Burimi:
Opinion.al

Foto © Opinion.al
Gramshi në flakë, mbërrijnë ndihmat e para për banorët e evakuuar
Rrethi i Gramshit po përballet prej orësh me zjarre masive, të cilat kanë shkaktuar 1 viktimë, 8 të plagosur dhe dëme të shumta materiale. Autoritetet urdhëruan evakuimin e menjëhershëm të banorëve të fshatit Skënderbegas, si dhe të fshatrave Ërmenj, Harunas dhe Zenelas, për shkak të rrezikshmërisë nga zjarri në këto zona. Sipas burimeve nga terreni, mësohet se pak çaste më parë kanë mbërritur pakot e para me ndihma për banorët e evakuar nga fshati Skënderbegas. Raportohet se rreth 165 pako të rezervave shtetërore, pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes sapo janë dorëzuar. Po ashtu janë duke mbërritur me kamion mbi 120 krevate, çadra, dyshekë, çarçafë.