Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur seanca fillestare ndaj 53 të akuzuarve për masakrën e Mejës. Gjykimi për këtë rast zhvillohet në mungesë dhe të akuzuarit përfaqësohen nga avokatët e tyre gjatë seancave gjyqësore.
Masakra e Mejës ka ndodhur në prill të vitit 1999, kur 370 shqiptarë të Kosovës u vranë. Trupat e tyre më pas u gjetën në tetë varreza masive në Batajnicë të Serbisë.
Gjatë seancës fillestare, gjyqtarja Violeta Namani-Hajra, konstatoi se asnjëri nga të akuzuarit nuk është i pranishëm në gjykatore dhe se gjykata nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tyre.
“Mbahet gjykimi në mungesë ndaj Momir Stojanoviq dhe të tjerëve”, tha gjyqtarja, teksa argumentoi vendimin e gjykatës se kushtet juridike të plotësuara që ky gjykim të mbahet në mungesë.
Momir Stojanoviq, sh-shef i Departamentit për Siguri në Komandën e Korpusit të Prishtinës, i cili ka qenë edhe drejtor i Agjencisë Ushtarake dhe të Sigurimit të Serbisë, është ndër të dyshuarit kryesor për masakrën e Mejës.
Çka thotë aktakuza?
Në aktakuzë thuhet, mes tjerash, se secili i pandehur ka pasur rol të caktuar në organizimin dhe koordinimin e forcave nën komandën e tij.
Aksioni ka nisur më 27 prill 1999 dhe ka përfunduar më 29 prill 1999.
Hetimet kanë zbuluar se në fshatin Mejë janë vrarë 270 civilë dhe të pagjetur mbeten 13; në fshatin Korenicë janë vrarë 64 civilë dhe të pagjetur mbeten dy; në fshatin Pacaj është vrarë një civil; në fshatin Dobrosh janë vrarë tre civilë; në fshatin Rracaj është vrarë një civil dhe të pagjetur mbeten dy; në fshatin Nec janë vrarë dy civilë; në fshatin Ramoc janë vrarë pesë civilë; në fshatin Bishtazhin janë vrarë gjashtë civilë dhe i pagjetur mbetet një.
Hetimet kanë zbuluar se nga dhuna e ushtruar sistematike nga forcat serbe, banorët nga ky rajon janë dëbuar nga shtëpitë e tyre, dhe pasi që pasuria e tyre është plaçkitur dhe shtëpitë u janë djegur, ata – të përballur me dhunë fizike dhe kërcënime me vrasje – janë dëbuar në drejtim të Shqipërisë.
Kolonat e njerëzve të dëbuar kanë qenë të detyruara të kalojnë nëpër tri pika kontrolli, të vendosura në fshatrat: Mejë, Korenicë dhe Orizë. Sipas aktakuzës, forcat ushtarake-policore dhe paramilitare serbe i kanë ndarë shumë burra nga kolona dhe i kanë vrarë, ndërsa të tjerëve u janë marrë dokumentet e identifikimit, paratë dhe gjërat tjera me vlerë.
Nën fyerje dhe keqtrajtime fizike, ata janë detyruar më pas të shkojnë në drejtim të Shqipërisë. Aktakuza, po ashtu, thekson se krimet e kryera nga të pandehurit, si: vrasje, dëbim i popullsisë civile, plaçkitje e pasurisë, shkatërrim i pasurisë etj., në kohën e kryerjes, janë parashikuar me legjislacionin vendor të Jugosllavisë së atëhershme.
Aktakuza për këtë rast është ngritur dhjetorin e vitit 2023 dhe është plotësuar në prillin e vitit pasues.
Në mesin e atë akuzuarve për krimet në Mejë dhe fshatrat e tjera në Gjakovë janë edhe zyrtarë të tjerë të Shërbimit të Sigurimit të Shtetit të Serbisë dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët akuzohen për planifikimin dhe zbatimin e operacionit “Reka”, gjatë të cilit u vranë 370 civilë shqiptarë.
Ata akuzohen për vrasje, dhunë fizike dhe seksuale, tortura, plaçkitje dhe dëbim etnik të shqiptarëve. Gjykimet në mungesë në Kosovë janë mundësuar që të mbahen pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale më 2022. Gjykime të tilla mund të mbahen vetëm me kusht që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shterur të gjitha mjetet për të për të siguruar praninë e të akuzuarit.
Kodi i Procedurës Penale thotë se personat që gjykohen në mungesë, për shkak se autoritetet nuk kanë arritur të sigurojnë praninë e tyre, kanë të drejtë për një rigjykim pa kushte, kur të arrestohen.
Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, që nga ndryshimet që mundësuan gjykimet në mungesë deri në shkurt të këtij viti, janë ngritur 15 akuza në mungesë kundër 73 anëtarëve të forcave serbe, të cilët dyshohen se kanë kryer krime lufte në Kosovë.
Ndërkaq, aktgjykimi i parë në mungesë u shqiptua dhjetorin e vitit 2024, kundër Çedomir Aksiqit, i cili u dënua me 15 vjet burgim për krime kundër popullatës civile në Shtime më 1999. REL/
Tag: mejës
-

