi kanabis në pyjet e Dukatit, arrestohet 33-vjeçari
Një 33-vjeçar është arrestuar në flagrancë në fshatin Dukat të Vlorës, pasi dyshohet se kishte kultivuar 135 bimë narkotike Cannabis Sativa. Në pranga u vu shtetasi H. K., 33 vjeç, banues në fshatin Dukat, i cili u kap në vendin ku kishte kultivuar bimët narkotike. Policia bëri me dije se bimët u asgjësuan përmes djegies, ndërsa një pjesë e tyre u sekuestrua dhe u administrua si provë materiale. Ndërkohë, kontrollet vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Vlorë, me qëllim identifikimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprime të mëtejshme.
Burimi:
javanews.al