Autoboti i Policisë rrëzon të moshuarin, të rinjtë vrapojnë për ta ndihmuar
Një i moshuar është rrëzuar në tokë pasi është goditur nga rryma e ujit me presion të autobotit të Policisë, gjatë protestës së 28 Nëntorit në Tiranë. Pamjet e publikuara nga JOQ Albania tregojnë momentin kur protestuesi i moshuar goditet nga uji dhe përplaset në tokë. Menjëherë pas ngjarjes, disa të rinj afrohen për t’i ardhur në ndihmë. Ata e ngrenë nga toka dhe e largojnë drejt një zone më të sigurt, jashtë rrezes së autobotit. Pamjet rikthejnë vëmendjen te mënyra e përdorimit të ujit me presion gjatë ndërhyrjes së Policisë, veçanërisht në kushtet kur në protestë marrin pjesë edhe qytetarë të moshuar. Nuk ka ende informacion për gjendjen shëndetësore të protestuesit.
Burimi:
ntv.al