Vendimi i Trump për klanin Sinaloa goditje për Ramën si “terrorist” dhe suportues i karteleve të drogës, pse urdhri…

Administrata amerikane ka dhënë sinjalin më të qartë deri më sot se Urdhri Ekzekutiv 14157 i presidentit Donald Trump që synon çmontimin global të rrjeteve të drogës dhe organizatave kriminale transnacionale ka nisur të zbatohet në mënyrë të drejtpërdrejtë në Shqipëri. Goditja e koordinuar e Departamentit të Thesarit kundër grupit Hysa, i lidhur me kartelin meksikan Sinaloa, vjen pasi prej disa javësh Ambasada e SHBA-së në Tiranë kishte paralajmëruar se Uashingtoni do të fillonte “një luftë të pamëshirshme” kundër elementëve kriminalë dhe mbështetësve të tyre në rajon.
Kjo është një goditje e fortë për kryeministrin Edi Rama, pasi pikërisht Luftar Hysa dhe Besnik Lulaj, ortakët e kartelit ‘Sinaloa’, sipas mediave meksikane, janë pikërisht personat që në datën 4 tetor të vitit 2020 vizituan zyrën e Ramën nën shoqërinë e deputetit gjerman të CDU-CSU, Mark Hauptmann dhe Dorian Duçkës, që në atë kohë ka qenë këshilltar i kryeministrit për investime nga jashtë. Më vonë Rama deklaroi se kishin shkuar në zyrën e tij e i kishte dhënë edhe licensë për kazino.
Paralajmërimet nga Ambasada e SHBA në Tiranë
Reagimet e ambasadës nuk ishin të rastësishme dhe ndodhën disa javë përpara se SHBA të shpallte paketën e sanksioneve. Në disa deklarata të njëpasnjëshme publike, diplomacia amerikane bëri të ditur se administrata Trump kishte në prioritet goditjen e grupeve kriminale që operojnë në Ballkan dhe Europë, duke i konsideruar ata një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Këto deklarata u shoqëruan me një intensifikim të jashtëzakonshëm takimesh zyrtare të përfaqësueses së SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn, me institucionet kryesore të vendit. Që në atë moment u krijua përshtypja se Uashingtoni po ndërtonte një strukturë presioni të shumëanshëm, e cila nuk lidhej vetëm me çështje diplomatike, por me operacione të koordinuara të sigurisë. Nancy VanHorn zhvilloi një sërë takimesh të papritura me institucionet dhe figurat kryesore të shtetit shqiptar.
Më 1 tetor, ajo u takua me Presidentin Bajram Begaj, në një takim ku sipas burimeve diplomatike ishte i pranishëm edhe shefi i stacionit të CIA-s në Tiranë.. Pjesëmarrja e një zyrtari të inteligjencës amerikane në një takim të tillë është e rrallë dhe shihet si dëshmi se SHBA-të e konsiderojnë situatën në Shqipëri si një çështje të ndjeshme të sigurisë. VanHorn zhvilloi më pas një seri takimesh të njëpasnjëshme: Me ministren e Brendshme Albana Koçiu, ku theksoi se nuk do të ketë tolerancë ndaj rrjeteve kriminale që operojnë në Shqipëri dhe rajon.
Me ministrin e Drejtësisë Besfort Lamallari, ku deklaroi se koordinimi me sistemin e drejtësisë penale është kyç për çmontimin e krimit të organizuar dhe grupeve terroriste, një term i përdorur shpesh nga administrata Trump për rrjetet e drogës. Me kryetaren e KLP-së Mirela Bogdani, duke nënvizuar rëndësinë e integritetit të procesit për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK-ut, që për SHBA-të mbetet një institucion qendror në luftën kundër krimit të organizuar.
Me kreun e SPAK, Altin Dumanin, një takim ku ambasada deklaroi hapur se synimi është “goditja e organizatave të rrezikshme kriminale ndërkombëtare” që kërcënojnë sigurinë e SHBA-së dhe Shqipërisë. Me ministren Elisa Spiropali, ku fokusi ishin çështjet e sigurisë, shpenzimet në mbrojtje dhe lufta kundër krimit ndërkombëtar. Në të gjitha këto takime, gjuha e përdorur ishte e njëjtë: SHBA kërkon bashkëpunim pa vonesa dhe rezultate konkrete në çmontimin e rrjeteve të drogës dhe të korrupsionit që i mbështet ato. Interesant është fakti se ambasada amerikane nuk zhvilloi asnjë takim me kryeministrin Rama.
Paralajmërimet e ambasadës amerikane, takimet intensive të VanHorn me institucionet e drejtësisë dhe shmangia totale e kryeministrit nga komunikimi diplomatik tregojnë se Uashingtoni ka zgjedhur një qasje të re: veprim të drejtpërdrejtë kundër çdo aktori që konsiderohet i lidhur me rrjetet e drogës dhe strukturat që i mbështesin. Në këtë kuptim, sanksionet e para nuk janë fundi i procesit, por fillimi i një faze të re, ku Shqipëria është vendi i parë në Ballkan ku urdhri ekzekutiv i Trump merr trajtë konkrete.