Protestuesit godasin me vezë makinën e deputetes Ilva Gjuzi, shoqërohet Adriatik Lapaj
Tensione janë shënuar ditën e sotme jashtë ambienteve të Kuvendit, në zonën e Pedonales, ku protestuesit kanë goditur me vezë dhe domate automjetet e deputetëve. Sipas raportimeve, një prej automjeteve të ndaluara nga protestuesit ishte edhe makina me të cilën udhëtonte deputetja Ilva Gjuzi. Automjeti është goditur me vezë gjatë momentit kur protestuesit janë afruar pranë tij. Situata është tensionuar më tej pas ndërhyrjes së Policisë së Shtetit, e cila ka tentuar të shpërndajë turmën. Gjatë përplasjes mes protestuesve dhe efektivëve, raportohet se janë shoqëruar dy persona. Personat e shoqëruar janë Adriatik Lapaj dhe Shpend Gashi. Policia vijon veprimet për administrimin e situatës, ndërsa pritet të zbardhen rrethanat e plota të përplasjes dhe arsyet që çuan në tensionet jashtë Kuvendit.
Burimi:
ntv.al