Një studim i ri klinik, i miratuar së fundmi nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA), pritet të testojë një teknologji revolucionare që përdor mëlçinë e një derri të modifikuar gjenetikisht për të filtruar përkohësisht gjakun e pacientëve me dështim të papritur të mëlçisë. Qëllimi është t’i jepet mëlçisë njerëzore një mundësi për t’u pushuar dhe rigjeneruar, në një përpjekje për të shmangur transplantin dhe për të shpëtuar jetë.
Kjo provë, e para e këtij lloji, është rezultat i një bashkëpunimi midis kompanisë bioteknologjike eGenesis dhe partnerit të saj britanik, OrganOx. Deri në 20 pacientë që nuk kualifikohen për transplant të mëlçisë do të përfshihen në këtë fazë fillestare, e cila pritet të nisë këtë pranverë.
Ndryshe nga transplantet tradicionale, mëlçia e derrit nuk do të implantohet në trupin e pacientëve, por do të lidhet jashtë trupit përmes një pajisjeje që pompon gjakun e tyre përmes këtij organi artificial. Pajisja është aktualisht në përdorim për ruajtjen e mëlçive të dhuruara të njeriut.
Sëmundjet e mëlçisë janë ndër shkaqet më të zakonshme të vdekjeve në mbarë botën. Në SHBA, mbi 66,000 persona humbin jetën çdo vit për shkak të tyre, ndërsa në Bashkimin Evropian u raportuan afro 86,000 vdekje vetëm në vitin 2021. Për pacientët me dështim të papritur të mëlçisë, opsionet e trajtimit janë të kufizuara dhe shkalla e vdekshmërisë mbetet e lartë, deri në 50%.
Eksperimentet e mëparshme me katër trupa të vdekur kanë treguar se mëlçia e derrit është në gjendje të mbështesë funksionet e mëlçisë njerëzore për dy deri në tre ditë. Sipas drejtuesit të eGenesis, Mike Curtis, ky proces “urë” mund të bëjë diferencën për pacientët që kanë nevojë për një ndërhyrje të menjëhershme.
Shkencëtarët shpresojnë që kjo teknologji do të hapë një kapitull të ri në trajtimin e sëmundjeve të rënda të mëlçisë dhe do të ofrojë një alternativë të vlefshme për pacientët që aktualisht nuk kanë zgjidhje.
