Pano Ruçi humb ndjenjat gjatë gjyqit për tragjedinë e Tempit, dërgohet me urgjencë në spital
Pano Ruçi, shqiptari që humbi djalin e tij, Denisin, në tragjedinë hekurudhore të Tempit, ka humbur ndjenjat gjatë procesit gjyqësor që po zhvillohet në Larisa. Sipas mediave greke që citon noa.al, Ruçi u ndie keq gjatë seancës, pas dëshmisë së tij, duke shfaqur tension të lartë dhe simptoma që ngritën shqetësime për gjendjen e zemrës. Në vendngjarje mbërriti një ambulancë, e cila e transportoi në Spitalin e Përgjithshëm të Larisës për ndihmë mjekësore. Pas incidentit, gjykata ndërpreu seancën. Ruçi është babai i 22-vjeçarit Denis Ruçi, një prej 57 viktimave të aksidentit hekurudhor të vitit 2023. Ai është bërë i njohur në Greqi për protestat dhe grevën e urisë, përmes të cilave ka kërkuar zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes së djalit.
Burimi:
javanews.al