Shpërthen bomba në një makinë pranë Ministrisë së Mbrojtjes në Damask, një i vdekur dhe 18 të plagosur
Një shpërthim me makinë bombë ndodhi këtë të martë pranë një ndërtese të Ministrisë së Mbrojtjes në Damask të Sirisë, duke lënë të vdekur një ushtar dhe të paktën 18 persona të plagosur, mes tyre edhe civilë. Sipas autoriteteve siriane, ushtarët kishin zbuluar një tjetër bombë në zonën qendrore Bab Sharqi dhe po përpiqeshin ta çaktivizonin atë, kur një automjet shpërtheu pranë tyre. Shpërthimi ndodhi jashtë një godine të lidhur me Ministrinë e Mbrojtjes. Drejtori i Shërbimit të Ambulancës dhe Emergjencave në Siri, Najib al-Nassan, deklaroi për agjencinë shtetërore SANA se 18 të plagosurit janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore. Deri tani askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Autoritetet kujtojnë se sulme të ngjashme në të kaluarën janë atribuar organizatës terroriste Shteti Islamik.
Burimi:
vizionplus.tv