Tag: letrare

  • Musa Ramadani: Nuk e njoh e nuk më njeh…As emrin nuk ia di!

    Musa Ramadani: Nuk e njoh e nuk më njeh…As emrin nuk ia di!

    ©Fahredin Spahija: Musa Ramadani

    Sot kemi zgjedhur t’ua prezentojmë me një fragment nga romani “Ligatina”, shkrimtarin Musa Ramadani.

    “Ligatina” është ndër veprat më identifikuese të Ramadanit. Akademik Sabri Hamit, tek i referohet këtij libri , shkruan: “Romani Ligatina i Musa Ramadanit u përket librave që lexohen me shkrim, me laps në dorë dhe durueshëm, për të mos thënë edhe duke kërkuar mundimshëm. Leximi i tij me shkrim nënkupton një lexim si rindërtim të kuptimit të plotë të tij”.

    Ndërsa, shkimtari dhe studiuesi Adil Olluri, Musa Ramadanin e vlerësuar si një ikonë e elitarizmit letrar.

    “Musa Ramadani ishte një nga ikonat më elitare të gjeneratës së artë të shkrimtarëve shqiptarë të Kosovë, të cilët i dhanë vlerë të shtuar estetike letërsisë shqipe në gjysmën e dytë të shekullit XX. Shkrimtarëve shqiptarë do t’ju mungojë prania fizike e mjeshtrit të prozës e poezisë, Musa Ramadani, ngaqë ai do të jetë mes nesh me veprat e tij të vlershme letrare. Prishtina letrare do të jetë më e varfër pa Musa Ramadanin.”/ Adil Olluri

    Në vazhdim ObserverKult ju sjell hyrjen e romanit “Ligatina”, titulluar “A do ta takoj”:

    Nga Musa Ramadani

    … nuk e njoh. Dhe nuk më njeh. Mbase ai mund të më njohë. As emrin nuk ia di. As ai jam i bindur nuk ma di. Megjithëse ai mund të ma dijë. Po kjo nuk do të thotë se edhe nuk mund ta njoh. Ndoshta posa ta shoh: nga të ecurit, sjellja, lëvizjet a ndonjë veti tjetër. Jam i sigurt për këtë, sikundër jam i sigurt se frymoj, se nuk jam në ëndërr, se jam i vetëdijshëm për jetën time, se nuk jam krijesë e trilluar përrallash a rrëfimesh popullore… A do ta takoj?… Duhet ta shoh. Të gjitha gjasat janë. Dhe mezi pres: as punën punë s’e bëj, as gjumin gjumë, e as jetën jetë, Ve tëm atë çast, orë e ditë e gjakoj. Për këtë shkak edhe ardha këtu, në këtë qytet, në vendlindjen e të të parëve dhe timen. Me padurim e pres orën e fatit. Për të satën herë e bind veten: njeriu që pret diçka, që përfytyron, shpreson, gjakon, edhe ndonjë të keqe qoftë, ka arsye të jetojë është i vetëdijshëm për ndërrimin e ditëve dhe të netve, sogjon vërtitjen e stinëve, e ndjen përsëritjen e kohës në hapësirë.

    Nganjëherë më bëhet se për këtë nyjë pata nisur të vras mendjen qëkur hodha hapat e parë, plot pasiguri e të kalamendur fëmije, po e keqja qëndronte aty se edhe vetëdija ime ishte larg ngjizjes. Kujtoj se edhe fjalët e mia fillimtare s’kanë qenë veçse fruta mllefi, ca të rënda e të ashpra. Nuk e di mirëfilli, ajo është për mua një mjegullinë e paformësuar: prindërit, ndjesë pagin, më lanë kërthi, e të afërmit e tjerë nuk çanë fort kokën të merreshin me kolovitjet e belbëzimet e mia. Vallë, do të kenë qenë instinkte dhe asgje tjetër?

    Që në fëmijëri përfundova se dikush më ka diçka borxh. Një borxh të madh, të vjetër, borxh që nuk shpaguhet lehtë dhe nuk e shkel dot koha. Dhe mbase jo vetëm mua, mirëpo secili e kërkon borxhin e vet dhe në emër të vet. Në rini kjo ide ishte ngritur në një skelet dhe sa vinte, dalngadalë po zente vend në një kornizë tek ngulitej në të, pa mundur të lëvizte ose të ikte. Më vonë ose tash, në moshë e trup të pjekur, më ishte pjekur edhe mendimi, duke arritur pikën e sendërtimit gjithëqysh. Doemos. Pa-tjetër! Nuk ia behu nga pende sa në dhe të huaj. Unë nuk pendohem kurrë. Mësa mund të pendohem për këtë që mejtoj e që e rrëfej. Fundja s’kam edhe përse: pendesa s’ka të bëjë me mua, ashtu siç nuk merrem unë me të. Unë nuk kam ikur nga vendlindja, më çuan, më kanë marrë me vete. Kam ardhur sërish këtu që të çoj në vend amanetin e vështirë po të shenjtë për mua. Askush me gojë nuk ma ka lënë: as gjyshi as babai. Asgjëkundi s’e kam parë të shkruar. Mbase mund ta kem dëgjuar atje larg, në dhe të huaj, në formë pëshpërime, thirravaji e namatisjeje. Por jam i sigurt se ky amanet i pakryer i ka zvogëluar që të gjithë, dita më ditë, për t’i shndërruar në xhuxhimaxhuxhë përrallash. Prandaj është i nevojshëm takimi, S’kam çare pa e njohur. Ballafaqimi është i pashmëngshëm. Më e rëndësishme për mua ishte të mos e lë pasdore, të mos ia kthej shpinën, të mos e braktis fare këtë amanet të madh, anipse të pathënë e të pashkruar. Largësia e koha të mos e bëjnë të veten. Apo diçka edhe më e fuqishme se këto të dyja, po qe se fare ekziston.

    Kryesorja – të mos e mbulojë baroja e myshku pluhuri e balta apo koha e harresës që sheshon çdogjë mbi tokë sa, kur të bëhet vonë, të mos i bien në fije as arkeologët. Harresës i kam drojtur më së shumti gjatë jetesës sime. Kjo ndjenjë më është fuqizuar nga mungesa e kujtimeve, aso të hidhura, të rënda, të mllefta, të egra e të neveritshme, të cilat vetëm ndonjë pjellë e keqe, njeri bastardh, mund t’i shlyejë aq lehtë posi zënkat e zakonshme me gruan, për shembull. E kam stërvitur vetveten me sprova të ndryshme. Ta mbaj gjallë mendimin. Të mos hutohem me gjërat e përditshme. Të mos më topisin ahengjet, gostitë, ndejat, epshet e dashuriçkat. Me ditë, muaj e vjet të tëra e kam kultivuar ndjenjën e nostalgjisë, të pikëllimit e të vuajtjes bashkë me atë të pezmit, mllefit e të hakmarrjes. Tekembramja, nuk jam i atij gjaku që mund të harrojë. Gjaku ynë ngjet shpesh edhe të falë, varësisht për çfarë është fjala e puna, po të jetë harraq – jo kurrën e kurrës.

    Përderisa të mos e rëndojë dheu e të mos e qetësojë varri. Pih, sa gjakoj që ta takoj! Vetëm një herë. Natë e ditë fshaj e shestoj.

    Është e vetmja pikë e zezë që dua ta shlyej në qiell, e vetmja nyjë që më duhet ta zgjidh, i vetmi mister që lipset ta nxjerr në diell, e vetmja barrë që më mbetet ta zhgarkoj. Tash e në të pritmen, njëherë e përgjithmonë. I mishëruar me të gjatë stinëve njëngjyrëshe të jetesës sime, ndonjëherë kujtoj se ai edhe nuk ekziston fare, veçse më fanitet, më përshkon me një shpatë të fshehtë, më është bërë një mënyrë apo mundësi gjallërimi.

    As në ëndërr s’e kam ndeshur kurrë. E ëndrrat, të parëndomta, të çuditshme, të pabesueshme varg e vijë më janë shfaqur çerekut të fundit të jetës. Ka të ngjarë ta kem ëndërruar syçelur, në pikë të ditës.

    Atëherë kur njeriu (i zalisur si unë nga akti i dorasit të babait tim ditë për ditë e natë për natë) mbase humb ndjenjën për ëndrrën e zgjëndrrën, ose i ngatërron ndër vete, pa mundur të pikasë se ku fillon njëra e ku mbaron tjetra.

    Në këtë kohë, në këtë jetë e në këtë botë gjithçka është e mundshme. Eh, sikur të më shfaqej në trajtë burrërore e të më dalë përpara një ditë e të më thotë: … ja ku jam… e di se më kërkon… tërë jetën e ke shpenzuar për mua e pas meje… qit si burrat… vramë si trimat… bën ç’të duash me mua… yti jam… s’kam ku shkoj më… e kam ditur se do të takohemi një ditë… anipse nuk jemi njohur kurrë… jepi fund kësaj pune… vëri pikë kësaj historie… mbylle atë libër lutjesh që e ke paluar në vetvete… për mua, heret a vonë çdogjë shpaguhet… për t’i qëruar hesapet, koha është e përjetshme… nuk mund të shkoj… prej kësaj bote… pa i larë… mëkatet… po qe se mund të shlyhen që të gjitha…

    Eh, sikur të më shfaqej para syve një ditë e të më thoshte përafërsisht kështu. Hë, gjepura! Diçka që nuk ngjet e nuk mund të ndodhë kurrë. Ai nuk është i atij gjaku që mund të të dalë përballë, pa lëre më të ta hapë gjoksin e të mos i trembet syri. Ai e çiftat e tij s’mund të krahasohen veçse me këmbët e gjarpërit që nuk mund të shihen dot. Sa di unë: trimat falen dhe falin. E ai as me sy s’e ka parë trimin, prandaj edhe nuk mund të falet.

    Ai nuk do ta shpëtojë veten dhe mua. Do të më mundojë, të më shkatërrojë, të më zhdukë. Të më bëjë që të flas me vetveten. Mbase e di dhe më sheh tek përpëlitem kështu, duke kujtuar se çdo gjë imja tashmë është e kotë. Largësia, koha e dheu i huaj do të kenë zhveshur, shuar e zvetnuar që të gjitha: çdo ndjenjë, mendim e tipar që më veçon nga të tjerët. Jo! Gjaku im është i gjallë, ende nuk është shprishur, qarkullon papra në mua, nuk fiket mësa vullkani, është i valë e nuk e ftoh as era, as nata e as koha.

