
3 900 punonjës iu shtuan administratës shtetërore tre muajt e fundit të vitit 2024
Të punësuarit në administratë shpesh konsiderohen si një “votë e sigurt” për pushtetin, dhe përgjithësisht numri i tyre rritet me afrimin e zgjedhjeve të përgjithshme ose bashkiake.
Për të shmangur këtë fenomen të njohur, Kodi Zgjedhor ka përcaktuar që punësimi në sektorin publik të ndalojë për një periudhë një mujore para zgjedhjeve. Këtë vit, ky afat përkon nga data 11 prill deri në 11 maj kur do të mbahen zgjedhjet. Qëllimi i kësaj vendimmarrje është që të garantohet një proces zgjedhor i drejtë.
Qeveria në zbatim të Kodit Zgjedhor njoftoi në fillim të muajit mars se do të pezullojë të gjitha procedurat e rekrutimit të punonjësve në sektorin publik, duke e marrë këtë vendim më shumë se një muaj nga data e ndalimit të punësimit.
Por duket se për të ardhur në deklaratën e bërë disa ditë më parë, pushteti i ka paraprirë ndalimit të punësimit një muaj para zgjedhjeve, duke “fryrë” administratën me rreth 3900 punonjës në tre muajt e fundit të vitit 2024.
Sipas të dhënave të INSTAT mbi numrin e të punësuarve në Administratën Publike, tremujori i fundit i 2024 shënoi një rritje të ndjeshme të punësimeve, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 184 278 persona.
Në krahasim me tremujorin e tretë të 2024, në tremujorin e fundit rritja rezulton të jetë 2.1%, ose afërsisht 2 800 të punësuar më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë (2023).
Pavarësisht se të dhënat flasin për deri në fund të vitit, gjasat janë që rekrutimet të kenë vazhduar edhe gjatë muajve të parë të 2025 janar dhe shkurt.
Kontradiktor është fakti se teksa qeveria shkurton numrin e ministrive dhe një numër i caktuar shërbimesh ofrohen online, sërish numri i të punësuarve në administratë vjen në rritje në vend që të ndodhte e kundërta.
FACT CHECK:
Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e
raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Burimi