Mbahet seanca fillestare për masakrën e Mejës
-

“Tragjedi që la pas, plagë ende të hapura”/ Presidentja Osmani përkujton Masakrën e Mejës: Jetë të pafajshme u morën…
Presidentja Vjosa Osmani e ka përkujtuar Masakrën e Mejës, si një ndër plagët më të thella të Kosovës. Osmani u shpreh se secili person i vrarë e çdo person i zhdukur gjatë luftës, si dhe çdo ëndërr e ndërprerë dhunshëm, është një betim për drejtësi. Kjo ka një rëndësi të veçantë jo vetëm për viktimat, por edhe për të gjithë ata që kërkojnë të vërtetën dhe pajtimin në Kosovë.
-

26- vjetori i masakrës së Mejës/ Liderët e vendit kërkojnë drejtësi për vrasjen e 377 civilëve shqiptarë
Me rastin e 26-vjetorit të Masakrës së Mejës, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar këtë ngjarje të dhimbshme si një nga plagët më të thella të historisë së vendit. Ajo theksoi se çdo person i vrarë dhe i zhdukur dhunshëm gjatë luftës përbën një betim të përhershëm për drejtësi.
“Sot, me zemër të rënduar, e kujtojmë Masakrën e Mejës, njërën nga plagët më të thella të Kosovës. 376 jetë të pafajshme u morën mizorisht nga regjimi gjenocidal i Serbisë, vetëm pse ishin shqiptarë. Plagët që la kjo tragjedi janë ende të hapura, por dhimbja dhe vendosmëria jonë janë bashkuar për të mos lejuar që e vërteta të harrohet”, ka thënë Osmani, duke shtuar se mbetet e gjallë shpresa për një të ardhme me më shumë drejtësi.
Në nderim të viktimave të Mejës, Skivjanit dhe Prejlepit, homazhe ka bërë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai kujtoi se më 27 prill 1999, në Mejë, forcat serbe kryen një nga masakrat më të mëdha, duke vrarë 377 shqiptarë të të dy besimeve, shumë prej të cilëve ende mbeten të zhdukur.
“Ne nuk rreshtim së kërkuari, as së kujtuari. Na mungojnë në çdo festë, në çdo gëzim. Plagët e luftës nuk do të mbyllen pa ndriçimin e plotë të fatit të çdo të pagjeturi,” shkroi Haradinaj, duke nënvizuar se Kosova jeton e lirë falë sakrificës së dëshmorëve dhe ndihmës së botës së lirë, shkruan Insajderi.
Në shënimin e kësaj dite, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, theksoi se Masakra e Mejës mbetet një plagë e pashëruar për Kosovën dhe popullin e saj. Ai kujtoi dhimbjen e asaj dite të rëndë dhe nënvizoi se drejtësia për viktimat dhe zbardhja e fatit të 1617 personave të zhdukur është ende një detyrë kombëtare.
“Sot, gjithandej Kosovës japim nderimet tona për civilët e vrarë dhe dëshmorët e rënë. Çmimi i lirisë së Kosovës ka qenë çmimi i vet jetës – sikurse i 376 civilëve të Mejës,” ka shkruar Abdixhiku.
Në Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur, zyrtarët e lartë të shtetit bënë thirrje për drejtësi të plotë dhe mos-harrim të krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.