    Po të mos më ushqente ky gjak i gjallë, ndoshta nuk do të ma kishit dëgjuar më emrin, nuk do të ma kishit parë nishanin, nuk do të ma kishit gjetur as varrin…

    O, mos në thënçin Abas Guri po s’e çova amanetin në vend!

    * Shkëputur nga “Ligatina”, Redaksia e botimeve RILINDJA, Prishtinë, 1983

    ________________

    Përshpirtje për Musa Ramadanin

    Sabri Hamiti

    Kumti për vdekjen e Musa Ramadanit tingëllon dhembshëm për familjen e tij, miqtë e tij dhe adhuruesit e letërsisë e të artit letrar shqiptar.

    Musa na la. Musa shkoi. Mbeti kujtimi për Njeriun dhe vepra letrare që mban shpirtin e tij në botën e të gjallëve. Se ai jetoi dhe shkroi duke theksuar, nga fillet deri në fund, luftën dhe dramën ndërmjet trupit dhe shpirtit, të cilën mund ta përballojë vetëm drama e krijimit që bëhet letërsi për ta përjetësuar shpirtin. Gjithnjë ndërprerja e kësaj drame lë diçka të nisur e të pambaruar.

    Musa Ramadani ka lindur më 1943 në Gjilan. Mësimet shkollore i ka bërë në Gjilan e në Prizren, ku ka studiuar Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe. Nga viti 1965 bëhet gazetar i Rilindjes për kulturë e për arte, një kohë edhe redaktor i rubrikës së kulturës te gazeta Rilindja. Lidhja e tij me këtë gazetë bëhet themelore, e pashkëputshme, si në botën e komunikimit ashtu edhe në botën e botimeve letrare.

    Musa Ramadani kulturalisht mund të cilësohet si autor i Rilindjes, më pastaj rrezatimi i tij si njeri e shkrimtar zgjerohet në gjithë botën letrare shqiptare. Arti i tij letrar dhe talenti i tij është provuar në një kryqëzim të letërsisë me muzikën dhe artin pamor.

    Vepra e tij letrare, në tërësinë e saj, shfaq një botë individuale, që trupëzohet me një stil të tijin origjinal.

    Kjo duket në poezi, që me librin e parë Mëkatet e Adamit (1969) deri në librin e mbramë Mëkatet e E(ha)vës (2006), duke rrokur çështjen e njerëzimit nga filli deri në zhvillimet moderne; patjetër duke kaluar nëpër përballjet mitologjike, historike e bashkëkohore të kërkimit për të krijuar figurën letrare. Ky është një rebelim tematik i sojit të vet i shfaqur në trajtë të refuzimit të klisheve pararendëse në gjirin e poezisë shqipe. Model i pranuar jo pa rezistencë në fazat e shfaqjes së tij. E në mesin e këtyre librave, Neurosis (1973) për pikëzimin e temës së modernitetit (të iniciuar nga ego) ashtu edhe temës së antikitetit (si nostalgji antike) në librin Eugjenika e tri deteve (1986), për të theksuar dhembjen e pambarim të shumësit, si arkeologji të shpirtit shqiptar në Mesdhe. Përherë duke lakuar shprehjen nëpërmjet çrëndomtësimit të reales në ndeshje me imagjinaren.

    Në prozën romansore të tij, duke nisur nga vepra Romani pa kornizë (1975) deri te Profeti nga Praga (2017), Musa Ramadani është në kërkim të formës së tij të romanit në nivelin struktural (duke hedhur kornizën) dhe në nivelin e artikulimit stilistik me një diskurs ku kryqëzohen e ballafaqohen nivelet stilistike të poezisë e të dramës. Pra, në fillim është vetja e gjetur në art, kurse në fund është riprovimi i gjetjes së vetes për së dyti nëpërmjet figurës së Kafkës. Në ndërkohë marrin primatin temat ekzistenciale e sociale të shqiptarëve, te romani Zezona (1978) e te romani Ligatina (1983); arratisja me dhunë dhe ëndrra e përhershme e kthimit në burim me funksion të mosshprishjes, të vetënjohjes. Zezona si figurë e kohës e ligatina si figurë e hapësirës krijojnë toposin letrar të Musa Ramadanit që lidhet me Gjilanin.

    Te romani Vrapuesja e Prizrenit (1995), tashmë lakohet tema e dashurisë e lidhur me një qytet dhe historinë e tij, nga antikiteti në modernitet, që shfaqet si figura dominante e ndjenjës më të fuqishme që prodhon trashëgimi kulturore dhe njerëzore. Proza e intelektit zotëron romanin Antiprocesioni (1997), në të cilin duke bredhur nëpër kultura e kohë vizatohet pikëpyetja e madhe e ballafaqimit të jetës me vdekjen, për ta propozuar si përgjigje një pikëçuditëse të madhe. Porse forcohet malli për universalitet letrar. Menjëherë pastaj te romani Inamor 55 (2000), strukturimi i formave të shkurtëra të prozës në trajtë dialogu, monologu, rrëfimi e përshkrimi, përbëjnë një vepër kolazhi të ideve e të sentimenteve ku tashmë zbulohet vetja e lidhur me shkrimtarët, që nuk kursehet t’i pranojë sivëllezër dhe si idhuj njëkohësisht, të cilët i don dhe i përkthen në shqip. Kjo për të krijuar leximin e dyfishtë letrar, të pasqyruar Inamor 55/55 Romani. Dhe finalja, si dhe fillimi, Kafka, ai të cilin e shohin burim të gjithë modernistët, madje edhe Horhe Luis Borhesi.

    E këtu po shtojmë ne: është aty gjithnjë i heshtur dhe i pranishëm Anton Pashku, pa u përmendur si i vetëkuptuar se është i yni. Vetëm po përkujtojmë titujt figurues të Anton Pashkut: Kjasina dhe Galtina dhe titujt figurues të Musa Ramadanit: Zezona dhe Ligatina, për të parë sa janë të përafërt në mënyrën e figurimit të domethënieve.

    Musa Ramadani, njohës dhe kronikan shumëvjeçar i jetës teatrale në Kosovë, ka shkruar dramat Moisiu në unazën e Inflandit (1984) dhe Destur (2019), të dyja të luajtura në Teatrin Kombëtar të Prishtinës.

    Vepra letrare e Musa Ramadanit është nderuar me çmimet prestigjioze shqiptare: Çmimi “Azem Shkreli” për Vepër Jetësore dhe Çmimi “Ismail Kadare” për roman.

    Tani, në statusin e mikut të letrave, le të na lejohet të themi një fjalë për Musa Ramadanin (Mu-Rai), figurën e tij të dytë. Bisedat pasionante për letërsinë, që nga koha e rinisë së hershme, kur botimi i letërsisë ishte solemnitet shpirtëror, në mënyrë të veçantë për grupin, për të krijuar “bohemianën letrare të Prishtinës”, siç do të veneronte miku ynë i përbashkët Ibrahim Rugova. Dhe solemniteti kurrë i ndryshuar i Musa Ramadanit me finesën e tij të mbajtjes së lapsit për ta vizatuar grafemën në letrën e bardhë.

    Në fund, kumti i zi për shkuarjen e Musës e dhembja për mungesën e tij nuk do të na e mundë asnjëherë dashurinë dhe nevojën për veprën e tij letrare që jeton. Kjo e vërtetë është ngushëllim për më të dashurit e tij dhe dashunuesit e letërsisë së tij shqipe.

    Lutje e nderim për Musa Ramadanin!

    (Fjala e rastit e akademik Sabri Hamitit mbajtur në Teatrin Kombëtar, në akademinë përkujtimore organizuar për shkrimtarin Musa Ramadani,një ditë pas vdekjes)

    Përgatiti T. K/ ObserverKult

    ———————————

    Lexo edhe:

    HOMAZHI POETIK NË KUJTIM TË ADEM GASHIT HAP FESTIVALIN POETIK TË PRISHTINËS

  • “Metonimia” – libri më i ri i Kujtim M. Shalës

    “Metonimia” – libri më i ri i Kujtim M. Shalës

    Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka botuar librin më të ri të akademik Kujtim M. Shalës, me titull “Metonimia”, i cili i takon fushës së poetikës historike të letërsisë shqipe.

    Libri më i ri studimor i akademik Kujtim M Shalës, “Metonimia”, përfaqëson një segment të poetikës historike shqipe, të lidhur me dukuri, si: e vërteta e letërsisë, ideologjia letrare, apo me vepra letrare të rëndësisë së dorës së parë, që marrin statusin e kryeveprave letrare dhe kulturore, si: vepra e Pjetër Bogdanit, e Gjergj Fishtës, e Mitrush Kutelit etj..

    “Metonimia” është strukturuar në tri pjesë: I. Metonimia, II. E vërteta e letërsisë dhe III. Çfarë është letërsi shqipe?, si dhe u bashkohet librave të tjerë të këtij autori të fushës së poetikës historike të letërsisë shqipe, nisur dy dekada më parë: Vepra e vetmisë (2005), Miniatura (2005), Shekulli i letërsisë shqipe (2006), Elipsa (2007), Prolepsa (2011), Analepsa (2013), Epistemologjia e dytë (2016), Identiteti i pa/zbuluar (2019), Sindekdoka (2020) dhe Kënga e cjapit (2023). Pjesa e parë e librit Metonimia përbëhet nga studime për vepra letrare dhe kanonike shqipe, si studimet për dy Shkallët e para të veprës së Pjetër Bogdanit, studimet për epin dhe për tragjeditë e Fishtës, për veprën e Kutelit, përrallat e Kurtit, poezinë e Zorbës, letërsinë e Pllumit, si dhe veprën kritike të Sabri Hamitit. Kështu, kjo pjesë përvijon filozofinë skolastike dhe metodën hermeneutike të Bogdanit; interpreton krijimin, strukturën dhe ideologjinë e epit Lahuta e Malcís të Fishtës, bashkë me kategoritë kanunore të saj, si dhe poetikën klasike të tragjedive të këtij autori; problematizon çështjen e autorësisë së Prallave Kombtare që mblodhi Donat Kurti; rimerr, në një lexim të ri dhe tërësor, kryeveprën e Kutelit, E madhe është gjëma e mëkatit…; trajton poetikën e poezisë hermeneutike të Zef Zorbës, si një shfaqje e alternativës letrare shqipe; portretizon Zef Pllumin shkrimtar dhe përqendron kërkimin te tregimet e tij; si dhe jep, të përqendruar, portretin e Sabri Hamitit kritik dhe dijetar të letërsisë. Pjesa e dytë, E vërteta e letërsisë, që në titull shenjon raportin e letërsisë, në radhë të parë të letërsisë fiksionale, me të vërtetën, natyrën e veçantë të së vërtetës së letërsisë, të cilën e përcaktojnë tematika dhe ontologjia e letërsisë. Kjo dukuri universale, në këtë libër, provohet me veprat letrare kushtuar Skënderbeut, me romanin klasik të Jakov Xoxës, Lumi i vdekur, si dhe me tregimin autobiografik të Pllumit, Saga e fëmijnisë. Kërkimi, më tej, shpalos ideologjinë e letërsisë, duke e konceptuar atë si një kategori të strukturës së veprës letrare; rast studimi është vepra e Zef Pllumit. Kështu, referencat dhe raporti metonimik me ideologjitë bëhen çështje të brendshme të letërsisë dhe të kërkimit letrar. Në pjesën e tretë të librit, të titulluar Çfarë është letërsi shqipe?, janë përfshirë tri tekste të veçanta; njëri problematizon çështjen e kërkimeve krahasuese, në radhë të parë të kërkimeve krahasuese shqipe, vënë përballë evidencave dhe veprave letrare shqipe; tjetri trajton çështjen e identitetit dhe trajtën që merr ai në diskurset shqipe; ndërsa i treti, Qarkun letrar të Prishtinës në raport me teoritë letrare dhe gjuhësore frënge, në pikëtakime dhe në veçime nga ato, kur kërkimet ballafaqohen me dukuri tipike të kulturës shqiptare.

