filip shehu dhe indrit ismaillari
TIRANË- Policia e Tiranës ka dhënë detaje në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi pasditen e djeshme në zonën e “Komunës së Parisit”, ku pas një sherri mes kolegëve në lokalin “City Lounge”, mbeti i vrarë kamarieri 36-vjeçar Indrit Ismaillari. Autori, 41-vjeçari Filip Shehu, rezulton që të jetë i dënuar më parë për mbajtjen e armëve të ftohte. Mësohet se të dy kanë qenë duke gatuar, ndërsa debati ka nisur për shkak të tasin të proshutës.
NJOFTIMI I POLICISË
Vrau me mjet prerës (thikë), shtetasin I. I., në ambientet e lokalit në Komunën e Parisit, ku punonin të dy, arrestohet në flagrancë autori, i cili u kap nga shërbimet e Policisë, menjëherë pas krimit.
I arrestuari, i dënuar më parë për posedim të armëve të ftohta.
Gjendet dhe sekuestrohet mjeti prerës (thikë), me të cilin dyshohet se u krye krimi.
Në vijim të veprimeve procedurale të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur pasditen e djeshme, në Komunën e Parisit, ku shtetasi F. Sh. dyshohet se vrau me mjet prerës (thikë), shtetasin I. I., 36 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në ambientet e lokalit ku punonin të dy, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit e Policisë Nr. 2 dhe me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit F. Sh., 41 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Gjithashtu, gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, mjetin prerës (thikë), me të cilin dyshohet se shtetasi F. Sh. kreu vrasjen.
Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se autori i dyshuar i vrasjes, shtetasi F. Sh., i cili u kap menjëherë pas krimit, ishte i dënuar më parë, për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Çfarë ndodhi dje në lokal
Filip Shehu, picier në lokal, goditi me thikë kamarierin Indrit Ismaillari. E gjithë ngjarja e rëndë ndodhi në sy të klientëve dhe pjesës tjetër të stafit të lokalit. Edhe pse sherri dje nisi për motive banale, mes të dyve ka pasur konflikt të vazhdueshëm në punë. Pas arrestimit, 41 vjeçari tha se e vrau kolegun e tij, për shkak se ndihej vazhdimisht i bullizuar nga viktima. 41-vjeçari është arrestuar nga policia menjëherë pas ngjarjes. /ZËRI
