“Neighbours / From Motherland” hap edicionin e pestë të IDFT
10 September, 2026 - 23:47 Edicioni i pestë i International Dance Festival of Tirana (IDFT) do të hapet këtë tetor me shfaqjen “Neighbours / From Motherland”, me koreografi të Brigel Gjokës dhe Rauf “RubberLegz” Yasit, në bashkëpunim me performues nga Shqipëria dhe Kosova. Vepra do të prezantohet më 3 dhe 4 tetor në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë, ndërsa më 7 tetor në Teatrin Kombëtar të Kosovës. “From Motherland” trajton tema si identiteti, trashëgimia, përkatësia dhe kujtesa e përcjellë ndër breza. Shfaqja vjen si bashkëprodhim mes Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor të Shqipërisë dhe Baletit Kombëtar të Kosovës, duke sjellë në skenë një kapitull të ri të projektit “Neighbours” dhe një bashkëpunim artistik mes dy vendeve./KultPlus.com
Burimi:
kultplus.com