    Kështu, duke u mbështetur te kërkimi letrar sistematik, “Metonimia” jep një faqe tjetër të letërsisë shqipe, që përfshin vepra dhe dukuri, në radhë të parë përmjet analizës së formave dhe të interpretimit letrar. Një vepër që dëshmon sesi kërkimi sistematik i letërsisë shqipe shkon drejt kanonizimit.

    “Metonimia” ka 438 faqe dhe është libri i pesëdhjetë e gjashtë i këtij autori.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    KUJTIM SHALA: ZOT E ROB TE KAMBA JOTE…

  • Shkrimtarët thonë se kritika letrare, që shkruhet sot për letërsinë nuk e ndjek dot zhvillimin e saj

    Shkrimtarët thonë se kritika letrare, që shkruhet sot për letërsinë nuk e ndjek dot zhvillimin e saj

    Nga Julia Vrapi
    Rëndësia e kritikës letrare është e madhe, si për letërsinë ashtu edhe për lexuesin. Përballë fluksit të botimeve në vend, e promovimeve të ndryshme në aktivitete herë pas here, shkrimtarë dhe studiues e vlerësojnë dhe rëndësinë e kritikës letrare, por sipas tyre tek ne nuk ka akoma personalitetin e saj të dukshëm në gjykimin e vlerave të librave. Kritika u jep lexuesve këndvështrime të reja dhe i udhëheq në zgjedhjen e librave me vlerë, por gjithashtu nxit dhe dialog rreth çështjes estetike, etj, por shkrimtari dhe studiuesi Xhahid Bushati thotë se sot kritika letrare tek ne është e paaftë për të ndjekur procesin me krijimtarinë. “Kritika letrare tek ne akoma nuk ka personalitetin e saj të dukshëm në gjykimin e vlerave të librave. Aktualisht kemi një fluks të madh botimesh, por ajo është siç duket deri tani e paaftë për ta ndjekur këtë proces shumë formësh të gjinive dhe të zhanreve. Pastaj po të kthehemi tek letërsia për fëmijë, kritika letrare është pothuajse e dobët dhe sikur nuk ka shfaqje, nuk ka portret, nuk ka ndikim”, thotë shkrimtari Xhahid Bushati, një nga emrat e vlerësuar në krijimtarinë tonë, i cili dhe më parë ka sjellë në vëmendje edhe se duhet më shumë investime dhe vëmendje për librin nga institucionet përgjegjëse.
    Roli i institucioneve arsimore
    Për shkrimtarin Xhahid Bushati ne nuk kemi kritikë letrare në pritshmëritë që duhet të ketë letërsia, që botohet në vendin tonë. Por ndërsa thotë se ajo kritikë, që shkruhet sot për letërsinë nuk e ndjek dot zhvillimin  e saj, ai ndalet dhe tek roli që kanë institucionet e larta arsimore në vend, që sipas tij nuk janë aktive. “Institucionet e larta arsimore këtu përgjithësisht sikur nuk shfaqen, nuk janë aktive. Përgjithësisht kemi mbetur tek shkrimet recensionale. Pra është një gjini pothuajse e thatë dhe pastaj po shtohet një sëmundje tjetër, që është ajo e miqësisë. Po shkruajmë për miqtë tanë dhe po i japim vlera më shumë se sa duhet. Po ta shprehim në mënyrë popullore, duke hedhur sheqer”, shprehet shkrimtari dhe studiuesi Bushati.
    Në reagimin e tij Xhahid Bushati që dhe më parë ka sjellë në vëmendje probleme në krijimtari thotë se në promovime  më shumë bëhen lavdërime dhe flasin dhe ata, që nuk e kanë lexuar librin. “Vura re në këtë panair të fundit të librit, ku mora pjesë në disa promovime librash. Ata që u çuan për të diskutuar për librin çuditërisht nuk e kishin lexuar librin dhe  rritnin vlerat e krijuesit apo të krijueses pa e lexuar librin”, thotë Bushati. Ndërsa rendit një sërë problemesh,  Bushati thotë se kritikën profesionale duhet ta bëjnë ata me tituj shkencorë dhe shkrimtarët nëse kanë talent në këtë aspekt, ku sipas tij është e rëndësishme dhe e nevojshme edhe specializimet për kritikë letrare. “Mund ti çojnë diku jashtë shtetit ose të hapin kurse trajnimi”, thotë ai. Edhe shkrimtari Pandeli Koçi sjell në vëmendje rëndësinë që ka kritika letrare për vlerat e një libri, por gjithashtu rendit disa nga problemet që janë. “Pse nuk zhvillohet kritika letrare serioze tek ne? E para nuk paguhet sa duhet, e dyta disa nuk dinë ta shkruajnë dhe e treta po bëre kritikë negative të thotë këto mos i shkruaj. Fakultetet tona që janë të gjuhë letërsisë ose Universiteti i Arteve nuk përgatisin kritikë. Ku janë kritikët e muzikës, arteve figurative, etj. Tek ne bëhen ose recensione lavdëruese dhe bën secili për shokun. Shoku bën shkrim për shokun dhe pastaj shoku bën për të, dhe bëhen ato që quhen promovime  me lavdërime”, thotë shkrimtari Pandeli Koçi. Reagimi i shkrimtarëve Xhahid Bushati dhe Pandeli Koçi është në vijim dhe të autorëve të tjerë më parë, që kanë shprehur se kritika letrare duhet të zërë vend më shumë në studimin me veprat që botohen, pasi sipas tyre rëndësia e saj është e madhe, si për letërsinë ashtu dhe për lexuesin.

  • Behar Gjoka: Kur libri bie në duart e sharlantanëve dhe përfaqësuesve më të zellshëm të analfabetizmit funksional…

    Behar Gjoka: Kur libri bie në duart e sharlantanëve dhe përfaqësuesve më të zellshëm të analfabetizmit funksional…

    Nga Julia Vrapi
    Ndarja e çmimeve dhe konkurset letrare që zhvillohen në vendin tonë kanë qenë herë pas here dhe pjesë e diskimeve nga autorë dhe studiues të letërsisë. Kritikat nuk kanë munguar dhe në drejtim të institucioneve për mënyrën se si zhvillohen konkurset letrare apo dhe ndahen vlerësimet. Studiuesi i letërsisë Behar Gjoka, një nga zërat që here pas here në reagimet e tij ka sjellë në vëmendje probleme të ndryshme në sektorin e librit, çfarë ndodh me konkurset letrare në vendin tonë, etj, në një reagim të fundit të tij flet për tekstin letrar dhe autorin. Studiuesi i njohur i letërsisë Behar Gjoka thotë se kur libri bie në duart e atyre, që ai quan përfaqësues të analfabetizmit asgjësohet teksti dhe autori. “Shpërfytyrim. Kur dija dhe kinse “dijetarët”, përdorin marifetet e pushtetit, vetëm sa çelnikosin sundimin e pushtetit, që nuk ka asnjë lidhje me qytetarin. Kur libri bie në duart e sharlantanëve dhe përfaqësuesve më të zellshëm të analfabetizmit funksional, sigurisht asgjësohet teksti dhe autori”, shprehet Behar Gjoka studiues i letërsisë në një reagim të tij, të cilin e ka ndarë edhe në rrjete sociale. Kritiku dhe shkrimtari Behar Gjoka është nga intelektualët më aktiv në fushën e letërsisë. Si studiues Gjoka herë pas here i rikthehet edhe materialeve që ka shkruar ndër vite për problemet me librin, autorët apo dhe kritikën letrare, por në këtë reagim të tij ai sjell në vëmendje edhe rëndësinë që ka letërsia. “Kur shija e lodhur e mësimdhënësve, që dinë vetëm “të korrigjojnë dhe të ndajnë çmimet” simbas klaneve dhe tarafeve, merret si kriter vlerësimi, letërsia ngjan me “kënetën” e realizmit socialist…Njerëz, horrat e pushtetit, jo vetëm politik, por edhe kulturor dhe letrar, na kanë marrë peng shpirtin, sepse letërsia është e vetmja hapësirë lirie, ku ende marrim frymë…”, shprehet  studiuesi Behar Gjoka.
    Aktivitete për letërsinë shqipe
    Si drejtues i qendrës së studimit “Pjetër Budi”, studiuesi Behar Gjoka ka zhvilluar dhe tryeza shkencore për letërsinë shqipe, problemet dhe zhvillimi i saj. Këto tryeza shkencore bëjnë bashkë autorë dhe studiues të ndryshëm, me kumtesa, pyetje dhe diskutime mbi problematikat e ndryshme të letrave shqipe. Studiuesi Behar Gjoka gjithashtu është i pranishëm në media edhe me artikuj për problematika të ndryshme politike e shoqërore. Behar Gjoka është diplomuar për kritikë letrare në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë. Në 2002 ai botoi librin e tij të parë “Poetika e Budit”, për të vijuar dhe me të tjerë tituj në vijim. Ndër botimet e tij përmendim: Poetika e Budit – 2002; Proza e Kutelit : studim – 2004; Trebeshina-ajsbergu i letrave shqipe : studim – 2005; Mashtrim i bukur : roman – 2006; Sistemi letrar piramidal : shqyrtime teorike dhe tekstologjike – 2007; Kadare i rilexuar : studim – 2008; Martin Camaj : shkrimtaria e tij – 2010; Kuteli dhe letrarja: studim – 2010; Agim Gjakova, shkrimtari i të dy anëve të kufirit – 2011. Autonomia e kritikës letrare – 2012, etj.

  • Resmije Kryeziu dhe fati i krijuesit në Kosovë

    Resmije Kryeziu dhe fati i krijuesit në Kosovë

    Nga Myrvete & Begzad BaliuDitë më parë, në ambientet e Institutit Albanologjik të Prishtinës, një brez kryesisht i ri i studiuesve, me fjalën e tyre, me kumtesat, me urimet dhe përgëzimet kolegiale shënuan ditëlindjen e 80-të të studiueses, shkrimtares e publicistes Resmije Kryeziu. E ulur pranë zotërisë së saj, profesorit universitar, regjisorit, dramaturgut e publicistit Ekrem Kryeziu, një aristokrat nga sjellja dhe artist nga pamja (dy veçori që duket nuk kanë mundur t’ia fshijnë as puna e madhe prej regjisori, as vitet e mundimeve të mëdha në burgjet serbe), ajo si dhe i shoqi, sikur nuk kishin humbuar asgjë nga rinia (hijeshinë, elegancën dhe stilin e veshjes), asgjë nga pjekuria (mendimin shkencor) dhe asgjë nga diskursi i komunikimit (elokuencën dhe artin letrar).1.Zonja Resmije Kryeziu (Gjakovë, 1945) është historiane e letërsisë, shkrimtare dhe publiciste. Shkollën fillore e ka mbaruar në vendlindje, shkollën e mesme në Pejë, ndërsa studimet universitare dhe pasuniversitare në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës.Fillimet e para në fushë të publicistikës dhe krijimtarisë letrare të saj i gjejmë tek gazeta “Zëri i rinisë” dhe pothuajse në të gjitha gazetat dhe revistat letrare të viteve ’70, ndërsa fillimet shkencore edhe në Institutin e Historisë. Por, vetëm pas kalimit të saj në Institutin Albanologjik (1977) shohim përkushtimin e saj shkencor dhe përshkallëzimin e kësaj dijeje nga tekstet e para të botuara: recensionet e kronikat shkencore deri te studimet dhe sintezat monografike në fushë të letërsisë dhe historisë së saj. Fillimet dhe vitet e fundit të pensionit i ka përshkuar me një angazhim të veçantë: përkushtimi në fushë të mësimdhënies në vendlindje.Në fillim të viteve ’80, kur studiuesja Resmije Kryeziu priste të korrte rezultatet e para shkencore, ndodhën ngjarjet e mëdha të vitit 1981. Në jetën personale dhe të familjes së saj të re do të zhvillohen ngjarje të mëdha. Ajo do të gjendet para sfidave të mëdha individuale, familjare e kombëtare. Bashkëshorti i saj, regjisori i njohur e dramaturgu i popullarizuar i veprës kombëtare “Epoka para gjyqit”, Ekrem Kryeziu do të dënohet me shumë vite burgu me Grupin e Intelektualëve për veprimtari ilegale kombëtare; shtëpia e saj do të ishte një prej qerthujve të Lëvizjes Kombëtare; ndërsa, sikur të mos mjaftonte kjo edhe Instituti Albanologjik i Prishtinës ku punonte, ishte institucioni më i atakuar i Partisë Komuniste të kohës dhe përgjithësisht sistemit partiak. Ishte koha kur në jetën e saj, në institucionin ku punonte dhe sidomos në familjen e saj, po luhej drama e madhe e Teatrit Kombëtar.2.E gjetur ndërmjet sfidave ideologjike të kohës, presioneve të sigurimit shtetëror, ndërtimit të familjes dhe formimit shkencor të saj, studiuesja që nuk kishte shumë kolege në rrethet shkencore të kohës, Resmije Kryeziu u strehua në krijimtarinë letrare të gjysmës së parë të shekullit XX, atje ku në rrethana mjaft dramatike të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë (1912), ndërtimit të shtetit dhe sikur ishte në modë të thuhet “bërjes së shqiptarit”, ishte zhvilluar shkalla më e lartë e pluralizmit mendor, pluralizmit të stileve letrare dhe përpjekjeve për emancipimin e njeriut e të gjuhës, me theks të veçantë gruan.Te shkrimtarët e kësaj kohe, te realisti Andon Zako Çajupi, te romantiku e realisti e modernisti, te parnasisti e simbolisti Aleksandër Stavre Drenova –Asdreni, te realisti Millosh Gjergj Nikolla, te realisti, neoklasicisti, epiku e satiristi më i madh i kohës Gjergj Fishta, te romantiku Ndre Mjeda, te realistët, sentimantalistët e ekzistencialistët Ernes Koliqi, Foqian Postoli e Sterio Spasse etj., ajo strehohej qoftë për motivet e pasura tematike, qoftë për pluralizmin e formave të shkrimit. Ku më shumë e ku më mirë mund të gjente ëndrrat dhe fatin e saj se sa te Zoga e Mjedës e Tringa e Gjergj Fishtës, te Afërdita e Sterio Spasses, te Dija e Haki Stërmillit, te jeta, mendimi e bëmat e personazheve, nga më të pasurat e letërsisë shqipe.Kjo është edhe arsyeja pse veprave të saj shkencore ju prinë monografia “Personazhi i gruas në letërsinë shqipe mes dy luftërash” (1988: 352). Kjo është arsyeja pse në këtë monografi ajo merret me rrethana të reja postindipendente të organizimit të shoqërisë shqiptare në përgjithësi dhe gjendjen e gruas shqiptare në veçanti.Historia kombëtare, sociologjia politika dhe kultura shqiptare në përgjithësi kanë sjellë të dhëna të shumanshme për fatin e gruas, për jetën sociale të saj, për gjendjen e vështirë ekonomike brenda familjes, për pasojë organizimin patriarkal e fisnor të marrëdhënieve feudale të shoqërisë, si dhe për përpjekjet e saj për ruajtjen dhe formimin e familjes, por askund dhe madje në asnjë fushë kërkimore e shkencore, publicistike e politike, nuk mund të gjeje më të plotë e më kundërthënëse, fatin e gruas, etikën e saj, si në letërsinë artistike, si në novelat e Migjenit e romanet e Sterio Spasses, Fuqian Postolit, Mustafa Greblleshit etj.Kësaj periudhe dhe pak a shumë kësaj teme, veç se tani në një rrafsh më të gjerë e më të thellë kritik studiuesja Resmije Kryeziu i është kthyer edhe më vonë, me studimet e saj, me vështrimet e saj dhe madje me sintezat intelektuale e sprovat shkencore. Fjalën e kemi për veprat “Nga Lindja në Perëndim – aspekte të mendimit kritik shqiptar 1913-1944”, (2008) dhe “Femina litterarum. Romantizmi, sentimentalizmi, simbolizmi, realizmi, ekspresionizmi” (2008).Rikthimi nuk kishte të bënte vetëm me nostalgjinë e fillimeve shkencore as me eksperiencën në një temë e periudhë bosht. Prej leximeve pararendëse të Rilindjes Kombëtare dhe iluminizmin në përgjithësi dhe prej njohjes së letërsisë e mendimit kritik të shkruar pas Luftës së Dytë Botërore, ajo kishte kuptuar se sa i pasur intelektualisht ishte mendimi i këtij brezi që përfaqësonte shkollat më të mira europiane, sa e vrullshme kombëtarisht ishte djalëria e kësaj kohe, si dhe sa largvajtëse ishin pikëpamjet e tyre në të gjitha fushat, prandaj edhe në kritikën letrare e publicistike, kritikën socologjike e historikografike.Prej veprës së parë e deri te vepra e fundit e kërkimeve historiko-letrare studiuesja jonë jo njëherë i ka ridimensionuar konceptet e mëparshme për gruan si personalitet historik e sociologjik dhe si personazh letrar e artistik, duke i plotësuar ato me dokumente autorësh, e të dhëna letrare të panjohura, me aspektin jo vetëm historik po edhe artistik, me qasjen kritike po edhe sociologjike e psikologjike.3.Përbërësi i tretë i krijimtarisë mendore të studiueses Resmije Kryeziu është letërsia, me theks të veçantë, romani. Pas poezive, tregimeve, teksteve publicistike e letrare të botuara në fillimet e krijimtarisë së saj te shtypi ditor e letrar i viteve ’70: “Zëri i rinisë”, “Kosovarja”, e madje revistës autoritative “Jeta e re”, studiuesja Resmije Kryeziu i është kthyer prozës, përkatësisht romanit, një dëshmi e përkushtimit të saj në fushë të letërsisë tani që përvoja letrare e historiko-letrare e saj është përmbushur me kërkime dhe lexime të gjera të letërsisë.Viteve të fundit ajo ka botuar romane, të cilat paralajmërojnë edhe vëllime të tjera, për faktin se periudha e marrë në shqyrtim ka fillimet e saj po jo edhe kufijtë historikë, përkatësisht tematikë. Dy romanet e saj “Rrota e ujit”(2019) dhe “Nën saç”, (2021) fillojnë me atmosferën e ripushtimit të Kosovës nga Serbia dhe vendosja e pushtetit komunist.Të dy romanet sjellin gjendjen sociale, ekonomike e sidomos politike të popullit shqiptar në vendlindjen e saj, parë me sytë e një fëmije, Detës (Rrota e ujit) dhe fatit të një intelektuali, muzikantit, Halil Sokolit (Nën saç).Bota përkatësisht fabula e romaneve të saj janë sinonim i dhunës së pushtetit në rrafshin individual, familjar, shoqëror e kombëtar. Format e dhunës në këto vepra shfaqen herë si sinonim i dhunës ideologjike herë si sinonim i dhunës etnike, ndërsa herën e tretë edhe si bashkim i të dyjave. Për të përmbushur anën letrare ndërkaq, për të mos thënë për të çliruar aktin historik nga përmasa e pasur dokumentare, autorja e ka përplotësuar mozaikun e saj edhe me elemente të humorit e satirës. Një përbërës posaçërisht i veçantë i artit romanor të saj është gjuha e pasur, diskursi i komunikimit, frazeologjia popullore e numrit të madh të personazheve, të cilët më parë se sa karakter strukturor kanë karakter fragmentar, por që i përplotësojnë shumë anë të dendurisë historike të ngjarjeve të kohës së trajtuar. Edhe si të tilla, qoftë në romanin e parë “Rrota e ujit”, qoftë në romanin e dytë “Nën saç”, qoftë në qytetin e Gjakovës a të Pejës, ngjarjet zhvillohen apo shihen si kronika historike (ngjarjet, vendet dhe madje institucionet dhe deri diku frazeologjia gjuhësore) dhe të letrarizuara (personazhet, raportet e brendshme, perceptimet, konceptualizimet dhe diskursi letrar, – stili).Si të këtilla, romanet e saj sjellin jo vetëm përvojën individuale po kur e kur edhe përvojën romanore të letërsisë shqipe e më gjerë. Bie fjala, personazhi i Detës nuk mund të mos na kujtoj përvojën e narratorit në romanin e Kadaresë “Kronikë në gurë” edhe pse në rastin e parë kemi të bëjmë me narratorin (Detën) e angazhuar, ndërsa në rastin e dytë me personazhin indiferent.4.Portreti i studiueses, shkrimtares e intelektuales Resmije Kryeziu në 80-vjetorin e lindjes mund të ridimensionohet jo vetëm nga aspekti biografik po edhe nga anë të tjera të fateve të saj, e megjithatë jeta dhe vepra e saj janë një dramë e madhe e përbashkët e disa akteve, individuale, familjare dhe kolektive të kohës sonë, prandaj përvoja jetësore dhe krijuese e saj mund të quhen përvojë kombëtare e jetës sonë, e fatit tonë, në Kosovën e gjysmës së dytë të shekullit XX.Prishtinë, tetor 2025

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    KUR MÁRQUEZ FLISTE PËR ROMANIN “NJËQIND VJET VETMI”: TËRË FRIKË PYETA SE ÇFARË DREQIN DO TË VINTE MË PAS…

  • Elsa Skënderi: Juria e panairit librat i ka shqyrtuar e gjykuar, por gjykimin përfundimtar  për to, mbetet që ta japë..

    Elsa Skënderi: Juria e panairit librat i ka shqyrtuar e gjykuar, por gjykimin përfundimtar për to, mbetet që ta japë..

    Nga Julia Vrapi
    Panairi i Librit në Tiranë një ngjarje e rëndësishme kulturore që dhe këtë vit vijoi mes librave, titujve të rinj në stenda apo dhe aktiviteteve të ndryshme. Midis shumë ngjarjeve letrare të panairit, është edhe përzgjedhja e veprave më të mira. Juria e këtij panairi që përbëhej nga Elsa Skënderi Rakipllari (kryetare), Beti Njuma, Maniela Sota, Teuta Dhima dhe Zija Vukaj këtë vit mori në shqyrtim rreth 260 vepra të paraqitura për konkurrim. I kthyer në një traditë të përvitshme, Panairi i Librit 2025 vlerësoi autorët dhe përkthyesit që kanë spikatur për kontributet e tyre në letërsinë shqipe dhe atë të përkthyer, ku çmimi “Autori më i mirë i vitit” i shkoi shkrimtarit dhe akademikut Artan Fuga për romanin “Ndëshkimi i dytë i Evës”. Kryetarja e jurisë së Panairit të 28 të Librit Elsa Skënderi Rakipllari në fjalën e saj, në ceremoninë e dhënies së çmimeve u shpreh se me rëndësi ka qenë trajtimi me përpikëri i të gjithë lëndës letrare apo studimore.
    Ndër të tjera ajo u shpreh se juria e panairit librat i ka shqyrtuar e gjykuar, por gjykimin përfundimtar  për to, mbetet që ta japë lexuesi dhe koha. Ajo tha se puna e jurisë është organizuar në përputhje me disa parime formale, që lidheshin me kriteret e pranimit të veprave apo të autorëve në konkurrim. “Në radhën e këtyre kritereve, p.sh., ishte kriteri sipas të cilit një autor/përkthyes i vlerësuar me çmim Panairi brenda tri viteve të fundit nuk mund të klasifikohej si pretendent për çmim këtë vit. Sa iu takon parimeve përmbajtjesore që kemi ndjekur si juri, ato kanë pasur të bëjnë me: risinë për zhanrin përkatës, përmbajtjen e spikatur letrare dhe me aspektet gjuhësor të veprave (gjuhë e pasur dhe vepra të redaktuara si duhet). Po kështu, për jurinë me rëndësi ka qenë trajtimi me përpikëri i të gjithë lëndës letrare apo studimore, të dorëzuar për konkurrim brenda afateve dhe pasja në konsideratë e botuesve dhe e krijuesve si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova e Maqedonia e Veriut. Letërsinë shqipe, studimet e librat shqip i kemi bashkë, ndaj dhe vlerësimet, që padyshim parakusht kanë meritën, duhet t’i kemi bashkë”, tha Elsa Skënderi Rakipllari kryetare e jurisë.
    Tematika e botimeve
    Sa i takon tematikës së librave të paraqitur në konkurrim këtë vit, Elsa Skënderi Rakipllari kryetare e jurisë u shpreh çfarë u vu re në prozë apo dhe risitë. Sipas saj, risi vihen re edhe në zgjerimin e tematikës letrare. “Në prozë vërehet një rimarrje e motiveve të së shkuarës komuniste te autorët e Shqipërisë shtetërore, ndërsa te disa prej autorët e Kosovës këto motive të së shkuarës lidhen me Luftën Çlirimtare të Kosovës; Sakaq, një pjesë e veprave letrare po transfigurojnë edhe zhvillime më bashkëkohore të lidhura, për shembull, me lëvizjet demografike të shoqërisë (tematika e emigracionit), me zhvillimin e teknologjisë ose me pandeminë Covid-19. Risi vihen re edhe në zgjerimin e tematikës letrare që nuk mbetet thjesht te rravgimi i çështjeve të identitetit apo i çështjeve historike-politike, por mëton të bëjë pjesë të universit letrar edhe konceptet apo diskursin shkencor.
    Kjo risi është më se e mirëpritur në letërsinë tonë, pasi më herët kjo lloj përmase ka munguar. Veçanërisht, në dritën e zhvillimeve teknologjike e shkencore që shoqëria po përjeton, bëhet e nevojshme kjo lloj letërsie që t’i përfaqësojë artistikisht zhvillimet e tilla”, vijoi kryetarja e jurisë.  Këtë vit në panair sa u takon autorëve, Elsa Skënderi Rakipllari tha se kishte më tepër rikthime të autorëve (të konsoliduar) që e ruajnë periudhën e panairit, si kohën e artë, për të nxjerrë librin e tyre më të ri. “Kurse zërat e rinj, janë më të paktë si numër, por jo si talente. Kemi prurje syresh që bien në sy për nga teknikat e shkrimit. Edhe ndërsa flasim për “shkrimtarë të rinj”, të tillët jo përherë janë të rinj në moshë, por të rinj në shkrimtarinë artistike.
    Në këtë Panair kemi edhe figura publike apo njerëz të botës akademike që kanë sjellë veprat e tyre fiksionale, duke veshur kësaj radhe rrobën e shkrimtarit”, tha ajo. Sa i takon përkthimeve,  Elsa Skënderi Rakipllari vijoi se shkrimtarët e veprat letrare më në zë vijnë të përkthyera në gjuhën shqipe, dhe sipas saj në mënyrë mjeshtërore. “Kjo i jep mundësi lexuesit që të njohë e shijojë të njëjtat referenca letrare që janë lart të përfillura anembanë botës”, u shpreh ajo. Ceremonia e ndarjes së çmimeve të panairit u mbajt në datën 15 nëntor, ku këtë vit kanë qenë në konkurrim edhe prurjet në letërsinë për fëmijë. Sipas studiueses Elsa Skënderi Rakipllari, juria vërejti se veprat letrare për fëmijë, pak a shumë kanë qenë të një niveli tematik e përmbajtjesor. “Gjithsesi, ato janë pjesë e realitetit të krijimtarisë së këtij viti dhe ne besojmë se veprat e letërsisë për fëmijë, kultivojnë te lexuesi i ri, shprehi e koncepte tipike për gjuhën shqipe, duke i ardhur në ndihmë edukimit emocional dhe mëkimit me vlera sa universale aq edhe kombëtare”, u shpreh Elsa Skënderi Rakipllari, studiuese, pedagoge e letërsisë UT.

    Ritualet kulturore të domosdoshme
    Si çdo vit Panairi i Librit në Tiranë organizohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë.  Tema e përzgjedhur për edicionin e këtij viti të Panairit të Librit në Tiranë ishte një shprehje e shkrimtarit Ismail Kadare: “Ndërgjegjja jonë ka nevojë për librat”. Elsa Skënderi Rakipllari studiuese, pedagoge e letërsisë UT kryetare e jurisë ndër të tjera u shpreh se Panairi i Librit, ndër vite, është përjetuar si kremte jo vetëm nga botuesit, shkrimtarët e përkthyesit, por edhe nga lexuesit, të cilët thotë ajo u drejtohen mjediseve të panairit, si në një ritual kulturor. “Ritualet kulturore, nuk i kemi aq të shpeshta, por i kemi të domosdoshme, jo vetëm për të pasur një komunikim më të drejtpërdrejtë shkrimtar-lexues, por edhe për të sjellë në vëmendjen e publikut rëndësinë e leximit dhe dobinë e letërsisë. Të dashur shkrimtarë, studiues, përkthyes, librat tuaj, të mirë a bukur të mirë, i janë shtuar një herë e përgjithmonë botës sonë letrare, kjo është arritja më domethënëse. Kjo juri e panairit këta libra i ka shqyrtuar e gjykuar, por gjykimin përfundimtar për to, fatlumësisht e si në çdo rast, mbetet që ta japë lexuesi dhe koha!”, vijoi në fjalën e saj Elsa Skënderi Rakipllari studiuese, pedagoge e letërsisë UT.
    Çmimet e Panairit të Librit
    Këtë vit në Panairin e Librit në edicionin e 28-të, çmimi “Autori i librit më të mirë studimor”, iu dha Ali Xhikut, për veprën “Faqeve të historiografisë shqiptare”, botuar nga “Onufri”. Çmimi u dha për kontributin e vyer për ndriçimin teorik dhe metodologjik të çështjeve kyçe të historisë së letërsisë shqipe, në një vepër ku ndërthuren njohja e thellë e sistemit letrar shqiptar, analiza e teksteve themelore të historisë së letërsisë sonë dhe angazhimi i përkushtuar jetësor në studimet letrare. Çmimi “Autori më i mirë i vitit” i shkoi shkrimtarit dhe akademikut Artan Fuga për romanin “Ndëshkimi i dytë i Evës” botuar nga “Papirus”. Juria e panairit gjykoi se ky libër është një strukturë romaneske mbresëlënëse, ku ndërthuren miti i zanafillës, dramat e jetës familjare e urbane dhe zhvillimet teknologjike të bashkëkohësisë. Ndërthurja e dimensionit filozofik dhe psiko-social me një letraritetit të spikatur dëshmojnë një të kuptuar të thellë të njeriut, të shoqërisë dhe të kohës, kur jetojmë.
    Përkthyesi më i mirë i vitit u shpall Virgjil Muçi, për përkthimin mjeshtëror të veprës “Xhejmsi” të Percival Everett, fitues i Çmimit “Pulitzer 2025”, botuar nga “Dituria”. Motivacioni për këtë çmim ishte: “Libri eflekton njohuritë e thella të natyrës së shqipes, por edhe talentin prej shkrimtari të Virgjil Muçit. Gjuhësimi me zhdërvjelltësi të admirueshme i dy regjistrave të idiomës së romanit, e bën këtë vepër madhore të bashkëkohësisë t’i flasë lexuesit shqiptar, duke ruajtur ngjyresat dhe kompleksitetin e tekstit origjinal”. Këtë vit, në ndryshim nga një vit më parë, u nda edhe çmimi “Autori i librit më të mirë për fëmijë”.
    Çmimi iu dha shkrimtares Valbona Banka për romanin për fëmijë “Aria, në dorën time”, botuar nga “Dita Books”, për rrëfimin e këndshëm dhe me humor, që ndërkall në tekstin letrar edhe shenja identitare të vendit dhe të gjuhës sonë, që nxisin formimin e identitetit kombëtar te lexuesit e vegjël, dhe edukimin emocional përmes letërsisë. Çmimi për përkthimin më të mirë letrar nga frëngjishtja në shqip iu dha Urim Nergutit për përkthimin e romanit “Hyrija” të Kamel Daoud, fitues i çmimit Goncourt 2024, botuar nga “Buzuku”.  Motivacioni i këtij çmimi ishte: “Përmes nuancimeve të larmishme të fjalës e sintaksës së zhdërvjellët përkthyesi sjell besnikësërisht në shqip një histori drithëruese duke ruajtur stilin e autorit me heshtjet, belbëzimet dhe shumësinë e zërave të këtij romani tronditës”. Në panairi u ndanë edhe dy diploma mirënjohjeje, e para nga Ambasada e Bullgarisë për përkthyesen Janka Trifonova Selimi, e cila u mor nga e bija Melina Selimi. Ndërsa diploma e dytë e mirënjohjes u dha nga ambasada e Polonisë për profesorin Arqile Teta.
    Panairi i Librit
    Si çdo vit Panairi i Librit në Tiranë organizohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, që është e themeluar në vitin 1992 me seli në Tiranë dhe zhvillon aktivitetin e saj në të gjitha qytetet e vendit, por edhe jashtë saj. Panairi i Librit është një ngjarje e rëndësishme kulturore me në qendër librin dhe u zhvillua këtë vit dhe me një sërë aktivitetesh, por botuesit sollën në vëmendje dhe problemet me të cilat përballen në punën e tyre. Përgjatë ditëve të panairit u zhvillua edhe aktiviteti “Sofaja e librit”, një format letrar që bën pjesë tashmë në Panairin e Librit që prej vitit 2021. Panairi i Librit në Tiranë organizohet çdo vit në muajin nëntor, dhe mbledh botues, autorë, përkthyes, lexues dhe dashamirës të librit, ku edicioni i 28-të këtë vit u zhvillua nga data 12 deri më 16 nëntor në Pallatin e Kongreseve.

  • Ben Blushi, sipas më të vlerësuarit shkrimtar shqiptar nga Kadareja

    Ben Blushi, sipas më të vlerësuarit shkrimtar shqiptar nga Kadareja

    Ndër të vetmit shkrimtarë shqiptarë i vlerësuar nga Kadare – Agron Tufa për romanin “Dueli” – një prej emrave më mjeshtërore të fjalës shqipe pikërisht në gjininë e romanit, por aq dhe në poezi apo përkthime, nuk e ka gëlltitur dot artificialitetin romanesk benblushesk, duke e shpotitur rëndë këtë emër që më shumë se art letrar ofron poshtërsi letrare në krijimet e tij, duke dehur turma me to, më shumë se sqimtarë letërsie, trutharë dhe me mungesë të theksuar empatie në rrafshin shoqëror. Blushi godet padrejtësisht, abuzivisht e plot gënjeshtra një komunitet besimtarësh, më e pakta që nuk prodhojnë asgjë negative për shoqërinë e më e shumta bartës moralesh shpëtimtare për të, e ata, me gjendra të pandjeshme morali, ushqehen me vanitetin e blerjes së pocaqive letrare të tij, siç ushqehet dhe ai vetë me vanitetin e të vetëndjerit shkrimtar i madh teksa i blihen librat deri në mbarrim kopjesh.
    Tej një xhelozie të rëndomtë, Tufa vizaton mjeshtërisht portretin real të Blushit, mes ngarendjes së këtij të fundit për t’i vënë vetes kurorën e një shkrimtari të madh.
    “Këshilla përfundimtare një shkrimtari të ri
    Nëse do që të kesh sukses të popullarizuar në zejen tonë të moçme të shkrimit, mos ia hyr kurrë, nëse nuk plotëson disa kushte të paravendosura vendimtare:

    a) T’i përkasësh nga mbiemri një familjeje të ish nomenklaturës së lartë komuniste në Parti dhe Letërsi (çka është në thelb, e njëjta gjë);
    b) Ti përkasësh si trashëgimi politike e kulturore të njëjtës kastë/establishment të Partisë-Kurvë;
    c) Të kesh shërbyer me zell Cerberi në Frontin e Kuq të Medias dhe politikës (prapë, e njëjta gjë) dhe të kesh bërë emër famëkeq si drejtues, si médiator, si shaë-girll apo shaë-man;
    d) të jesh përlyer me katran korrupsioni më keq se djajtë e skëterrës;
    e) Temat e tua të prekin veçse koniuktura historike, fetare, politike dhe, mender me thanë, të ashtuquajturën distopi futurologjike, shkurt e trup, një lloj molloisje fallxhorkash të lagjes. Suksesin e ke të garantuar: tam-tamet s’do kenë të sosur në shtyp dhe Hidrën Cybernetike.
    f) Kryesorja, me infrastrukturën e gatshme, servile, të përulët, mos harro ta paraqesësh plehun tënd letrar çdo vit, për t’u paketuar sa më shpejt, hijshëm e lyrshëm, para se fshati në festë të vërshojë në turma për autografe. (Mos u shqetëso, nuk do t’a lexojnë: thjesht u duhet pleh me autograf, për t’ia përcjellë brezave).

    Por nëse nuk e do këtë farë popullariteti e këtë farë Lavdie, shkruaj me gjakun dhe lëkurën tënde, pavarësisht se ke pak ndjekës besnikë, pavarësisht se vepra jote mund të mungojë në festë, pavarësisht se shtypin, studiot dhe Hidrën Cybernetike nuk do t’a kesh me vete kurrë. Vetëm shkruaj larg ‘Panairit të Kotësisë’, shtroje shkrimin tënd, ku të frymojnë e ardhmja dhe Destini.
    Dhe nëse të vlen si ngushëllim, kujto shprehjen e J.L. Borges-it: ‘Nëse një libër artistik tejkalon sakaq tirazhin e shitjes mbi 5000 kopje, ai, më falni, nuk është më libër, por prostitutë…’. /tesheshi.com/
     
     
     
     
     
     
     
     

  • Klasike/Si e sheh çështjen e stilit Milivoj Solari

    Klasike/Si e sheh çështjen e stilit Milivoj Solari

    Foto: Boris Kovacev / CROPIX

    Milivoj Solari: Domethënia e stilit është shumë më e ndërlikuar se sa pohimi i thjeshtë se stili është mënyrë e të shkruarit.

    Tërësia e veçorive themelore ideoartistike, e mjeteve dhe e mënyrave të shprehjes në krijimtarinë e një shkrimtari, të një artisti, të një rryme a të një epoke quhet stil. Por me stil kuptojmë edhe zgjedhjen dhe ndërthurjen e mjeteve të gjuhës sipas kërkesave të një fushe të veprimtarisë/

    ObserverKult ju sjell një fragment të shkëputur nga “Hyrje në shkencën për letërsinë” të Milivoj Solarit, një libër ky i domosdoshëm sidomos, për studentët që ia mësyejnë letërsisë.

    Milivoj Solari: Stili dhe Stilistika

    Nëse i themi me shaka shokut tonë: Mos shpreso se do të shpëtosh, o mik!, nga kjo fjali duket sikur ne presim që miku ynë të humb një lojë shahu. Në të vërtetë kjo fjali është vargu i parë i një vjershe.

    Po kjo fjali mund të jetë pjesë edhe e bisedës së përditshme, edhe e veprës letrare; ndryshimi qëndron në faktin se si do ta kuptojmë në rastin e parë, e si në rastin e dytë. Në rastin e parë do ta lidhim me një situatë të caktuar reale, kurse në rastin e dytë do ta kuptojmë në kontekstin e përvojës më të gjerë të jetës.

    Megjithëkëtë, edhe pse është fjala për fjali të njejta, me siguri do të themi se vargun “mos shpreso se do të shpëtosh, o mik!” e kemi përdorur, si shprehje të të folurit të thjeshtë, e do të mendojmë se vjershëtari shprehjen e thjeshtë të të folurit e ka përdorur si varg.

    Po, mund të kuptohet ndërkaq, se fjalia e përmendur është disi e jashtëzakonshme. Ajo, mund të themi pa shumë mëdyshjeje, tingëllon bukur. Por, po të lexojmë më tutje vazhdimin e vjershës së cilës i takon vargu:”shumë gjuetarë ndjekin gjurmën tënde dhe ata me siguri do të të qëllojnë”, e kemi të qartë se kështu nuk shprehemi në të folurit e përditshëm e as në diskutimet shkencore.

    Sikur të pohojmë se gjuetarët i ka pas këmbëve, atëhere së paku fjala “mik” ose fjala “gjuetar” nuk mund të ketë domethënie të thjeshtë, të përditshme. Kjo do të thotë se në veprën letrare fjalët janë përdorur në mënyrë të tillë që të kuptuarit ta orientojnë në drejtim jo të zakonshëm: gjuha në veprën letrare ndryshon nga gjuha në të folurit e përditshëm, e ky ndryshim nuk është thjesht një gabim.

    Në gjuhën e veprës, në një farë mënyre, themi më shumë sesa është e mundur në një kumtim të thjeshtë gjuhësor. Kjo “gjerësi e informatës” nuk i takon vetëm tekstit, por varet edhe nga mënyra se si është kuptuar diçka, gjithashtu edhe nga mënyra se si e kemi përdorur gjuhën.

    Kjo mënyrë e të folurit, në kuptimin e gjerë të fjalës quhet stil, dhe kushtëzohet, në përgjithësi, nga zgjedhja e fjalëve dhe nga mënyra e mbarështrimit të tyre. Prandaj, vargjet e kësaj vjershe, përmes stilit të veçantë, na tërheqin vëmendjen për t’i kuptuar si pjesë të veprës letrare.

    Megjithëkëtë, domethënia e stilit është shumë më e ndërlikuar se sa pohimi i thjeshtë se stili është mënyrë e të shkruarit.

    Fjala stil e ka burimin e vet në fjalën e latinishtes stilus, që përdorej për shkopthin me të cilin shkruhej në dërrasat e lyera me dyll, mandej kishte kuptimin e mënyrës së të shkruarit dhe, që këndej, është marrë dhe po përdoret edhe në lëme të tjera.

    Kështu, sot stil do të thotë mënyra se si kryhet një veprimtari: flasim për stilin në not, stilin në futboll, për stilet në arkitektekturë ose muzikë. Ndërkohë kuptimi i fjalës stil bëhet gjithnjë më i gjithanshëm, prandaj edhe ekzistojnë dallime në të kuptuarit e këtij termi.

    Këto ndryshime dalin nga teoritë e ndyshme mbi natyrën e letërsisë. Parimisht koncepti i stilit kuptohet kryesisht në dy mënyra të ndryshme. Stil do të thotë ose mënyrë e mirë e të shkruarit, pra e të folurit, ose mënyra e të folurit dhe e të shkruarit, që është karakteristike për ndonjë epokë letrare, për ndonjë shkollë fetare, për ndonjë shkrimtar ose për ndonjë vepër letrare.

    Mbi stilin pra flitet, nga njëra anë, në kuadër të shqyrtimit mbi mënyrën relativisht të drejt të shkrimit, ndërsa, nga ana tjetër, bëht dallimi i llojeve të stileve (për shembull stili i të folurit, stili shkencor etj.) dhe diskutohet mbi stilin në rrafsh të shprehjes individuale (stili i Migjenit, D. Agollit, stili i ekspresionizmit, stili barok etj.).

    Të gjitha këto ndryshime në të kuptuarit e stilit shfaqen edhe në stilistikë. Stilistika bashkëkohore, si shkencë që merret me stilin, nis nga të kuptuarit e stilit si shprehje e individit ose e kolektivit dhe e interesojnë kryesisht mjetet dhe qasjet, me të cilat arrihet një cilësi e veçantë e shprehjes, të cilin analiza gramatikore nuk mund ta përgjithësoj ose ta përfshijë sa duhet.

    Stilistika moderne e ka prejardhjen në retorikën dhe poetikën e lashtë, në ato dije që e shpjegonin shprehjen letrare nga pikënisja se stili është mënyrë e mirë e të shkruarit; një kuptim i tillë për stilin u ruajt deri sot. Për retorikën e lashtë, të flasësh dhe të shkruash mirë, do të thotë njëkohësisht të krijohen vepra letrare dhe, në këtë drejtim, midis stilistikës bashkëkohore dhe retorikës së lashtë, gjegjësisht poetikës, ka ndryshime rrënjësore.

    Stilistika bashkëkohore përpiqet t’i përshkruajë mjetet dhe qasjet e të shprehurit gjuhësor, që janë karakteristike për vepra të caktuara, autorë dhe epoka; kurse retorika e vjetër përcaktonte mjetet e detyrushme të qasjes, funksioni i të cilave, do të sillte domosdo vepra letrare të vlefshme.

    —————————————————

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    PABLO NERUDA: TË DUE FORT…

  • Letërsia nuk është klikim, as televizor

    Letërsia nuk është klikim, as televizor

    Nga Namir Lapardhaja

    (Kujtesë në prag të Panairit të Librit)

    1.

    Në autobiografinë e tij ‘Joseph Anton’, Selman Ruzhdi bën një rrëfim të rrugëtimit si shkrimtar, duke përshkruar të gjitha peripecitë e tij derisa bëhet një autor i njohur dhe i pranuar në qarqet letrare dhe kulturore. Ndonëse ai kishte shkruar disa romane përpara ‘Vargjeve satanike’, ato ishin pritur ftohtë dhe pa ndonjë entuzazëm, ndërsa është pikërisht zhurma dhe debati i madh që hapi kjo vepër, ajo që bëri të ktheheshin sytë nga një autor krejt i rëndomtë deri në atë kohë. Nuk po dua të mohojë veprën e tij, por dua të them se ishin arsye jashtë letrare ato që e kthyen vëmendjen tek ai. Sot, të gjithë e lidhin emrin e tij me ‘Vargjet satanike’, por askush nuk e di, fjala bie, që ai është autor i një romani të mrekullueshëm siç është “Psherëtima e fundit e Arapit”. Mirëpo, kjo vepër është krejt tjetër dhe nuk ka prodhuar zhurmë dhe debate, sepse ecën natyrshëm, duke u ndërtuar mbi një rrëfim të thellë dhe të ndjeshëm, ku mitet, feja dhe njeriu bashkëjetojnë si fije të një pëlhure të madhe dhe nuk krijojnë përplasje dhe konflikte. 

    2.

    Që në zanafillën e saj, letërsia nuk shkakton përçarje mes njerëzve. ‘Iliada’ e Homerit, që është themeli i letërsisë evropiane, është madhështore jo sepse ul një palë dhe ngre palën tjetër, por sepse ndërtohet mbi rrëfimin e paanshëm. Homeri i përshkruan grekët dhe trojanët me të njëjtin dinjitet dhe madhështi njerëzore: Akili është hero i zemërimit, Hektori hero i detyrës; të dy janë të përkohshëm, të brishtë, por të ndritur në fisnikërinë e tragjedisë së tyre. Edhe kur Homeri përshkruan vrasjen e Hektorit, zemra e poemës është në dhimbjen e Priamit, plakut që shkon në tenda të armikut për të kërkuar trupin e të birit. Letërsia e madhe nuk krijon konflikt, por i rrëfen konfliktet për të treguar udhën e gjetur apo të pagjetur, të lënë përgjysmë apo edhe të përfunduar, sepse letërsia ka mbijetuar duke kërkuar njeriun, jo duke e përçmuar atë.

    3.

    Fatkeqësisht në ditët tona, dhe ky nuk është vetëm problem shqiptar, një vepër e mirë artistike nuk është e tillë si pasojë e ‘letrares’, por si pasojë e reklamës, e klikimeve apo e televizinit. Një shkrimtar nuk vlerësohet për materien që sjell, por për ‘provokimin’ që bëhet pjesë e debatit ditor. 

    E githa kjo ndodh sepse jetojmë në epokën e spektaklit dhe të ‘zhurmës’, ku çdo ide duhet të shpërthejë për të ekzistuar, ndërkohë që edhe letërsia ka rënë pre e kësaj gjëje. Guy Debord e quante këtë realitet “shoqëria e spektaklit”, ku vlera matet jo nga thellësia, por nga dukshmëria. Sot, në vend që një libër të kërkojë lexuesin me qetësi, është lexuesi që ndjek librin që bën më shumë bujë. Një temë e ndjeshme, siç është feja, seksualiteti, identiteti, mund të kthehet lehtësisht në magnet për debatet mediatike. Kështu që letërsia shndërrohet në një produkt që shitet përmes reklamës, jo për vlerat letrare dhe artistike që mbart.

    Ky është një kurth që dashje pa dashje biem të gjithë. Shkrimtari niset nga presima për të shkruar atë të trazon, ndërsa lexuesi niset nga ajo që dëgjon në televizion dhe tundohet, kështu që libri i mirë mbetet në heshtje, ndërsa ai i zhurmshëm përhapet si limonadë verore. Ashtu siç thoshte Umberto Eco, “lexuesit e sotëm janë më të shumtë, por më pak të thellë; ata duan ngacmim, jo përvojë.” Në këtë rrëmujë, letërsia e mirë humbet, sepse s’të lë zhurma e marketingut.

    4.

    Letërsia mund të provokojë në emër të gjetjes së vetes dhe nuk ka arritur të mbijetojë mes njerëzve kur ka pasur për qëllim të zhbëjë identitetin e tjetrit, sidomos kur ka të bëjë me tema të tilla si besimi dhe shpirtërorja. Ajo duhet të tërheqë vëmendjen vetëm për një arsye: letraren. Duhet të ngjallë kureshtje për bukurinë e frazës, për ritmin e mendimit, për thellësinë e figurës, jo për provokimin që vjen nga kanone jashtëletrare. 

    Letërsia e mirë nuk provokon ndjenja të komuniteteve të aktuara, por ajo i kultivon ato nëpërmjet artit letrar. Letërsia e mirë nuk ngjall mllef, por shije. Ajo i jep lexuesit kënaqësinë e ndjenjave të pastra, jo të trazuara nga zemërimi apo blasfemia. Në kohët moderne, kur provokimi shpesh shitet si kurajë dhe përdhosja si liri, letërsia e madhe duhet të kujtojë se detyra e saj është të lidhë, jo të ndajë. Sepse për sa kohë do të ketë besim, do të ketë ndjenja që duhen respektuar; dhe për sa kohë do të ketë njeri, do të ketë nevojë për ndjeshmëri.

    Letërsia e mirë është si një fener që ndriçon, por nuk verbon. Ajo nuk trondit për të bërë zhurmë, por ekziston për të dhuruar kënaqësi. Është arti i atyre që dinë se fjala e bukur mund të lëvizë shpirtin më fort se çdo provokim. Dhe vetëm ajo letërsi që di të kënaqë ndjenjat, pa i fyer ato, mbetet e pavdekshme.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    NAMIR LAPARDHAJA: “DON KISHOTI”, (RI)LEXIM I NJË LETËRSIE TË MADHE

  • Begzad Baliu: Bajram Krasniqi – sinonim i studiuesit dhe intelektualit

    Begzad Baliu: Bajram Krasniqi – sinonim i studiuesit dhe intelektualit

    (Në 35-vjetorin e ndarjes nga jeta)

    Nga Begzad Baliu

    Këto ditë u bënë 35 vjet që kur u nda nga jeta zotëri Bajram Krasniqi (Majac, 1951- Prishtinë, 1990), studiues, kritik, shkrimtar. Në këtë kohë janë ndarë nga jeta edhe personalitete të tjera shkencore, krijues, publicistë dhe madje martirë e dëshmorë të zhvillimeve politike e kombëtare që po bëheshin atë kohë, por vështirë të gjenden të dhëna më të pasura dhimbjeje, kujtimi e vlerësimi në shtypin ditor, kulturor e shkencor, se sa për vlerat shkencore, intelektuale e njerëzore, sa për mikun jetëshkurtër, Bajram Krasniqin.Studimet universitare i mbaroi në Universitetin e Prishtinës (1974), ndërsa tezën e doktoratës po këtu, në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe (1983). Kërkimet shkencore dhe botimet e para i bëri në gjysmën e dytë të viteve ’70 kur në Kosovë, sapo ishin krijuar institucionet e para universitare, shkencore e akademike, ndërsa brezi i Bajram Krasniqit sillte një frymë të re në fushë të krijimtarisë letrare dhe sidomos në fushë të kërkimeve shkencore të karakterit nacional dhe europian.Ishte koha kur në ish-Jugosllavi ishte krijuar një frymë e re liberale e mundësisë së komunikimit me botën dhe dijen më bashkëkohore, të cilën Bajram Krasniqi dhe brezi i tij e shfrytëzuan në ato përmasa të cilat nuk mund t’i interpretonin bashkëkohësit e tij në Tiranë.Që në fillim të kërkimeve të tij ai u shqua për metodën bashkëkohore dhe karakterin monografik e analitik të leximit të prozës dhe poezisë, prandaj vepra e tij e parë sillte një monografi “Poetika e prozës së Ismail Kadaresë”, që ishte një prej sintezave të para të prozës së tij, si dhe disa studime për romanin shqiptar. Do të mbahet mend gjatë dhe do të kujtohet qasja që i bërë romanit të Profesor Qosjes “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, ndërkohë që për këtë vepër ishin shkruar disa vlerësime, analiza e diskutime për llojin letar, temën dhe madje vetat gramatikore.Duke qenë punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe në mënyrë të veçantë asistent i Profesor Qosjes, ai u shqua për hulumtimet teoriko-letrare dhe shkencore në fushë të prozës dhe të kritikës letrare, duke kaluar “nga kritika stilistike (në fillim) te poetika strukturale historike (më vonë)”, sikur shprehej bashkëkohësi e miku i tij Profesor Agim Vinca (Krasniqi, 1996: 240).Ndërkohë që një pjesë e bashkëkohësve të tij, në vitet ’70-’80, vazhdonin kritikën tradicionale, ndërsa një pjesë tjetër citonin e imitonin koncepte e pikëpamje të studiuesve të caktuar si Umberto Eko, Roland Bart, etj., ai së bashku me një grup studiuesish të afruar rreth koncepteve dhe projekteve historiko-letrare të Profesor Qosjes, si Agim Vinca, Sefedin Fetiu etj., shkollën e strukturalizmit në letërsi e bënë metodë dhe metodologji, dije dhe kulturë, në artikujt studimor dhe në monografitë shkencore, duke e kurorëzuar atë edhe me një konferencë shkencore të organizuar në Institutin Albanologjik më 1984, në të cilën referatin kryesor e lexoi Bajram Krasniqi, në bashkautorësi me bardin e kësaj shkolle në Kosovë, Profesor Rexhep Qosjen. Veprat e tij, sidomos nga “Letërsia dhe vetëdija…” deri te “Kode të ligjërimit…” shquhen për përdorimin e saktë të termave, nocioneve dhe koncepteve letrare, si: analizë (gjuhësore, kritike, strukturale etj.), figurë (e të folurit, kontekstuale, metonimike, mitologjike etj.), retorike etj.), formë (artistike, letrare, e ligjërimit, klasike, poetike, oratorike, romantike etj.), funksion (poetik, referencial, sakralizues, struktural etj.), gjuhë (diturore, diskurzive, eseistike, e intelektualizuar, kritike, retorike, simbolike etj.), kategori (antropologjike, etike, gjuhësore, historike, poetike, filozofike etj.), kritikë (letrare, intelektualiste, imanente, pragmatike, utilitare, semiotike, strukturale etj.), si dhe me nocionet për kodin, konceptin e kondenzimin, konvencën e konvencionalizimin, ligjërimin e modelet, nëntekstin e opozicionin, personazhin e poetikën e prozës, perceptimin e receptimin, rrafshet, semantikën e semiologjinë, stilet e strukturat etj.Në vitet e protestave të mëdha, burgosjeve të mëdha të pjesëtarëve të lëvizjes kombëtare, si dhe diferencimeve e përndjekjeve të jashtëzakonshme kundër intelektualëve shqiptarë në institucionet arsimore e shkencore, Bajram Krasniqi ju përkushtua temave të mëdha historike në raport me letërsinë dhe inteligjencën. Këto kushte, si asnjë gjini dhe lloj letrar në letërsinë shqipe i përplotësonte proza romanore në njërën anë dhe mendimi kritik e intelektual pothuajse i munguar. Nuk është e rastit që vepra e tij e dytë do të trajtojë tema të mëdha dhe do të ketë një titull po kaq të veçantë “Letërsia dhe vetëdija historike”(1984), në të cilën vendosi përballë njëra /tjetrës janë vënë letërsia e traditës dhe koherenca e saj në letërsinë e sotme, vepra letrare e Anton Santorit, diskursi kritik i Fan Nolit, proza Jakov Xoxës, poezia e Ismail Kadaresë, dramat e monodrama e Rexhep Qosjes etj., sinteza “Kontribut tipologjisë së prozës së sotme shqipe”, duke i parë ato brenda strukturës estetike të tyre dhe në raport edhe me rrethanat e kohës kur janë krijuar. Në krye të teksteve kritike, historiko-letrare e intelektuale të sintezave të këtij vëllimi qëndron trajtesa “Kritika si funksion i vetëdijes historike”, një prej sintezave më brilante në letrat shqipe.Sintezat, trajtesat dhe kërkimet e para sintetike ai i ka projektuar në monografinë “Poetika e romanit historik shqiptar”(1985), një nga veprat më të mira shkencore të kësaj kohe. Ai e ka bërë sintezën më të mirë të romanit historik, mbështetur në metodën më bashkëkohore të studimit të prozës historike dhe bashkëkohore. Parë në tërësinë e saj, Bajram Krasniqi strukturën e romanit historik e ka trajtuar në pesë rrafshe: në rrafshin pseudohistorik, në rrafshin e romanit-epope, në rrafshin e personazhit, në rrafshin e raporteve ndërmjet historisë dhe letërsisë së letrarizuar, si dhe në rrafshin e prirjeve moderne të disa prej romaneve të fundit.Duke bërë sintezën e romanit historik shqiptar nga fillimet deri në vitin 1980 dhe duke e parë atë kur e kur edhe në raport me romanin europian e botëror, ai ka diskutuar gjerësisht për romanin aventuristik, romanin epope, romanin heroik, romanin historik, romanin estetizant, romanin familjar, romanin fejton, romanin filozofik, historik etj., ndërsa duke shkruar për romanin shqiptar në përgjithësi, ai ka diskutuar edhe për romanin humoristik, romanin e ideve, romanin e dashurisë, të ngjarjeve, romanin me tezë, të personazhit, romanin klasik, romanin lum, romanin modern, romanin monologjik, piktoresk, publicistik, psikologjik, pseudohistorik, realist, satirik, tradicional, shoqëror, trivial etj.Libri i fundit i botuar në të gjallë të tij “Kode të ligjërimit letrar” (1988) është një nga veprat e veçanta në të cilën Bajram Krasniqi disa nga trajtesat e tij të shkruara, të ligjëruara dhe të botuara gjatë viteve ’80 për kritikën për poezinë, prozën, kritikën letrare dhe një sythi me trajtesa. Megjithëse në një gjendje të rënduar shëndetësore në këtë vëllim ai sillte mendimin e formuar kritik e teoriko-letrar të dijes bashkëkohore (Modernja në letërsinë shqipe, Studimi struktural i letërsisë etj.), si dhe sinteza të reja që pretendonin të bëheshin monografi shkencore për romanin shqiptar (Romani shqiptar në Jugosllavi, Tregimi ynë i sotëm nga pikëpamja e mikrostrukturës gjuhësore-stilistike etj), kapituj për monografi të karakterit historiko-letrar etj.Vepra “Kode të ligjërimit letrar” në vetvete hap edhe një rrafsh të angazhimeve kulturore e intelektuale të Bajram Krasniqit, në vitet e stuhishme të diferencimit e të atakimit të popullit shqiptar, të kulturës e trashëgimisë së tij nga shtypi dhe institucionet kulturore, akademike e politike serbe dhe jugosllave. Artikujt, trajtesat, esetë, polemikat sjellin më së mirë portretin e intelektualit të formuar. Njohës i mirë i historisë, miteve, simboleve e prirjeve përvetësuese serbe në përmasa ballkanike, Bajram Krasniqi, lexoi në takimet e krijuesve në Prishtinë dhe jashtë Kosovë në Serbi e në Maqedoni, tekste që dëshmojnë për guximin intelektual dhe analiza që dëshmojnë për përgatitjen e tij intelektuale.Megjithëse Bajram Krasniqi u nda nga jeta në vitin 1990, ai la të botuara disa artikuj kritikë, historiko-letrar, publicistikë e intervista të kohës, në të cilat shkruante e fliste për gjendjen në Kosovë dhe për shqiptarët e atakuar rëndë nga nacional-shovinizmi serb tani jo vetëm me artikuj, vjersha, këngë e mite, po edhe me armë policore e tanke ushtarake. Le të kujtojmë këtu artikujt për letërsinë: “Me çka ballafaqohet kritika sot”, “Opuset e veprës së madhe të Nolit”, “Vepra letrare e Luigj Gurakuqit” etj.), artikujt aktualizues “Realiteti dhe letërsia”, “Ese mbi inteligjencën” etj., në të cilat ai trajtoi disa aspekte të kritikës bashkëkohore, raportet historike e aktuale serbo-shqiptare dhe gjendjen politike të shqiptarëve në ish-Jugosllavi (“Katër vjet pas 1984-tës”, “Jugosllavizmi dhe shqiptarët”), qëndrimin e intelektualit të angazhuar (“Indiferenca si cinizëm estetik”), perspektivën e lëvizjes kombëtare (“Për popullin s’ka cak të paarritshëm”) etj.Studiuesi, kritiku, publicisti e intelektuali Bajram Krasniqi, u nda nga jeta në moshën 39-vjeçare duke lënë pas veprat e tij të pasura shkencore. Ai ishte një prej kritikëve më të mirë në letrat shqipe, si dhe autor i monografinë më të mirë deri më sot për romanin shqiptar.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    BAJRAM KRASNIQI: KOHA E ANTIUTOPISË